KQZ jep detaje se kur do të filloj numërimi i votave nga diaspora

13:28 | 17 Shkurt 2021
Arbresh.info

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u proceduar me futjen e të dhënave nga formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve, të cilat janë plotësuar në vendvotime nga anëtarët e Këshillave të Vendvotimit në ditën e zgjedhjeve pas numërimit të fletëvotimeve.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në  një konferencë për media, raporton arbresh.info

Elezi ka bërë të ditur se nga 2 mijë e 382 vendvotime, deri më tani janë procesuar të dhënat e formularëve të subjekteve politike për rreth 1 056 vendvotime (44.33%) si dhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për rreth 841 vendvotime (35.11%).

“Po ashtu, në QNR, Shërbimi Votues i KQZ-së ka filluar procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt. Ky proces ka për qëllim të verifikojë nëse pakot në fjalë janë dërguar nga votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo nëse pakot e dërguara plotësojnë kriteret ligjore. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, i cili do të na marrë kohë disa ditë, do të dimë se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit.

“Nga pranimi i materialit zgjedhor nga të gjitha vendvotimet, tashmë kemi një raport lidhur me gjendjen e vendvotimeve. Nga 2 mijë e 382 vendvotime, një numër i vogël i tyre, vetëm rreth 80 sosh, nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për arsye të ndryshme: mospërputhje të nënshkrimeve; apo formularë të rezultateve të panënshkruara nga Anëtarët e Këshillit të Vendvotimit. Këto vendvotime do të shikohen më në detaje për problemet që kanë dhe në bazë të të gjeturave do të përgatitet një raport me rekomandime i cili do të paraqitet në KQZ”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme