Qytetarët e Kosovës ende vazhdojnë të jenë të getoizuar për dallim nga shumë vende të tjera të Bashkimit Evropian. Procesi i liberalizimit të vizave ende nuk po ndodhë e kjo për shkak që BE-ja, ka vendosur dy kushte për Kosovën në mënyrë që kjo e fundit të merr liberalizimin e vizave e që janë ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimi kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Krejt kjo ka bërë që presidenti i vendit Hashim Thaçi në takimin që kishte me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta t’i kërkonte këtij të fundit që vendi i tij tu jap qytetarëve të Kosovës nënshtetësinë e saj në mënyrë që këta të fundit të mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.
Por sipas ligjit Nr. 8389, datë 5.8.1998 për shtetësinë shqiptare duhen një mori kushtesh. Personi duhet të ketë të mbushur moshën 18 vjeç, të ketë të banuar ligjërisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të vazhdueshme, për jo më pak se 5 vjet, të ketë banesë dhe të disponojë të ardhura të mjaftueshme.
Duke marrë për bazë të gjitha këto kushte profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë për arbresh.info se kjo nuk nënkupton që qytetarët e Kosovës nuk mund të kenë liberalizimin e vizave edhe për pesë vjet.
“Jo. Marrëveshjet politike mund të pasohen edhe me ndryshim legjislacioni që nënkupton që procedurat mund të shkurtohen e përshpejtohen. Megjithatë, unë mendoj se kjo nuk është zgjidhja e duhur sepse Kosovës i duhet liberalizimi i saj për shtetasit e saj me pasaportën kosovare”, ka thënë ai.
Madje ai kërkesën e presidentit e ka quajtur të drejtë pasi që konsideron se Kosovës po i hyhet në hak kur është fjala për liberalizimin e vizave.
“Presidenti ka të drejtë plotësisht sepse Kosovës i është hyrë dhe po i hyhet në hak me çështjen e liberalizimit. Megjithatë dua të besoj se me funksionalizimin e qeverisë së re të vendit dhe me plotësimin e shpejtë të kushteve të parashtruara tash e sa kohë, do kemi reflektime nga të dyja palët dhe Kosova do e merr regjimin e lirë të vizave”, ka thënë ai.
Kërkesën e presidentit Thaçi e ka ngritur edhe njëherë presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta duke thënë se marrja e nënshtetësisë shqiptare për t’iu gëzuar liberalizimit të vizave s’e zgjidh problemin e zhbllokimit të proceseve integruese të Kosovës.
“Kërkesën e Thaçit për pasaportat e vlerësoj si një protestë në emër të të drejtave të qytetarëve të Kosovës. S’është e drejtë që pas kaq vitesh qytetarët e Kosovës të jenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që të mos i gëzohen liberalizimit të vizave”, u shpreh Presidenti, derisa e ka quajtur kushtëzim jo të drejtë dhe racional i liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës me çështjen e demarkacionit.
Për këtë çështje ka folur edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili ka thënë se duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur që Kosova ta arrij vetë liberalizimin e vizave.
“Është e vërtetë si një kërkesë, e cila ka qenë e artikuluar edhe më parë, por kësaj radhe u artikulua edhe më me forcë. Tani është një kërkesë e presidentit, që do të shikohet, por ashtu siç e potencoi edhe zotëri Meta, ne duhet të bëjmë q’është e mundur që Kosova të marri vet liberalizimin e vizave”, ka thënë Minxhozi.
Zyra e BE-së në Kosovë vazhdimisht ka përsëritur se liberalizimi i vizave konsiderohet si përgjegjësi e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe opozitës. /J.Zhuniqi/arbresh.info/
Përveç rezultateve negative, Manchester United i del një pro...
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...