Google ADS

KQZ pritet të marr vendim për kuvendin e Partisë GUXO

13:51 | 17 Tetor 2022
Vjollca Gajraku

Partia GUXO së shpejti pritet që të shkojë në zgjedhje. Kjo u bë e ditur në një kuvend të brendshëm zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të saj, kjo pasi që kuvendi i Partisë GUXO, i datës 7 shtator 2022 në Prishtinë, me gjasë po del të ketë përfunduar jashtë rregullave që përcaktohen në rregulloret e brendshme të KQZ-së, konkretisht të Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, ka monitoruar nga afër kuvendin e parë zgjedhor të partisë politike Guxo.

Kjo Zyrë, sipas Elezit ka renditur disa gjetje në raport me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullën Zgjedhore 012013 për regjistrimin dhe veprimin e partive politike.

“Rekomandimi i Zyrës do të shqyrtohet në njërën nga mbledhjet e radhës dhe KQZ-ja do të marrë vendimin meritor”, tha Elezi.

Ndërkaq, raporti i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim të KQZ-së, ka vënë në pah një sërë shkeljesh në Kuvendin zgjedhor të partisë Guxo.

Në raport, thuhet se me datën 13 shtator 2022, përfaqësuesi i partisë politike GUXO ka dorëzuar në Zyrë materialet nga Kuvendi, dhe tek pjesa e njoftimit të ndryshimeve, në pjesën ku duhet të nënshkruhet Kryetari, është nënshkruar Faton Peci.

“Sipas shpjegimit të përfaqësuesit të partisë politike Guxo, votimi i dy Kryetarëve ishte më shumë veprim politik dhe se në arenën politike Guxo do të përfaqësohet nga dy Kryetarë, Donika Gërvalla Schwarz dhe Faton Peci, të cilët janë votuar në Kuvend ndërsa ligjërisht Guxo përfaqësohet vetëm nga Faton Peci”, thuhet në raport.

Kjo zyrë ka rekomanduar se ndryshimet e statutit dhe përshtatshmëria ligjore nuk janë në përputhje me Rregullën 01/2013.

“Zyra vlerëson që ndryshimi i Statutit të partisë politike për të lejuar partinë të ketë më shumë se një Kryetar, është shkelje e Rregullës 01/2013 për Regjistrimin dhe veprimin e partive politike, më saktësisht e çdo neni ku përmendet Kryetari si një person i vetëm. Pra kjo Rregull në asnjë nen nuk e thekson mundësinë që një parti politike e regjistruar mund të ketë më shumë se një kryetar” thuhet në raportin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim të KQZ-së.

Në raport thuhet se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike të KQZ-së i ka rekomanduar  partisë politike Guxo që brenda 45 ditësh të sigurojë zgjedhjen e një Kryetari të vetëm të partisë politike në përputhje me Statutin e partisë politike./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme