Google ADS

Kosova nuk rrezikohet nga sulmet terroriste

17:47 | 14 Prill 2017
M. A.

Mobilizimi i Policisë me orar shtesë, urdhri për mbajtje të jelekëve antiplumb si dhe urdhri për shtim të forcave rreth kishave dhe në rrugët që të çojnë në Maqedoni ka shkaktuar panik te qytetarët.

Një njoftim lëshuar nga ambasada amerikane që paralajmëroj shtetasit e vet që të kenë kujdes gjatë këtyre ditëve ka shtuar dyshimet se situata nuk është në rregull.

Pavarësisht këtyre raportimeve, Policia gjithnjë ka vlerësuar se situata është e qetë ndërsa veprimet e policisë janë marrë në kuadër të veprimeve të tyre ditore, është Këshilli i Sigurisë që ka konfirmuar këto dyshime.

Ky Këshill është takuar dje pasdite ndërsa sot ka lëshuar një njoftim për media me anë të së cilit konfirmohet se situata në Kosovë nuk është edhe aq e qetë siç ka thënë Policia.

Këshilli për Siguri i Kosovës përmes një komunikate ka informuar qytetarët e vendit se institucionet përgjegjëse kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues.

“Grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politik të Kosovës. Veprimet e tilla, vlerësohet se mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës. Institucionet e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet për ruajtjen e rendit kushtetues, për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së liderëve shtetërorë dhe politikë dhe të njerëzve të tjerë të rrezikuar nga grupe të tilla kriminale”, thuhet në komunikatën e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e planifikimeve të saj operacionale, me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe parandalimin e incidenteve të çfarëdo natyre.

Por, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa theksoi se nuk do të lejohet asnjë organizatë të kërcënoj sigurinë e qytetarëve dhe liderëve institucional.
“Ne kemi për detyrë që ta bëjmë vlerësimin e gjendjes së sigurisë në vend. Kërkojmë nga institucionet e hetuesisë dhe të tjera që ta bëjnë punën e tyre, sepse është përgjegjësi e jona që të sigurojmë kushtet që çdo njëri të ndien veten të sigurt. Nuk do t’iu lejohet njerëzve sigurisht që të zhvillojnë aktivitete të tilla. Ne kemi parë të arsyeshme që ta informojmë opinionin në mënyrë që mos të mashtrohen të vijnë këtu ose të tjerët t’u bashkëngjiten grupeve të tilla, të cilët kanë për qëllim që ta rrezikojnë sistemin kushtetues dhe sistemin juridik të vendit por edhe jetën e individëve. Sepse nuk është e lejueshme që dikush të tentojë që ta cenoj jetën e një vartësi të pozitës të institucioneve të ndryshme të Kosovës”, tha Mustafa.

Në anën tjetër, deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë vlerësime të ndryshme rreth kërcënimeve për sulme të mundshme terroriste në Kosovë.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala tha se Kosova nuk është e kërcënuar nga askush, por se alarmi për sulme të mundshme terroriste në Kosovë, ka qenë ndoshta më shumë alarm test.
“Sipas informacioneve që kemi ne, Kosova nuk është e kërcënuar nga askush, as nga shtetet fqinje, as nga terrorizmi, sepse ndikimet terroriste në Kosovë janë shumë vogla, kanë dëshmuar edhe më herët. Edhe pse i kemi parapri shumë herët si shtet duke arrestuar imamë dhe nxjerrja e ligjit i cili ndalon qytetarët tanë që të marrin pjesë në luftërat…Ky alarm apo kjo gatishmëri e Policisë mund të jetë si pjesë e festave që janë në fund të kësaj jave, njëkohësisht ka ndoshta edhe ndonjë telefonatë kërcënuese apo ndonjë mesazh se mund të ketë ndonjë sulm të mundshëm, por si shtet nuk jemi të kërcënuar”, tha Shala.

Sipas Shalës, gatishmëria e Policisë së Kosovës nuk duhet të dërgojë panik tek qytetarët, por duhet të përçojë siguri. Sipas tij, çdo gatishmëri e institucioneve të sigurisë për t’u ballafaquar me elemente të padëshirueshme, duhet të përçojë siguri, e jo panik.

Por njëjtë nuk mendon edhe deputetja e PDK, njëherit anëtare e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së Ganimete Musliu.

Ajo tha se duke pasur parasysh zhvillimet dhe sulmet gjithandej në botë që po ndodhin, nuk mund të thuhet që edhe Kosova është një vend i sigurt dhe se nuk mund të jetë një ditë e kërcënuar.

Porse, aktualisht sipas saj, Kosova është në rrugë të mirë të sigurisë.

“Për momentin konsideroj që Kosova është, sa i përket nivelit të sigurisë deri me tani, unë mendoj se është në rrugën e duhur. Thirrja për kujdes nuk është diçka e tepërt, është mirë t’i kemi parasysh ndodhitë që po ndodhin në botë, nuk jemi ne ndonjë shtet superfuqi që të mbrohemi nga sulme të tilla. Unë konsideroj se familjarët, prind duhet të jenë të kujdesshëm ndaj fëmijëve të tyre, sidomos të moshës së adoleshencës, sepse ata janë targeti i keqbërësve”, theksoi Musliu.

Ditëve të fundit u paralajmëruar se Kosova mund të përballet me sulme terroriste, për çka u tha se Policia ka ndërmarr hapat e nevojshme për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt. Një paralajmërim për shtetasit e vet e lëshoi edhe ambasada amerikane në Prishtinë, e cila u bënte thirrje atyre që të rrinë të vetëdijshëm për vendndodhjen e tyre. Derisa, policia ka arrestuar edhe një person, i cili përmes rrjeteve sociale ka bërë thirrje për sulm terrorist. I arrestuar është Rakip Abdyli nga Opoja, por me vendbanim në Pejë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme