KQZ, emëron rreth 250 anëtarët e 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve

14:40 | 30 Qershor 2021
S D

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor 2021.

Në kuadër të këtyre përgatitjeve, KQZ ka emëruar në mbledhjen e sotme rreth 250 anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në të 38 komunat e Kosovës.

Para emërimit të tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar emrat e propozuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës për t’u verifikuar nëse janë në përputhje me rregullën zgjedhore për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.

Në këtë rregull zgjedhore specifikohet se personi i nominuar për emërim për anëtar të KKZ-së duhet t’i plotësojë disa kritere, në mesin e të cilave, “të mos jetë i dënuar, për vepër penale, me vendim të formës së prerë të gjykatës në tri vitet e fundit”.

Sipas KQZ-së vetëm 7 persona kanë rezultuar se nuk janë në përputhje me këtë përcaktim të rregullës zgjedhore dhe të cilët duhet të zëvendësohen me emra të rinj.

Sipas vendimit të KQZ-së, mandati i anëtarëve të KKZ-ve fillon në ditën e këtij vendimi dhe përfundon 15 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, përveç nëse ky mandate ndërpritet para përfundimit ose zgjatet me vendim të veçantë. Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, KKZ-ja është organ përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore brenda territorit të komunës së caktuar./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme