Debatet televizive në Kosovë janë shndërruar në arenë fyerjesh që për bazë kanë krizën morale të shoqërisë, dhe shtjellimet që bëjnë analistët e sotëm, të cilët në vend të forcës së argumentit përdorin forcën e zërit për të bërtitur sa më shumë që munden në studio.
Kështu vlerësojnë profesorët universitarë të gazetarisë, derisa shumë seriozisht këto medie po monitorohen edhe nga Komisioni i Pavarur për Medie.
Arsim Dreshaj, Zyrtar i Lartë për Marrëdhënie me Publikun në Komisionin e Pavarur të Mediave në një prononcim për arbresh.info thotë se i kanë në monitorim gjatë gjithë kohës këto debate me qëllim që të sigurojnë pajtueshmëri të plotë me Ligjin dhe aktet nënligjore të tyre.
“Lidhur me pyetjet tuaja ju njoftojmë se Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka përcjell me vëmendje zhvillimet që kanë ndodh së fundmi në mediat e Kosovës, me theks të veçantë gjuhën e përdoruar në emisionet televizive në formatin e debateve dhe diskutimeve. KPM ka vërejtur që gjatë transmetimit të një emisioni në mënyrë të përsëritur është përdorur gjuhë vulgare dhe denigruese nga të ftuarit në emision. Komisioni i Pavarur i Mediave është duke monitoruar në vazhdimësi punën e mediave, me qëllim që të sigurojë pajtueshmëri të plotë me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së”, thotë Dreshaj për arbresh.info.
E kur nuk ka interes për trajtime përmbajtjesore të temave të caktuara, vijnë në shprehje fyerjet, shprehet Flamur Maloku, profesor universitar.
Sipas tij kjo është një krizë morale e shoqërore që po mbizotëron në shoqërinë tonë.
“Kur ndodh kjo, atëherë vërtet shoqëria kalon në krizë morale e intelektuale”, vlerëson Maloku.
Profesori Universitar, Resul Sinani, thotë kjo gjuhë së pari është shpërfaqur nga disa politikanë e pastaj edhe nga mediat dhe figurat mediatike, sidomos nga analistët e rregullt, të cilët në vend të forcës së argumentit përdorin forcën e zërit për të bërtitur sa më shumë që munden në studio.
Ai thotë se në këto raste mediat është mirë që mos t’i ftojnë nëpër emisione personazhet e tilla.
“Prandaj, për mua në radhë të parë përgjegjëse janë mediat të cilat janë duke ngarendur pas zhurmës, tonit të lartë e jo pas gjuhës së qetë e argumentuese”, vlerëson Sinani.
Sanksionet për gjuhë vullgare dhe ofenduese parashihen në Ligjin për Komisionin e Pavarur të medieve dhe në Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale./arbresh.info/E.Haxhiu/
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...