Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim homologun e tij nga Izraeli, Isaac Herzog.
Begaj i uroi homologut Herzogit mirëseardhjen në vizitën e parë të një presidenti të Izraelit në Shqipëri, transmeton Arbresh.info
Bashkëpunimi dypalësh, zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosova, situata në Lindjen e Mesme dhe çështjet e sigurisë kibernetike ishin në fokus të bisedës kokë më kokë.
Begaj, e konsideroi këtë vizitë si një mundësi të shkëlqyer për gjetjen e mundësive të reja të forcimit të bashkëpunimit, duke shprehur përkushtimin e tij dhe të Shqipërisë në këtë drejtim.
“Shqipëria dhe Izraeli janë vende mike që ndajnë momente historike unike, të cilat na bashkojnë përgjithmonë. Çdo shqiptar është krenar kur kujton mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Begaj, njofton Presidenca e Shqipërisë.
Sipas Begajt, të njëjtat ndjenja ndajnë edhe shqiptarët në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë aspekt, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli është një vendim shumë i rëndësishëm gjeopolitik, me ndikim pozitiv rajonal.
Për sa i përket zhvillimeve në Ballkan, Presidenti shqiptar u shpreh se për shkak të pozicionimit gjeopolitik, rajoni është i prekshëm ndaj kërcënimeve, duke përfshirë terrorizmin dhe ekstremizmin, migracionin, kërcënimet hibride, sigurinë kibernetike dhe praninë e aktorëve të tretë destabilizues.
“Shqipëria i mbetet mirënjohëse Izraelit për kontributin e dhënë për të rritur kapacitetet e saj të mbrojtjes kibernetike në rrethana shumë të vështira dhe kritike pas sulmeve kibernetike të Iranit në vitin 2022”, shprehet tutje Begaj.
Gjatë takimit kokë më kokë, krerët e dy shteteve biseduan për zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme, për të cilat Presidenti i Republikës së Sqhipërisë rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë.
“Shqipëria ka dënuar fuqishëm dhe pa mëdyshje sulmet terroriste të 7 tetorit 2023 nga Hamasi kundër Izraelit. Kjo është e paprecedentë dhe nuk mund të justifikohet me asgjë”, u shpreh Begaj, duke theksuar se Shqipëria ka dënuar ashpër rrëmbimin e civilëve, grave, të moshuarve dhe fëmijëve, si dhe ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të civilëve të pafajshëm.
“Ne mirëpresim lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve”, – u shpreh Presidenti Begaj në takimin me Presidentin Herzog, duke përsëritur thirrjen që ndihma humanitare të vazhdojë për të gjithë në nevojë dhe ne dëshirojmë fundin e vuajtjeve të popullatës civile.
Begaj rikonfirmoi se Shqipëria mbështet plotësisht planin e paraqitur nga Presidenti Biden, i cili do të çonte në një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza, në lirimin e të gjithë pengjeve, në rritje të ndihmave humanitare për Gazën, si dhe bisedimet diplomatike, si e vetmja mundësi që çon në zgjidhje të situatës./Arbresh.info
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...
Ftohtë dhe reshje borë, parashikimi i motit për pesë ditët e...
”Ti je ma rrugaçe se unë”, Përplasen sërish Driloni e Xhenet...
Aksident mes tri automjeteve në Prishtinë, lëndohen dy perso...
Masar Omeragiq presidenti i ri i Federatës së Futbollit në M...