Google ADS

Ambasada e Kosovës angazhohet për gjetje të zgjidhjes për problemet e turistëve kosovarë në Durrës

15:59 | 19 Korrik 2017
Arbresh.info

Ambasada e Kosovës në Shqipëri, përmes ushtruesit të detyrës së Ambasadorit, Sylë Ukshini, ka zhvilluar një takim me kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Sipas njoftimit, Ukshini thotë se Dako është shprehur i predispozuar për ofrimin e zgjidhjeve në favor të operatorëve turistikë nga Kosova, por thekson se deri më tani ata nuk kanë kontaktuar me asnjë autoritet të Bashkisë së Durrësit.

“Pas publikimit të lajmit në mediat shqiptare në lidhje me bllokimin e autobusëve nga Kosova në zonën e plazhit, sot kam zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë së Durrës, Vangjush Dako, i cili ka mohuar se autoritet vendore të Durrësit po i diskriminojnë autobusët nga Kosova. Në lidhje më shqetësimin tim se përse po ndodhë një lloj selektimi që u bëhet vetëm kompanive nga Kosova, meqë autobusë nga shtetet tjera nuk ndalohen në këtë mënyrë, kryetari Dako ka dhënë këtë shpjegim: se autoritetet e Durrësit kanë vendosur devijimin e trafikut për autobusët që vijën nga Kosova, meqë shumica syresh nuk kanë një destinacion të caktuar, por ndalojnë jashtë stacioneve, në çdo kënd të qytetit duke shkaktuar pengesa në komunikacion dhe në lëvizjen e turistëve dhe të qytetarëve”, thuhet në njoftimin për media të Ambasadës së Kosovës.

Dako, sipas Ambasadës së Kosovës, ka konfirmuar po ashtu se për turistët e jashtëm, që vijën në rrugë tokësore ose përmes Aeroportit të Rinasit dhe më pas me autobusë vendosen nëpër hotele, nuk vlen një ndalesë e tillë për faktin se operatorët e tyre kanë vetëm një destinacion dhe nuk ndalojnë në qytet.

“Po ashtu, më konfirmoi se operatorët me turistë të huaj paraprakisht janë pajisur leje qarkullimi për të lëvizur në zonën e plazhit, por gjithmonë duke parasysh që kanë vetëm një destiancion dhe një pikë ndalese (hotel apo kompleks turistik)”, theksohet më tej në këtë njoftim, raporton Koha.net.

Ukshini e ka pyetur Dakon se nëse operatorët turistikë të Kosovës mund të pajisen me leje të tillë, në mënyrë që të evitohen pakënaqësitë mu në vlugun e ardhjes më të madhe të qytetarëve të Kosovës, mirëpo kreu i Bashkisë së Durrësit i ka thënë atij se deri më tani asnjë operator turistik nga Kosova nuk ka ardhur apo ka kontaktuar me autoritetet e Durrësit dhe se i gjithë problemi është mësuar përmes shtypit.

Dako, thotë Ambasada e Kosovës, ka mirëpritur takimin e sotëm dhe ka siguruar se Bashkia e Durrësit mbetet e hapur për të negociuar me të gjithë operatorët kosovarë dhe është shumë e predispozuar për të gjetur një zgjidhje sa më të favorshme dhe në interes të këtyre operatorëve.

“Nisur nga kjo bisedë morëm garancinë nga kryetari Dako se zyra e Bashkisë do të jetë e hapur në çdo kohë për të pritur drejtuesit e operatorëve turistikë nga Kosova, me qëllim që atyre t’u ofrohet zgjidhje sa më e mirë dhe më e praktike, duke shtuar se në asnjë moment nuk bëhet fjalë për diskriminim të kosovarëve, por vetëm për rend dhe rregull në trafik”, theksohet në komunikatën e Ambasadës së Kosovës.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Durrësit, autobusët e turistëve nga Kosova kalojnë nëpër unazën e plazhit dhe kanë edhe 4-5 rrugës dytësore të kësaj zone në afërsi të rrugës “Pavarësia”.

“Në këtë pikë ai ka dhënë arsyen se ky devijim po bëhet për të pasur më shumë rregull në komunikacion dhe për të krijuar më shumë qasje në qytet për turistët shqiptarë dhe të huaj. Në këtë kontekst, ai ka nënvizuar se kjo masë ndalese vlen edhe për furgonët e kompanive të Shqipërisë, të cilët bëjnë furnizime në qytet”, potencohet në njoftimin e Ambasadës.

Dako mësohet t’i ketë thënë ushtruesit të detyrës së Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, se këto problematika erdhën si mungesë e komunikimit të operatorëve turistikë me autoritetet e Durrësit.

“Dako na siguroi se autoritetet e Durrësit mirëpresin gjithmonë turistët nga Kosova, pavarësisht ardhjes së turistëve nga shtetet tjera, si Polonia, Çekia, Sllovakia, Bosnja, e të tjera”, shprehet Ukshini.

Në fund të takimit, ushtruesi i detyrës së Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, ka kërkuar nga kryetari Vangjush Dako që të bëhet më shumë nga autoritetet e Durrësit për të rritur komunikimin dhe informimin me kohë për turistët nga Kosova.

Po ashtu, është kërkuar që të jepen sqarime të nevojshme edhe për shumë shkrime të shumta lidhur me ndodhi të caktuara në bregdetin shqiptar e që krijojnë pasiguri dhe ngurrim për ardhjen dhe qëndrimin e mëtutjeshëm të turistëve nga Kosova.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme