Serbia nuk ka asnjë lloj kompetence për hapësirën ajrore të Kosovës dhe as nuk do të ketë. Është e vërtetë se ka pasur përpjekje nga Serbia, duke kërkuar kontrollin ajror të Kosovës, por kjo temë asnjëherë nuk është trajtuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil, sepse është e pamundur të ndodhë një gjë e tillë.
Kështu ka deklaruar drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Dritan Gjonbalaj, duke hequr çdo dilemë dhe shqetësim të deputetëve për këtë cështje gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme.
Gjonbalaj tha se kërkesë e Serbisë ka qenë edhe për ndërtimin e një radari në Kopaonik, por kjo nuk është lejuar të ndodhë.
Ai ka treguar se hapësira ajrore e lartë është kompetencë e NATO-s, e cila ka përzgjedhur kompaninë hungareze “Hungaro-kontrolli” për monitorim prej vitit 2014 deri 2018.
“Serbia nuk ka asnjë lloj kompetence në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës… Dua t’i përgjigjemi pyetjes së mundësisë që Serbia të marr në kontroll hapësirën ajrore të Kosovës? Jo vetëm që nuk e lejojnë këtë Republika e Kosovës, por edhe kushtet e vendosjes nga NATO janë të tilla që Serbia nuk mund ta plotësojë asnjërin prej tyre, sepse është fqinji i parë i Kosovës, nuk është anëtar i BE-së dhe nuk është as anëtar i NATO-s”, theksoi Gjonbalaj.
Ai tha se mbetet sfidë kontrolli i kufizuar i hapësirës së ulët ajrore, ku Kosova ka vetëm një korridor ajror atë me Maqedoninë, dhe jo me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë.
Gjonbalaj theksoi se hapja e korridoreve të reja do të shkurtonte kohën e udhëtimit dhe uljen e çmimit të biletave të udhëtimit.
“Hapja e korridoreve ajrore me të gjitha shtetet fqinje me Serbinë, me Malin e zi, dhe me Shqipërinë përveç korridorit që kemi me Maqedoninë nga aspekti operacional kjo do të shkurtojë fluturimet ajrore në Kosovë për rreth 20 minuta . Shkurtimi i fluturimeve për 20 minuta e ul ndjeshëm edhe koston operative të kompanive ajrore që do të reflektonte me patjetër edhe në uljen e kostos së biletave”, tha Gjonabalaj.
I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit nga Lista serbe Bojan Mitiq, i cili tha se në Bruksel është arritur marrëveshje për fluturimin ajror Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas dhe kërkoi shpjegime nga shefi AAC përse nuk po realizohet kjo marrëveshje.
“Unë kam një pyetje të shkurtër, keni përmendur hapjen e korridorit të ri në drejtim të Serbisë. Dihet se janë bërë bisedime në Bruksel, ku sipas disa njohurive marrëveshja është arritur që të hapet linja Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas. Më intereson deri ku është arritur me këtë dhe çfarë është pengesa që kjo marrëveshja nuk po implementohet në terren?”, ka pyetur Mitiq.
Për këtë marrëveshje me Serbinë kërkoi sqarim edhe kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Daut Haradinaj, i cili nuk ishte në dijeni për një marrëveshje të tillë dhe theksoi se dikush është duke gënjyer.
“Nuk qenka krejt qysh na the drejtor, dikush po rren këtu po nejse. A ka marrëveshje a s’ka?”, pyeti Haradinaj Gjonbalajn
Por, Dritan Gjonbalaj, këtë e ka kundërshtuar duke i sqaruar deputetit Mitiq se nuk ka këso lloj marrëveshje as për fluturim, as për korridor ajror me Serbinë.
Sipas tij, nuk mund të ketë fluturime nga Serbia në Prishtinë edhe për një arsye të thjeshët, sepse sipas Gjonbalajt, sipas autoriteteve serbe, Aeroportit Ndërkombëtare i Prishtinës “Adem Jashari” është i mbyllur për fluturime civile.
Nga informacionet që i ka Gjonabalaj, Kosova nuk do të bisedojë me Serbinë për fluturimet Beograd Prishtinë, pa u hapur korridori ajror.
“Nuk ka asnjë lloj marrëveshje për linjën ajrore Beograd – Prishtinë, nuk ka asnjë lloj marrëveshje për hapjen e korridorit ajror Serbi – Kosovë. Ka një dakordim në parim që hapja e korridorit Kosovë-Serbi, korridorit theksova, nënshkrimi i marrëveshjes, frekuencat jo fillimi i fluturimeve, andaj, është hap i parë që do të çonte në fillimin e diskutimeve për fillimin e fluturimeve”, theksoi Gjonbalaj.
Deputeti nga LDK-ja Nuredin Ibishi, i cili ishte iniciues për raportimin e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, përveç kontrollit ajror dhe sigurisë në përgjithësi në këtë aspekt, kërkoi sqarime nga Gjonbalaj për Aeroportin e Gjakovës dhe Dumoshit.
Sipas tij, aeroporti i Dumoshit, është jo funksional dhe i uzurpuar nga një shërbim i EULEX-it.
Edhe Gjonbalaj shprehu shqetësimin e Aviacionit Civil për mos funksionimin e dy aeroporteve në fjalë. Ai theksoi se duhet të iniciohet përdorimi i këtyre aeroporteve, Gjakovës dhe Dumoshit për qëllime të cilat edhe janë ndërtuar.
Gjonbalaj shtoi se janë duke punuar dhe përgatitur të gjithë infrastrukturën fizike për marrjen nën kontroll të hapësirës së lartë ajrore, ku sipas tij, kjo shumë kap vlerën e rreth 35 milionë euro. Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës si institucion i pavarur rregullon veprimtarinë e Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës dhe është ofrues i shërbimeve të navigacionit ajror.
Prokuroria Themelore në Prishtinë nesër mban konferencën për...
BQK lansoi Platformën për krahasimin e produkteve dhe shërbi...
Vazhdon “magjia” e Cole Palmer në Premier League
Evertoni i ndali me barazim tre gjigantët e Premier Leagues ...
39 vjet burgim dhe 260 mijë euro gjobë për 9 të akuzuarit në...
Dëmtohet kablloja elektrike nënujore që lidh Finlandën dhe E...