Google ADS

Kosovën mund ta godasë një tërmet më i fuqishëm sesa në Shqipëri

13:12 | 22 Shtator 2019
Arbresh.info

Lëkundjet e tokës dje dhe sot në Shqipëri dhe Kosovë kanë një shpjegim dhe janë normale. Kështu thotë udhëheqësi i Sektorit të Gjeofizikës dhe Gjeologjisë Inxhinierike në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, sizmologu Shemsi Mustafa.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Mustafa ka thënë se Kosovën mund ta godasë një tërmet edhe më i fuqishëm sesa ai i djeshmi në Shqipëri, ndonëse një gjë e tillë nuk mund të dihet saktë. Shqipërinë, jo që mund, por sipas tij pritet ta godasë një tërmet edhe më i fuqishëm, shkruan Gazeta Sinjali.

“Ne e kemi hartën e rrezikut sizmik. Me probabilitet që është, harta e jep që Kosovën mund ta godeasë një tërmet me fuqi 6.1 deri në 6.2 shkallë të Rihterit. Shqipëria është një zonë me aktivitet më të lartë se Kosova. Shqipërinë pritet ta godasë një tërmet edhe më i fuqishëm sesa dje, sepse sipas hartës së rrezikut sizmik edhe në të kaluarën është goditë edhe me shkallë 7.5. Në Kosovë ka pasur tërmet 6.1 të Rihterit në vitin 1921, dhe në bazë të hartës së rrezikut sizmik dhe studimeve, mund të përsëritet, por saktë nuk dihet sepse nuk ka pajisje që e përcakton”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, në Kosovë gjatë 24-orëve të fundit janë shënuar rreth 200 lëkundje të cilat nuk janë ndier, sepse intensiteti i tyre ka qenë i ulët. Ai thotë se pas një tërmeti si ky i djeshmi në Shqipëri, perimetri i pasgoditjeve rritet, dhe rrjedhimisht lëkundjet ndjehen edhe në Kosovë.

“Faktikisht pas një tërmeti siç e goditi Shqipërinë, rritet perimetri i pasgoditjeve. Automatikisht rriten lëkundjet përreth derisa të qetësohet zona. Mund ta prekë një zonë shumë të gjerë, edhe Kosovën. Por pasgoditjet janë me intensitet të ulët. Një tërmet me atë shkallë të rihterit , 5.5 deri në 5.8 e lëkund një rajon të gjerë, dikund mund të shkojë deri në 300 kilometra. Lëkundjet janë ndier më shumë se njëherë edhe në Prishtinë dje. Lëkundjet janë ndier edhe në qytete tjera. Ne kemi dy tërmete në javë që e godasin Kosovën, por të cilat nuk ndjehen sepse janë me intensitet të ulët, nga 2.1 deri në 2.8 shkallë të Rihterit”, ka thënë ai.

Objektet, sipas seizmilogut Shemsi Mustafa janë shqetësimet më të mëdha të qytetarëve gjatë goditjeve të tërmetit. Kjo, sipas tij e bën tërmetin të duket edhe më i rrezikshëm dhe frika të rritet edhe më shumë në Kosovë.

“Këto tërmete janë të pritshme sipas hartës së rrezikut sizmik, por shqetësimi te qytetarët duhet të jetë se në çfarë ndërtese jetojnë, ku jetojnë, a janë të përballueshme tërmetet. Tërmetet nuk mund të ndalen. Ato godasin çdo javë me intensitet më të ulët. Dje kam pasë shumë telefonata nga qytetarët. Parandalimi dhe zvogëlimi i rrezikut bëhet, por te ne është e kundërta. Rreziku vjen nga objektet. Shqetësimet janë, ne nuk mund të themi se nuk ka shqetësime nga një tërmet i pritshëm, por frika më e madhe janë objektet”, ka thënë Mustafa.

Ai ka treguar se si duhet të veprohet kur godet tërmeti.

“Varet nga vendi ku ndodhesh. Por nëse je brenda një objekti, është e duhur të futesh nën ndonjë objekt, tavolinë apo diçka, dhe pasi të ndalen lëkundjet e mëdha, të dalësh jashtë, pasi që objektin zakonisht e rrëzojnë pasgoditjet disa sekonda më vonë”, ka thënë Mustafa.

Ai sygjeron që të gjithë qytetarët kur blejnë banesa dhe objekte tjera, ta shikojnë procesin e ndërtimit të tyre, a janë përfillë kriteret e ndërtimit, kodet dhe arkitektuara sizmike, sepse, siç përsërit ai, tërmetet nuk mund të parandalohen

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme