Kosova për të katërtën herë radhazi, po tenton të bëhet pjesë e Organizatës Ndërkombëtare Policore INTERPOL.
Mentor Tahiri, shef i kabinetit dhe këshilltar i lartë politik i ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, në një prononcim për arbresh.info, tha se kësaj here Kosova duhet të jetë e fokusuar që të loboj tek vendet të cilat vitin e kaluar kanë abstenuar ose nuk kanë votuar fare.
Tahiri gjithashtu tha se fakt shpresëdhënës është se shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, nuk e pengojnë atë së paku në anëtarësimin e saj në INTERPOL.
“Pengesë të cilën duhet kaluar është konotacioni i sotëm i rreshtimeve gjeopolitike në kuadër të sistemit politik ndërkombëtar. Ka hapësirë të mjaftueshme për të punuar në këtë drejtim. Gjatë procesit të votimit në seancën e 87-të të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit të mbajtur vitin e kaluar në Dubai, u pa qartë se në dy rundet e votimit, kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës votuan më pak se 30% e shteteve anëtare. Lobimi duhet të jetë i fokusuar te vendet të cilat për arsye të ndryshme, gjatë votimit të vitit të kaluar ose kanë abstenuar ose nuk kanë votuar fare.
Gjithashtu mjaft shpresëdhënës është fakti se tek vende të caktuara që nuk kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, ka gatishmëri që së paku të mos pengojnë anëtarësimin e vendit tonë në mekanizma global të sigurisë. Ky është një qëndrim konstruktiv në raport me sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, ngase fundja Interpoli është një mekanizëm i sigurisë globale dhe jo detyrimisht është i ndërlidhur me politikën”, deklaroi Tahiri.
E sa i përket kritereve që duhet t’i plotësoj Kosova, ai tha se vendi ynë i përmbush të gjitha, duke përmendur dhe faktin që Policia e Kosovës në bashkëpunim me INTERPOL-in gëzon kredibilitet mjaft të madh.
“Bazuar në raportin e progresit të lëshuar nga BE-ja si dhe nga vlerësimet e tjera të pavarura, Policia e Kosovës, respektivisht Republika e Kosovës plotëson të gjitha kriteret për t’u anëtarësuar në Interpol. Policia e Kosovës edhe deri më tani ka gjetur mundësitë e bashkëpunimit me Interpol me anë të kanaleve të ndryshme të komunikimit dhe vazhdon të jetë ofrues i sigurisë ndërkombëtare, për çka gëzon kredibilitet mjaft të madh. Anëtarësimi në INTERPOL do të sigurojë një komunikim të drejtpërdrejtë me çka krijohen më shumë mundësi që Policia e Kosovës të marr pjesë e pa penguar në aktivitetet taktike dhe operacionale të zbatimit të ligjit dhe të jetë një kontribuues edhe më i madh në rrafsh global”, është shprehur Tahiri
I kontaktuar nga arbresh.info, Tahir Ahmeti, njëri ndër themeluesit e Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, tha se përveç ekipit diplomatik të Kosovës duhet të formohet edhe një grup punues i ekspertëve dhe asgjë kësaj here të mos i lihet rastit.
Sipas tij Kosova është shndërruar në një strehë të sigurtë për krimin dhe kriminelët, gjë që sipas tij shihet si kërcënim nga vendet të cilat ngurrojnë ta përkrahin Kosovën në anëtarësim.
“Pas dështimit të fundit për pranim, përveç ekipit diplomatik të Kosovës, duhet që të formohet një grup punues i ekspertëve në mënyrë që të përgatiten të gjitha resurset, qoftë ato teknike apo operacionale, për betejën e radhës. Në mënyrë të veçantë duhet të analizohet dështimi i anëtarësimit të fundit të Kosovës në Interpol, cilat ishin arsyet që ndikuan që disa shtete anëtare edhe pse e kanë pranuar Kosovën si shtet, votuan kundër apo abstenuan, pra është momenti i fundit që në votimin e ardhshëm për pranim asgjë mos t’i lihet rastit. Duhet që t’iu shpjegohet në mënyrë profesionale, të gjitha shteteve, që Kosova është shndërruar në një strehë të sigurt për krimin e organizuar dhe kriminelët, e që më pastaj të njëjtit janë kërcënues për sigurinë edhe të vetë atyre vendeve Evropiane që ngurrojnë të na përkrahin për anëtarësim”, vlerësoi Ahmeti.
Ndërsa si pengesën më kryesore për anëtarësim, Ahmeti, e sheh shtetin e Serbisë dhe propagandat e tyre në çdo nismë të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Një ndër pengesat më të mëdha të anëtarësimit të Kosovës është shteti i Serbisë dhe propaganda e tyre e ndyrë kundër çdo nisme të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kosova duhet të ballafaqohet me lobimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në këto organizata, prandaj, për t’u bërë pjesë e Interpolit, kërkohen angazhime e përpjekje të mëdha të gjitha aparaturave të shtetit tonë, pikë së pari kundër këtij lobimi të Serbisë, në mënyrë që kjo betejë të fitohet dhe Kosova të anëtarësohet në Interpol”, deklaroi ai.
Ndërsa njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, tha se dështimi i anëtarësimit është më shumë çështje politike së sa çështje kriteresh.
Sipas tij aplikimet për anëtarësim nuk duhet të bëhen pa u siguruar votat nga SHBA.
“Ne Interpol janë anëtare shtete qe akoma policia e tyre përdorin edhe mjete primitive. Kosova si shtet dhe policia jone është shume larg me e mire se e tyre. Dështimi i mos anëtarësimit ne INTERPOL është me shume çështje politike se sa çështje kriteresh, sepse nevojiten votat e 2/3 te anëtareve gjatë votimit, dhe Kosova meqë akoma ka probleme me njohje, është vështire te besohet se ketë vit do te bëhemi pjese e kësaj organizate. Nëse do te kishim ndonjë marrëveshje me Serbinë brenda këtyre muajve, atëherë s’do behej fjale për dështim. Por lobimi i fuqishëm i Rusisë dhe Serbisë tek shtetet qe janë kundër pavarësisë se Kosovës, po çon edhe deri tek dështimi. Do te ishte mire qe aplikimet te mos bëhen pa na u siguruar votat nga SHBA, sepse gjithmonë po dështojmë te anëtarësohemi ne këto organizata si Interpol dhe UNESCO”, është shprehur Krasniqi
Në nëntor të vitit të kaluar, Kosova nuk arriti të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që ishte mbajtur në Dubai./ElonaHaxhiu/arbresh.info/
Daut Haradinaj: Kurti po injoron shkeljen e të drejtave të s...
Aktakuzë ndaj një mjeku të QKUK-së që lëshojë dokument të fa...
Rritet numri i të vrarëve në sulmin rus në Odesa
Chiesa rikthehet në Itali, afër gjigantit italian
Bedri Hamza në Zvicër: Diasporën do ta kemi edhe në Kuvend d...
Ishte në kërkim nga drejtësia, arrestohet një 40 vjeçar në H...