Kosovarët shpresojnë të fitojnë ulëse në OKB gjatë administratës së presidentit të ri të zgjedhur Biden

15:17 | 24 Dhjetor 2020
V. S.

Sikurse shumica e kosovarëve, shitësi i bagëtive Xhelal Terstena shpreson që presidenti i ri i zgjedhur amerikan Joe Biden, do ta ndihmojë vendin e vogël të Ballkanit që të anëtarësohet në organizatën e Kombeve të Bashkuara, shkruan Reuters.

Biden është shumë i respektuar në Kosovë për rolin e tij aktiv gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet e Serbisë gjatë vitit 1999, që kishin për qëllim ndaljen e vrasjeve dhe dëbimin e shqiptarëve.

Por pavarësisht që Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, Beogradi vazhdon të refuzojë ta njoh atë si shtet të pavarur, transmeton Telegrafi.

“Për shqiptarët në rend të parë vie Zoti, më pas Amerika”, thotë Terstena i cili shet bagëti rreth 35 kilometra në juglindje të vendit që ka marrë emrin e të birit të Biden, Beau.

E qëndrime të ngjashme me të Terstenës mund të dëgjohen në mbarë vendin, ku Washingtoni mbetet përkrahësi më i madh financiar dhe politik.

Shumë shpresojnë që administrata e Bidenit, që sipas të gjitha gjasave do të ketë një afërsi më të madhe mes Washingtonit dhe aleatëve të NATO-s, në mënyrë aktive do të ndihmojë Kosovën të sigurojë ulëse në Kombet e Bashkuara.

Megjithatë, disa analistë paralajmërojnë se pritjet mund të jenë paksa shumë të mëdha, pasi që aleatët tradicional të Serbisë siç janë Rusia dhe Kina po bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Gjithçka varet se sa kapital politik do të investojë SHBA-ja në përkrahjen e Kosovës”, ka thënë analisti politik Agon Maliqi.

Biden për herë të fundit kishte vizituar Kosovën në vitin 2016, ku asokohe ushtronte funksionin e zëvendëspresidentit amerikan, duke marrë pjesë në zbulimin pllakën përkujtimore të birit Beau që kishte punuar në Kosovë gjatë vitit 1998-1999.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme