Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, dhe drejtoresha e Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Leonora Kryeziu, kanë vlerësuar se Kosova është vonuar shumë në procesin e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE).
Ata kanë thënë për gazetën “Epoka e re”, se Qeveria nuk duhet të humbë kohë, por sa më parë dhe në koordinim me vendet përkrahëse duhet ta dërgojë aplikacionin për anëtarësim. “Pavarësisht prej problematikave me të cilat është përballur Kosova, nuk e kuptoj pse deri më tani nuk ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës (KE).
Këshilli i Evropës është forum që ka për synim mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe proceseve demokratike gjithandej, bile si forum i tillë mburret kur merr anëtar të ri në gjirin e vet. Aplikimi i Kosovës në KE do të ishte argument shumë i fuqishëm që ne synojmë dhe kemi objektiv respektimin e të drejtave të njeriut dhe promovimin e proceseve demokratike.
Mendoj se në mundësinë e parë duhet të aplikojmë. Kemi gjasa për anëtarësim për aq sa koordinohemi, jemi bindës dhe të vendosur në kërkesat tona. Mbase nuk duhet ta dërgojmë aplikacionin vetëm sa për të thënë se kemi aplikuar. Mirëpo Kosova mund të anëtarësohet nëse ka koordinim sidomos me shtetet kryesore që kanë peshë dhe vlerësim në procese vendimmarrëse”, është shprehur Hoti.
Edhe drejtoresha e Institutit të Prishtinës për Studime Politike, Leonora Kryeziu, ka thënë për gazetën “Epoka e re”, se aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një proces shumë i vonuar. Ajo ka kërkuar nga Qeveria që të mos humbë kohë, por sa më parë dhe në koordinim me vendet përkrahëse ta dërgojë aplikacionin për anëtarësim.
Ndonëse Kosovën e kanë njohur me shumë se 2/3 e vendeve anëtare të KE-së, sipas Kryeziut, kjo nuk garanton votën e këtyre vendeve pro anëtarësimit për shkak të natyrës së votimit.
“Aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës mendoj se është një proces shumë i vonuar. Kosova është ndër vendet joanëtare e cila ka përfshirë në Kushtetutën e saj të gjitha konventat e KE-se, por është vendi i vetëm që nuk mund t’i shfrytëzojë mekanizmat të cilat i ofron kjo organizatë. Procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës kërkon 2/3 e votave të vendeve anëtare. Kosovën e kanë pranuar më shumë se 2/3 e vendeve anëtare të KE-s, por kjo nuk garanton votën e këtyre vendeve pro anëtarësimit për shkak të natyrës së votimit. Për këtë shkak kërkohet një koordinim me vendet përkrahëse (Gjermani, Francë, Britani dhe ShBA, edhe pse vende vëzhguese) për ta shtyrë përpara aplikacionin e Kosovës. Gjithashtu, duhet edhe shumë punë intensive me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që të sigurohen votat e mjaftueshme. Për më shumë, duhet koordinim i agjendës edhe me vendet të cilat e kanë kryesimin e Këshillit të Ministrave si dhe me ata të cilët do ta marrin kryesimin për shkak se Këshilli i Ministrave e bën shqyrtimin e aplikacionit. Përpos kësaj, anëtarësimi në KE është një proces që zgjat. Kosovës i duhen së paku dy apo tre vjet pas aplikimit deri në anëtarësimin e plotë në këtë organizatë. Kështu që, mendoj se Qeveria nuk duhet të humbë kohë dhe duhet që sa më parë në koordinim me vendet e lartcekura ta dërgojë aplikacionin për anëtarësim”, ka deklaruar Kryeziu.
Edhe sa i përket anëtarësimit në UNESCO, Hoti e Kryeziu kanë theksuar se Kosova në koordinim më të madh me vendet përkrahëse duhet të marrë vendimin për riaplikim.
Veliaj: Tirana ndriçohet sonte për festat e fundvitit
Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, Kurti...
E akuzoi qeverinë për djegien e IML-së, Haxhiu i bën thirrje...
Sulmi terrorist në Ibër-Lepenc, arrestohet edhe një person –...
Gërvalla niset për në Bruksel, do të paraqes situatën aktual...
U akuzua që nuk solli njohje të reja, Kurti: Nuk i kemi prem...