Kosovë| 1200 mantelbardhë të infektuar me variantin Omicron

08:13 | 3 Shkurt 2022
S D

1.200 punonjës shëndetësorë në Kosovë janë të infektuar me variantin Omicron të coronavirusit.

Prej tyre, 700 janë infermierë, 280 mjekë dhe 220 pjesëtarë të stafit mbështetës.

Kështu thotë për arbresh.info, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla.

“Nga statistikat që i kemi para 3 dite 1.200 punëtorë shëndetësorë janë me COVID-19, prej tyre kanë qenë afër 700 infermierë, 280 mjekë dhe 220 pjesëtarë të stafit mbështetës. Faktikisht ne nganjëherë po duhet ta shkurtojmë orarin e pushimet për shkak të kësaj, sepse kjo po na pengon shumë më mbarëvajtjen e punës”, thotë ai.

Për punëtorët shëndetësorë, sipas rregullave të IKSHPK-së, vetizolimi nga dhjetë ditë mund të shkurtohet në pesë ditë, nëse i infektuari rezulton negativ një herë me test PCR ose me test të shpejtë. Kjo gjë është marr shembull nga SHBA-ja e cila ka përgjysmuar kohën e izolimit për personat që janë të infektuar me koronavirus, por pa simptoma, nga dhjetë ditë në pesë.

Sipas Sylës, kjo gjë nuk ka ndikuar në rritjen e rasteve me COVID-19 tek punonjësit shëndetësorë.

“Nuk ma merr mendja, sepse ne si sindikatë e kemi paralajmëruar këtë para vitit të ri kur janë bërë lëshimet për ardhjen e mërgimtarëve dhe e kemi ditur që varianti Omicron do të vijë në Kosovë, dhe numri nuk është rrit përse është shkurtuar dita e izolimit të personelit shëndetësorë nga 10 ditë në 5 ditë, sepse janë qëndrime të OBSH-së. Megjithatë nuk kemi se çfarë të bëjmë ne duhet të ja japim shërbimin popullit sepse kjo është sakrifica që bëjnë punëtorët shëndetësorë”, thotë Syla.

Nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli, thotë për arbresh.info se nga mungesa e infermierëve vetëm se ka filluar të vështirësohet gjendja.

“Po numri në çdo moment edhe po rritet ai mund të jetë edhe 1000 në këtë moment kur po flasim, puna, vetëm është vështirësuar nga momenti i parë kur kanë filluar të preken nga COVID-19 Infermierët, ose më thënë më thjesht, është ngarkuar shumë ai i cili vazhdon të mos jetë i prekur”, thotë ai.

Megjithatë, sipas tij, situata vazhdon të jetë më e qetë, dhe duhet bërë ndërrimin komplet të masave.

“Jo absolutisht nuk mendoj si profesionist i kësaj fushe që jam duke e parë saktë se si po vepron nëpër gjitha periudhat virusi që nga viti ose rasti i parë në Kosovë më 13 Mars 2020. Tani mendoj se duke i thirr përgjegjësit institucional por edhe ekspertet e fushave të mjekësisë në lidhje me COVID-19 për ndërrimin komplet të masave.”, thotë ai.

Ndryshe, aktualisht në Kosovë dominon varianti Omicron, i cili, sipas profesionistëve shëndetësorë, përhapet më shpejt, por përcillet me simptoma më të lehta.

Numri i rasteve aktive me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 32,000 mijë./Ardita Zeka/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme