Me pranimin në Këshillin e Evropës, Kosova mund të detyrohet të paguajë qindra milionë euro kompensim qytetarëve që iu janë shkelur të drejtat e njeriut nga gjyqësori. Kështu thotë për Radio Kosovën avokati i popullit Hilmi Jashari. E juristi Anton Nrecaj thotë se kompensimet mund të jenë aq të mëdha sa që Kosova mund të falimentoj si shtet.
Me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, qytetarëve iu hapet rruga të ankohen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg. Nëse llogariten vetëm rastet aktuale në procedura gjyqësore, sipas Jasharit, kompensimi që shteti i Kosovës do të duhej t’iu paguante qytetarëve, mund të arrijë në qindra milionë euro.
“Supozoni që sot në Kosovë janë afro 400 mijë raste në procedura gjyqësore, shumica prej tyre janë në zvarritje të procedurave, supozoni një kompensim minimal 1,000 euro për rast dhe pastaj llogaria është shumë e thjeshtë, edhe mund të merrni pastaj epilogun çfarë do të jetë në kompensim si dëm që shteti duhet të paguajë për qytetarin, janë shuma marramendëse, kuptohet pa e llogaritur asnjë rast tjetër, kryesisht rastet që janë aktualisht në procedura gjyqësore”, tha Jashari.
E ankesa të vazhdueshme nga qytetarët për gjykim jo të drejtë, të pa-anshëm dhe në kohë të arsyeshme po shprehen edhe sot e kësaj dite, qe 20 vite. Nëse të gjithë vendosin të kërkojnë të drejtën e tyre të mohuar nga gjyqtarët kosovarë në Gjykatën e Strasburgut, Kosova mund të falimentojë si shtet.
“Shteti kishte me falimentuar si shtet për shkak për shkak të obligimeve që kishin dalë nga vendimet e Gjykatës evropiane, si pasojë e shkeljeve të drejtave dhe lirive të njeriut. Kishim ardhur në pozitë sa që kishim falimentuar si shtet. Sepse ka shkelje masovike të drejtave të njeriut. Shkeljet thelbësore, qasje në drejtësi, shkeljen thelbësore të nenit 6 të Konventës Evropiane, e drejta për një gjykim të drejtë, të pa-anshëm dhe në një kohë të arsyeshme. Koha e arsyeshme nuk është 8 vite, sidomos kur kemi të bëjmë për fëmijë”, thotë Nrecaj.
Ai thotë se nga Institucioni i Avokatit të popullit është konstatuar se për të pasur një Aktgjykim të formës së prerë në Kosovë nevojiten rreth 8 vite.
Kjo kohë, sidomos është e tepërt në rastet e kontakteve me fëmijë sepse shkaktohet shkëputje emocionale, thotë ai, andaj prindi më të drejtë do të kërkojë kompensim për vuajtjet e shkaktuara.
“Dikush duhet të mbahet përgjegjës, është shteti, atëherë duhet t’ia kompensojë dëmin që ia ka shkaktuar shteti. Edhe pse është dëm i pariparueshëm, sepse 8 vite, shkëputja emocionale, pasojat që mund ti ketë e ku ta di unë…”, thotë ai.
E Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, thotë se Gjykata e Strasburgut nuk ka mëshirë.
“Nuk ka pardonë dhe normal vendimi është për t’u kompensuar, edhe shtetet pastaj detyrohen të përmbushin. Nuk ka asnjë rast deri më sot që Komiteti i Ministrave e ka neglizhuar, është mekanizmi më i suksesshëm, të gjitha aktgjykimet e Gjykatës Evropiane janë zbatuar”, thotë Jashari.
Jashari dhe Nrecaj kanë marrë shembullin e Italisë, e cila në vitet e 90-ta ka qenë në prag të falimentimit për shkak të rasteve të humbura në Gjykatën e Strasburgut nga numri jashtëzakonisht i madh i zvarritjeve të procedurave gjyqësore. Italia ishte detyruar të bënte reformë të sistemit ligjor dhe atij gjyqësor në pajtueshmëri me kërkesat e Konventës. /rtk
Gara me jahte në Australi, humbin jetën dy persona
Mbi 90.000 të regjistruar për votim nga diaspora
Kë do të largonte Leo nga shtëpia po të kthente Lelën?, ja c...
Dua Lipa fejohet me Callum Turner
Seuli: Ukraina ka zënë rob një ushtar verikorean
Ministri Peci sot mban konferencën përmbyllëse për media