Mungesa e çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën si temë në agjendën e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, përfundimisht ka shuar pritjet në Kosovë për një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave gjatë këtij viti.
Vendet që më së shumti kanë shprehur hezitimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, janë pikërisht vende aleate, të cilat deri më tash, përveç se e kanë njohur ndër të parat Kosovën, kanë ndihmuar atë në procesin e integrimeve evropiane.
Njohësit e integrimeve evropiane thonë që procesi i liberalizimit të vizave ka qenë proces me kritere teknike, që kanë të bëjnë me punë të brendshme dhe rendin e ligjin në vend.
Jehona Lushaku – Sadriu, politologe dhe njohëse e integrimeve evropiane, thotë se pikërisht shtetet mike të Kosovës kanë bërë vlerësimet e veta lidhur me plotësimin e kritereve dhe respektimin apo vazhdimin e zbatimit të atyre kritereve.
“Mendoj që këto shtete kanë bërë vlerësime më në detaje. Pastaj, është ky ngjyrimi politik i momentumit, në të cilin gjenden këto shtete tani. Janë para zgjedhjeve (në BE) dhe pastaj, kanë një kalkulim politik dhe një kosto politike që reflektohet në votimet në pranverën e ardhshme për zgjedhjet për Bashkimin Evropian”, theksoi Lushaku-Sadriu.
Kalkulimet politike të vendeve të Bashkimit Evropian lidhur me zgjedhjet që i presin në vitin e ardhshëm, jo rrallë janë përmendur të ndërlidhen me drojën nga migracioni dhe politikat e migrimit që kanë këto vende.
Por, Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), konsideron që droja e vendeve të Bashkimit Evropian nga një migrim eventual nga Kosova, mbetet i paarsyeshëm.
“Unë mendoj që sa u përket numrave, në kuadër të migrimit, nuk janë ato të vitit 2015, kur kanë qenë mbi 60 mijë qytetarë tonë që ia kanë mësyrë vendeve anëtare të BE-së. Sot është rreth 6 mijë, sipas shifrave të fundit. Mendoj që problemi dhe hezitimi te vendet kryesore të Bashkimit Evropian dhe vendet mike të Kosovës, sikurse Franca, Holanda dhe Gjermania, është i dyanshëm. Së pari, ne nuk kemi dëshmuar që kemi një sistem të drejtësisë të besueshëm dhe me njerëz me integritet, të cilët janë të gatshëm që të gjykojnë rastet që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Kryeziu.
Ai ka shtuar se që nga viti 2016 e deri më sot, nuk ka pasur raste të aktgjykimeve me dënime të formës së prerë, për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas tij, në strategjinë e zgjerimit është përmendur që drejtësia në Kosovë është e ndikuar nga politika dhe kjo e ka dëmtuar, si dhe vazhdon ta dëmtojë perspektivën evropiane të vendit. Gjithashtu, siç thekson Kryeziu, edhe në rezolutën, të cilën e ka kaluar Parlamenti Evropian, është potencuar që Kosova vuan nga elementet e shtetit të kapur dhe përhapjes së korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes. Të gjitha këto, sipas tij, e kanë rritur hendekun e dyshimit te vendet, të cilat potencialisht janë në favor të integrimeve evropiane për Kosovën.
Ndryshe, Lushaku-Sadriu, shpreh mendimin që autoritetet e Kosovës është dashur të japin garanci që kriteret që ndërlidhen me liberalizimin vizave do të vazhdojnë të zbatohen. Siç thotë ajo, garancitë e tilla, kanë munguar.
“Këto, me gjasë, kemi një mosgaranci nga shteti ynë për sa i përket zbatimit të këtyre kritereve dhe për vazhdimin e tyre edhe pas marrjes së vendimit nga BE-ja. Kjo, faktikisht, e vë në pikëpyetje krejt lobimin që është bërë nga shteti jonë, për t’iu garantuar shteteve veç e veç. Më pas, me gjasë, kemi mosofrim të statistikave, të dhënave, që do ta dëshmonin betimin tonë për të vazhduar zbatimin e këtyre kritereve”, u shpreh Lushaku-Sadriu.
Mendim të ngjashëm ka edhe Kryeziu. Sipas tij, në kuadër të raportit të Komisionit Evropian, është thënë që Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, por është kërkuar që në mënyrë të vazhdueshme të përmbushen ato kritere.
“Ndërkaq, ne kemi shënuar regres dhe vendet anëtare (të BE-së), të cilat e kanë në dorë vendimmarrjen politike bazuar në fakte, nuk kanë qenë të bindura. Problemi është te vendet e mëdha, që e kanë njohur dhe e mbështesin Kosovën. Ndërkaq, vendet që nuk na kanë njohur, nuk kanë mundësi që ta bllokojnë këtë proces, për arsye se ato 5 vende, fatmirësisht për ne, nuk e përbëjnë atë pakicën bllokuese prej 35 për qind të popullsisë të Bashkimit Evropian”, theksoi Kryeziu.
Sidoqoftë, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka përmendur vitin 2020, si kohën më optimale kur Kosova do të mund sërish të pres një vendim eventual pozitiv për liberalizimin e vizave.
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimi...
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...