Google ADS

KQZ e gatshme, materialet sensitive shpërndahen nëpër komuna

12:43 | 21 Tetor 2017
Arbresh.info

Gjatë ditës së sotme KQZ-ja do të bëjë shpërndarjen e materialit sensitiv në të gjitha komunat e Kosovës, në mënyrë që nesër në orët e hershme të mëngjesit të bëhet shpërndarja nëpër qendrat e votimit.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, i cili tha se tanimë ata kanë bërë të gjitha përgatitjet për ditën e nesër që qendrat e votimit të hapen në orën 07:00.Ai tha se gjatë ditës së sotme do të bëhen gati qendrat e votimit duke vendosur shenjat njoftuese, poe gjithashtu do të bëhet shpërndarja e materialit sensitiv në gjithë Kosovën.

“Sa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tashme të gjitha përgatitjet janë përmbyllur, gjatë ditës së sotme do të bëhet rregullimi i vendvotimeve, pra do të vendosen kabinat e votimit dhe shenjat tjera njoftuese nëpër vendvotime….

Sot materialet sensitive që do të thotë fletëvotimet dhe materialet tjera të ndjeshme do të shpërndahen në të gjithë komunat e Kosovës, ndërkaq nesër, të dielën në orën e hershme të mëngjesit nga depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve, materialet do të dërgohen në qendrat e votimit. Shpërndarje e materialeve do të bëhet nën përcjellje, pra në masa sigurie, nën përcjelljen e Policisë së Republikës së Kosovës”, tha Elezi.

Elezi theksoi se për zgjedhjet lokale të ditës së nesërme kanë të drejtë vote 1 milion e 890 mijë e 952 votues, derisa, do të jenë 899 qendra votimi me 2505 vendvotime.

Po ashtu, ai shtoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar më shumë se 33 mijë vëzhgues të cilët do të përcjellin procesin zgjedhor. Prej tyre, rreth 29 mijë iu takojnë subjekteve politike të cilat janë certifikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, ndërsa, rreth 3.700 vëzhgues do të jenë nga organizatat joqeveritare.Elezi tha se KQZ-ja do t’ua mundësojë edhe personave me nevoja të veçanta që të votojnë.

Sipas tij, në përgjithësi në kuadër të kategorisë së personave me nevoja te veçanta dhe rrethana të veçanta, numri i përgjithshëm i votuesve të cilët do të mund të votojnë përmes ekipeve mobile lëvizëse është rreth 3.200.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme