Kosovë, 62 mostra të dyshimta për koronavirus kanë rezultuar negative

18:36 | 9 Mars 2020
Arbresh Info

Nga data 08.02.2020 deri me 09.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 62 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme me 09 mars 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK-së për pesë raste të dyshimta në COVID-19, transmeton arbresh.info.

Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostra për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2.

Me datë 09.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar pesë pacientë në virusin SARS-CoV-2 dhe kanë rezultuar negativ, domethënë pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2.

Nga data 01.02.2020 deri me 09.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 3.685 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 475 udhëtarë, Merdare 1.579, Vërmicë 1.142, Jarinje 289, Dheu i Bardhë 74, Hani i Elezit 70, Kullë 25, Qafë Morinë 21 dhe Bërnjak 7, Qafë Prush 2 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.

Aktivitetet në lidhje me monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së
COVID-19

Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse sipas vlerësimit të rrezikshmërisë dhe me qëllim të mbrojtjes së popullatës dhe punonjësve shëndetësor, me datën 08.03.2020 ka:
1. Rekomanduar mundësinë e ndalimit të përkohshëm të fluturimeve ajrore të udhëtarëve nga zonat epidemike të Veriut të Italisë ku ekziston rrezikshmëri e lartë e përhapjes së COVID-19 e cila është sanksionuar nga masat rigoroze të qeverisë Italiane që ka futur në karantinë tërë territorin e Lombardisë (16 milionë banorë) për të parandaluar hyrje-daljet nga kjo karantinë e madhe me qëllim të ndërprerjes së përhapjes së infeksionit.

  1. Theksuar se situata epidemiologjike dinamike në vendet epidemike kërkon shqyrtim të rekomandimeve tjera për shmangie eventuale të përhapjes së rasteve me linja ajrore të udhëtimit ose mjeteve tjera të komunikacionit.
  2. Konstatuar se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së COVID-19 që konsistojnë në:
  3. Vazhdimin e zbatimit të parimeve themelore nacionale të reagimit në sistemin e mbikëqyrjes së rasteve.
    b. Depistimin dhe detektimin e rasteve të dyshimta, si dhe përcjelljen e dinamikës së sëmundjes;
    c. Konfirmimin laboratorik të rasteve të raportuara;
    d. Aktivizimin e ekipeve për hulumtim të epidemisë;

Ekipet e IKSHPK dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare janë dyfishuar dhe po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Coronavirus në pikat hyrëse tokësore dhe aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Aktivitetet e rekomanduara nga Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse kanë vazhduar me masat për parandalimin e virusit në institucionet arsimore të Kosovës që konsistojnë në:
• Shpërndarjen e materialeve të edukimit dhe promovimit shëndetësor, posterëve dhe lifleteve.
• Organizimin e ligjëratave përkushtuar njohurive për Coronavirusin COVID- 19, të organizuara nga arsimtarët dhe profesorët me përkrahje të specialistëve të shëndetësisë publike të IKSHPK.
• Ndërmarrjen e hapave sipas rekomandimeve të IKSHPK që në të gjitha institucionet shkollore të bëhet dezinfektimi i shtuar i të gjitha sipërfaqeve dhe nyjeve sanitare.
Është ngritur shkëmbimi i informatave ndërinstitucionale mes Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK, Qendrës së Situatave, Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave, SHSKUK, AUV, QKMF-ve, Policisë së Kosovës, FSK, MASHT.

  1. IKSHPK, thekson se nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar duke përsëritur rekomandimet:
    a. Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!
    b. Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!
    c. Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratore!
    d. Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
    e. Lani duart porsa hyni në shtëpi!
    f. Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!
    g. Lani duart pas përdorimit të tualetit!
    h. Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
    i. Evitoni përdorimin e tualeteve publike!
    j. Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!
    k. Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!
    l. Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit!
    m. Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes!
    n. Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
    o. Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!
    p. Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike nëse përdorin transportin publik të përdorin maska!
    q. Gjatë udhëtimit përdorni ushqime të paketuara!
    r. Personat të cilët kanë histori udhëtimi në zonat të cilat raportojnë për përhapje lokale të COVID-19 brenda 2 javëve të fundit, kanë kontakt të afërt me personat e konfirmuar ose të mundshëm me COVID-19, dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore!
    • Nëse personi nuk ka kontakt të afërt me të sëmurin por vetëm është kontakt potencial për atë se ka qëndruar në vendet ku ka raste me COVID-19, personit të tillë i rekomandohet izolimi vetë-shtëpiak edhe në prani të anëtarëve tjerë të familjes.
  • Kontaktet këshillohen për monitorim të shëndetit për 14 ditë pas datës së fundit të ekspozimit dhe të kërkojnë kujdes të menjëhershëm shëndetësor nëse shfaqin ndonjë simptomë, veçanërisht ethe, temperaturë, simptoma të frymëmarrjes, siç janë kollitja ose vështirësi në frymëmarrje ose diarreja.
    • Kontaktet duhet të konsiderojnë ushtrimin e vetë-izolimit për 14 ditë në shtëpi
    • Është me rëndësi që ky person nuk duhet të shkojë në punë, shkollë, kino dhe ambientet publike ku ka grumbullim të shumë personave
    Rregulla e parë e izolimit në shtëpi është:
    • Personat e moshuar dhe fëmijët të ndahen nga anëtarët tjerë të familjes.
    • Të shfrytëzohen peceta, të dezinfektohen sipërfaqet dhe gjësendet, sa më shpesh të lahen rrobat, mbajtja e higjienës së duarve është esenciale dhe të shmanget prekja e hundës, gojës dhe syve.
    • Gjatë kollitjes dhe teshtitjes të përdoret peceta dhe ato të hudhen në vende të sigurta.
    • Nëse ka mundësi secili të bëjë gjumin në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë banjo personale.
    • Mos pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi.
    • Nëse keni kafshë shtëpiake largoni ato ose pas çdo kontakti me to lani duart me ujë dhe sapun.
    • Monitoroni simptomet e juaja.
    • Thirrni mjekun tuaj para vizitës në kujdesin shëndetësor.
    • Menaxhoni në mënyrën e duhur mbeturinat.
    • Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës!
    • IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt zonave/ shteteve me Koronavirus, nëse nuk e kanë të domosdoshme!

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 09 mars 2020, janë raportuar gjithsej
109.695 raste me COVID-19 dhe gjithsej 3.811 raste të vdekjes, derisa në BE dhe Mbretëri të bashkuar, janë raportuar 11.577 raste me COVID-19 dhe 396 raste të vdekjes Itali (366), Francë (19), Spanjë (5), Mbretëri e Bashkuar (3) dhe Holandë (2).

Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime. Qytetarët do të jenë të informuar në kohë reale për çdo ndryshim eventual të tillë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme