KPK dhe Prokuroria i reagojnë Kurtit: Je i pasaktë dhe tendencioz

15:33 | 4 Shtator 2022
A. B.

Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit shprehin sërish shqetësimin e thellë lidhur me riciklimin e vazhdueshëm të deklaratave të pamatura, të paverifikuara ndaj sistemit prokurorial, që po bëhen vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Faktikisht, këto prononcime publike të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial.

Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër (4) raste, që ka pasur të bëjnë me dhunën seksuale.

Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga Kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze ndaj sistemit prokurorial.

KPK dhe Prokurori i Shtetit ia bëjnë me dije Kryeministrit dhe Qeverisë se statistikat zyrtare nuk hartohen me paragjykime, por verifikohen, analizohen me profesionalizëm dhe miratohen në takimet e hapura për publikun nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Për më tepër, ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz i Kryeministrit, shpreh nevojën që Kryeministri i vendit të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse, duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës. /arbresh.info/

lexo edhe:

Dosja e Vettingut shkon në Kuvend për miratim, Haxhiu: Refroma në drejtësi është e domosdoshme

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme