Kosova ngritet për pesë vende në listën e shteteve për lirinë e shtypit

10:22 | 21 Prill 2020
Arbresh.info

Indeksi botëror i Lirisë së Shtypit për vitin 2020, përpiluar nga Reporterët pa Kufij (RSF), e rendit Kosovën për pesë vende më lartë sesa vitin e kaluar.

Kosova është renditur në vendin e 70 këtë vit, teksa në 2019, ishte në vendin e 75-të në këtë indeks.

Në këtë raport thuhet se mediat në Kosovë mbesin të ndara në vija etnike.

“Qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, në shumicën e medieve që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj medieve si dhe mungesa e transparencës së pronësisë së medieve”, thuhet në raportin e RSF-së për Kosovën, transmeton Telegrafi.

Në këtë raport tutje thuhet se shumica e medieve në Kosovë nuk janë të qëndrueshme financiarisht, duke i bërë kështu të ndjeshme ndaj ndikimeve politike.


Raporti thekson se fati i shumë gazetarëve në Kosovë mbetet i panjohur deri më tani, përfshirë ata gazetarë që u zhdukën ose u rrëmbyen gjatë konfliktit të vitit 1999.

Sipas këtij raporti, Reporterët pa Kufij thonë se dekada e ardhshme është vendimtare për të ardhmen e gazetarisë.

“Me pandeminë COVID-19, përforcohet kriza që kërcënon të drejtën e raportimit të lirshëm, informacionit të pavarur, të larmishëm e të besueshëm”, thuhet në këtë raport, transmeton Telegrafi.

Ky botim i Indeksit për vitin 2020, i cili vlerëson situatën për gazetarët çdo vit në 180 vende dhe territore, sugjeron që dhjetë vitet e ardhshme do të jenë thelbësore për lirinë e shtypit për shkak të krizave që ndikojnë në të ardhmen e gazetarisë: krizës gjeopolitike, asas teknologjike, demokratike, një krize besimi, për shkak të dyshimit dhe madje edhe urrejtjes ndaj mediave dhe një krizë ekonomike.

“Ne po hyjmë në një dekadë vendimtare për gazetarinë të lidhur me krizat që prekin të ardhmen e saj,” tha sekretari i përgjithshëm i RSF, Christophe Deloire.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme