Numri i vrasjeve në Kosovë çdo vit shënon rritje. Shumica e vrasjeve bëhen me armë zjarri.
Njohësit e fushës së sigurisë në vend pohojnë se nuk ka ndodhur ndonjë dorëzim vullnetar i armëve nga ana e qytetarëve që nga paslufta.
Por, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës rreth 700 armë janë konfiskuar nga Policia e Kosovës gjatë periudhës janar- korrik të këtij viti, raporton Arbresh.info.
“Numri i përgjithshëm i armëve dhe municionit të konfiskuar Janar – Korrik 2023. Numri i armëve të konfiskuara – 636; numri i municionit të konfiskuara – 9531”, bënë të ditur polica.
Po ashtu, bëhet e ditur se ndër vite Policia e Kosovës konfiskon rreth 1200-1500 armë të ndryshme ilegale dhe rreth 30-40 mijë municion të kalibrave të ndryshëm.
“Policia e Kosovë për vite me radhë realizon projekte, fushata, sensibilizuese dhe plane operacionale qe ndërlidhen me parandalimin dhe konfiskimin e armeve ilegale. Ndër vite Policia e Kosovës konfiskon rreth 1200-1500 arme te ndryshme ilegale dhe me rreth 30-40 mijë municion të kalibrave të ndryshëm”, thuhet tutje në përgjigjen e Policisë për Arbresh.info.
Hoxha: Nuk dihet numri i saktë i armeve pa leje në Kosovë
Por, si arrijnë të hynë në Kosovë armët pa leje, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, thotë se nuk dihet numri i saktë i armeve pa leje në Kosovë dhe s’ka pasur ndonjë dorëzim vullnetar në masë të armëve të qytetarëve.
“Edhe pse nuk dihet numri i saktë i armeve pa leje në Kosovë, duke pasur parasysh faktin se jemi vend që ka dalur nga lufta dhe nuk ka pasur ndonjë dorëzim vullnetar në masë të armeve nga qytetarët e Kosovës përkundet disa amnistive që kanë rezultuar simbolike, llogaritet që ende ka një numër të madhe te armëve pa leje në duart e qytetarëve të Kosovës”, tha ai për Arbresh.info
Hoxha theksoi se një pjesë e armëve kanë mbetur nga koha e luftës, sipas tij, ka armë të tjera të kontrabanduara vitet e fundit qoftë përmes rrugëve ilegale përgjatë vijës kufitare apo përmes mënyrave tjera jo ligjore nga individë apo grupe kriminale.
“Po ashtu, duke ditur specifikat e sigurisë në veri të vendit si vijë shumë e gjatë kufitare me një kontroll të brishte, por edhe terrenit malor në pjesët tjera kufitare, përveç kontrabandës të mallrave të ndryshme, potencialisht mund të hyjnë edhe armë në mënyrë ilegale e të cilat mund të përfundojnë në dorë të qytetarëve. Pra një pjesë e armëve kanë mbetur nga koha e luftës por me shumë mundësi ka edhe armë tjera të kontrabanduara vitet e fundit qoftë përmes rrugëve ilegale përgjatë vijës kufitare apo përmes mënyrave tjera jo ligjore nga individë apo grupe kriminale”, tha ai.
Ai thotë se çdo armë pa leje në duart e qytetareve përbenë vepër penale dhe është rrezik permanent për kryerjen e veprave të ndryshme penale.
“Natyrshëm që çdo armë pa leje në duart e qytetareve përbenë vepër penale, por mbi të gjitha është rrezik permanent për kryerjen e veprave të ndryshme penale çoftë nga individë apo grupe të ndryshme kriminale”, përfundoi Hoxha.
Shala: Institucionet të ndërmarrin veprime për t’i nxitur qytetarët t’i dorëzojnë armët
Njohësi i sigurisë, Drizan Shala tha se në Kosovë ka armë të ndryshme që kanë mbetur në duart e qytetareve si pasojë e luftërave në vitet e 90-ta, dhe sipas tij, institucionet relevante duhet të ndërmarrin veprime për t’i nxitur qytetarët t’i dorëzojnë ato armë tek organet.
“Armët në hapësirën e vendeve të Ballkanit kanë mbetur si pasojë e luftërave në vitet e 90-ta dhe kryesisht ri-ciklohen në mënyrën e shitjes dhe rishitjes së tyre. Në Kosovë sipas raporteve ndërkombëtare ka armë të ndryshme që kanë mbetur në duart e qytetarëve nga ato konfliktet dhe që s’ka mundur ende institucionet relevante të ndërmarrin veprime për t’i nxitur qytetarët t’i dorëzojnë ato armë tek organet”, tha Shala për Arbresh.info.
Shala shtoi se kontrabanda me armë mund të jetë një element që armët të hynë nga grupet kriminale serbe duke shfrytëzuar në periudha të caktuara vragjilitetin e sigurisë në veri të vendit.
“Policia ndërmerr veprime operative për të ofruar sigurinë publike përmes pikave të kontrollit në lokalitete të caktuara. Kontrabanda me armë mund të jetë një element që armët të hynë nga grupet kriminale serbe duke shfrytëzuar në periudha të caktuara vragjilitetin e sigurisë në veri të vendit dhe ato armë të vijnë kryesisht nga këto grupe nga Serbia”, theksoi ai.
Sipas tij, siguria në pikat kufitare është e lartë dhe punonjësit janë profesional.
“Por që siguria në pika kufitare është tejet e lartë dhe punonjësit janë profesional në kryerjen e autorizimeve që kanë në ofrimin dhe garantimin e sigurisë në vend”, shtoi Shala.
Kujtojmë se Policia e Kosovës në vazhdimësi ka ndërmarr veprime konkrete për parandalim të aktiviteteve të kundërligjshme, qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme, përfshirë edhe rrezikun nga plumbat nga ajri (plumbat çor).
Më 20 shtator, Policia e Kosovës shkatërroi të gjitha armët ilegale që janë konfiskuar, e që për to kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore.
Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme vitin e kaluar pati deklaruar se janë 250 mijë armë ilegale nëpër duart e qytetarëve./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...