Kosova vitin e ardhshëm në OKB, pastaj në NATO, e shpejtë edhe aktakuza për gjenocid

08:08 | 1 Gusht 2017
Arbresh.info

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në një artikull për gazetën më të madhe në Beograd, “Blic”, shkruan se Kosova është tashmë prej mëse nëntë vitesh shtet i pavarur i njohur prej 110 shteteve.

DPA citon nga artikulli i Blic: Në Kosovë ndodhen shumë manastire mesjetare serbe dhe fushëbeteja, kështu që Beogradi deri tani donte ta kishte sërish këtë rajon. Në Veri të Kosovës jeton një minoritet kompakt serb. Sipas ideve të mëparshme për ndarjen Veriu i Kosovës mund t’i bashkohet Serbisë. Por nënjë rast të tillë pala shqiptare shtron çështjen e rreth 100.000 shqiptarëve në Jug të Serbisë, që mund të bashkohen me Kosovën. Manastireve historike serbe në Kosovë, që ndodhen në listën e UNESCO-s si trashëgimi e kulturës botërore, në rast të ndarjes mund t’u jepet një status i veçantë autonomie, ka propozuar Daçiç sërish.

Një javë më parë në një tekst autorial për gazetën “Blic”, Vuçiq ai ka shkruar se në Serbi duhet të fillojë një dialog i brendshëm për Kosovën dhe se Serbia duhet të jetë realiste karshi zhvillimeve në Kosovë dhe jo ta fusë kokën në rënë si struci. Vuçiq mendon se “Kosova është në thelb problemi ynë më i rëndë, ndaj është e nevojshme, si kurrë më parë, që të gjithë së bashku të gjejmë një përgjigje. Një përgjigje që do të jetë e qëndrueshme, që përjashton konfliktin si opcion, një përgjigje e cila të gjithëve në rajon do t’u sillte leverdi”.
Dushan Janjiq, koordinator i Forumit për Raporte Etnike thotë për DW se nuk është optimist se ky dialog do të rezultojë me sukses.
“Vuçiqi nuk ka në fakt një ide të qartë se për çfarë do të bisedohet. Por paraprakisht i ka quajtur si të dështuar të gjithë ata që janë kundër këtij dialogu. Një tekst dhe një ton i tillë, si dhe arroganca e tij, nuk janë një nisje e mirë dhe krijojnë rezistencë ndaj këtij dialogu”, thotë ai.
Janjiq mendon se këto tekste paraqesin një lloj manipulimi me dialogun, sipas motos “unë ju kam pyetur, ju po heshtni dhe nuk po përgjigjeni. Ndaj kam vendosur vet, ndërsa përgjegjësitë do t’i ndajmë të gjithë”.
“Situata në Ballkan po ndryshon me shpejtësi”, thotë për DW, Dushan Prorokoviq nga Qendra për Alternativa Strategjike.

Mali i Zi është futur në NATO, ndërsa Maqedonia ka intensifikuar sërish përpjekjet për anëtarësim.
“Në këtë kontekst e shoh edhe iniciativën e fundit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Tani dëshirohet përshpejtimi i procesit dhe një përfundim sa më i shpejtë i procesit, si dhe futja e Kosovës në Kombet e Bashkuara – ndoshta vitin e ardhshëm”, mendon ai.
Prorokoviq pohon se ky dialog i brendshëm ka për qëllim legjitimimin e gjithë procesit: “Ne do të zhvillojmë një gjoja dialog, i cili në fund do të rezultojë me njohjen e realitetit, që do të thotë se Kosova do të bëhet anëtare e OKB pa njohjen formale nga Serbia. Ky është modeli i dy Gjermanive, për të cilin flitet që nga viti 2008 dhe që nënkupton marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, që duhet të kenë raporte si dikur Berlini Lindor dhe Boni.”

Dushan Prorokoviq thotë se në opinion kjo do të paraqitet si një zgjidhje e mesme: “Ne nuk e kemi njohur Prishtinën, nuk do të vendosim raporte diplomatike, por Kosova do të legjitimojë statusin e anëtares në OKB, sepse ky është realiteti. Mendoj se gjërat po shkojnë në këtë drejtim. Nuk do ta zgjidhë përfundimisht çështjen e Kosovës, sepse Serbia do të përballet me probleme shumë serioze”.
“Anëtarësimi i Kosovës në OKB do të dëmtonte pozitën e Serbisë në shtigje afatgjate. Pas kësaj do të mund të pritej edhe anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në NATO, që do të thotë se do të ndryshonte edhe pozita e Serbisë, e cila do të detyrohej ndoshta edhe vet të bëhet anëtare e NATO-s”, pohon Prorokoviq. “Mendoj se më pas mund të priten shumë shpejtë edhe aktakuza e Kosovës kundër Serbisë për gjenocid dhe probleme të mëdha rreth përcaktimit të vijës kufitare, që Serbinë do ta fuste në probleme shumë të mëdha dhe të mundimshme. Ndaj mendoj se dogma se njohja e Kosovës do t’i zgjidhë problemet është shumë e rrezikshme dhe e gabuar”, pohon ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme