Bazuar në statistikat zyrtare, qytetarët e Kosovës më shumë shpenzojnë sesa fitojnë. Pagat, sipas këtyre të dhënave, atyre nuk u sigurojnë që të mbulojnë shpenzimet e nevojshme për një jetë normale.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2016, tregojnë se konsumi për ekonomi familjare gjatë vitit të kaluar, ka qenë 7.539 euro, kurse për kokë banori 1460 euro. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë shpenzuar për ushqim dhe banim.
Kurse shporta mujore e një qytetari në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, llogaritet të jetë 115 euro.
Në anën tjetër, paga mesatare në sektorin publik është 400 euro në muaj, apo 4800 euro në vit, kurse në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro, rrjedhimisht 4188 euro në vit.
Ky trend, me dekada është duke përcjellë shoqërinë e Kosovës, ku më tepër kanë shpenzime sesa të ardhura, thonë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, e konsideron shqetësuese këtë fakt, por edhe kërkesë për përmirësim të ambientit ekonomik në Kosovë.
“Ne jetojmë në Kosovë me një standard të ulët, kurse importojmë produkte me standarde të larta dhe këto standarde të larta janë kryesisht nga importi i Bashkimit Evropian”.
“Në Kosovë nuk ka më shumë se 10 për qind të qytetarëve që kanë standard të mesëm dhe të lartë. Dhe, kjo tregon se na nevojitet ndryshim i politikave ekonomike”, thotë Shahini.
Mospërputhja e madhe në mes vlerës se konsumit të ekonomive familjare dhe pagës mesatare në vend, mbulohet nga remitencat dhe ekonomia joformale, thonë ekspertë për çështje ekonomike.
Naim Gashi thotë se standardi jetësor nuk mund të llogaritet vetëm në bazë të pagave që marrin qytetarët e Kosovës.
“Pasi që kësaj duhet t’ia shtojmë edhe të ardhurat që vijnë nga diaspora, njëkohësisht kësaj duhet t’ia shtojmë edhe të ardhurat që vijnë nga ekonomia joligjore, sidomos në sektorin e bujqësisë dhe ndërtimtarisë, ku joformaliteti është në nivel të lartë”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Në raportin e ASK-së, po ashtu thuhet se rrogat nga sektori privat dhe publik kanë qenë burimi më i rëndësishëm i të hyrave në Kosovë për rreth 50 për qind të ekonomive familjare.
Kurse burime tjera të rëndësishme janë pensionet, bizneset e ekonomive familjare dhe remitencat, ku 8 për qind e qytetarëve në Kosovë, këto të hyra i kanë burim kryesor.
Naim Gashi, ndërkaq thotë se duke marrë parasysh që shumica e mallrave në Kosovë importohen nga vendet e rajonit dhe Bashkimi Evropian, çmimet e produkteve në Kosovë janë të larta.
“Një fakt për këtë duhet të marrim se mbi 45 për qind e mallrave vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Do të thotë se Kosova gjysmën e çmimeve i ka të harmonizuara më Bashkimin Evropian, madje janë më të shtrenjta për arsye se ne si konsumator paguajmë taksën e transportit dhe taksën doganore për disa produkte, kurse për produktet luksoze edhe akcizën”, thotë Gashi.
Në anën tjetër, qytetarët ankohen se çmimet janë shumë të shtrenjta, krahasuar më pagat në sektorin publik dhe privat.
Musa Aliu, rreth të 60-tave, punon në sektorin publik. Ai tregon se asnjëherë pagën nuk mund të kursejë deri në fund të muajit.
“Çmimet janë shumë të larta. As 15 ditë nuk mjafton paga që marr. Nuk di si ia dal. Pagat janë shumë të ulëta”, thotë Aliu.
Ndryshe, në raport thuhet se pak më shumë se gjysma e ekonomive familjare në Kosovë gjatë vitit të kaluar kanë deklaruar se nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 eurosh përmes burimeve vetjake.
Kurse, 70 për qind të ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një pushim vjetor njëjavor./arbresh.info/
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...