Kosova në gjendje të pafavorshme në agjendën e zgjerimit të BE-së

23:48 | 1 Shkurt 2018
M. A.

Të martën e ardhshme, Komisioni Evropian pritet të publikojë strategjinë për Ballkanin Perëndimor dhe afatet e mundshme të anëtarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Projekt dokumenti që është ende duke u diskutuar, me gjithë përfshirjen e të gjashtë vendeve të rajonit, parasheh që Serbia dhe Mali i Zi të hyjnë më parë se vendet e tjera në Bashkimin Evropian, ndoshta para vitit 2025.

Kosova ndërkaq përmendet në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që është kushti kryesor për Beogradin në përparimin e tij drejt Bashkimit Evropian. Viti që vjen parashihet si periudhë e përmbylljes së procesit të këtij normalizimi.

Njohës të çështjes së integrimeve thonë se Kosova ndodhet në një gjendje shumë të pafavorshme në raport me këtë strategji për shkak të mungesës së zhvillimit të brendshëm që ka të bëjë me reformat dhe nga mosnjohja e saj nga pesë vende të Bashkimit Evropian.

Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për studimin e politikave, Naim Rashiti tha për Zërin e Amerikës se Kosova në këtë strategji nuk ndodhet askund dhe kjo sipas tij do të pengojë për një kohë të gjatë integrimet evropiane.

​“Është shqetësuese sepse nuk përmenden reformat dhe pjesa tjetër që shteti duhet ta bëjë por kjo kryesisht ka të bëjë me kriteret politike dhe të cilat janë aq të mëdha sa që nuk kanë lënë hapësirë për rastin e Kosovës të flitet për kriteret tjera të reformave të rendit dhe ligjit dhe nuk përmendet agjenda e ERA një instrument që vet Komisionari (Johannes) Hahn dhe Bashkimi Evropian kanë investuar”, tha zoti Rashiti.

Ai thekson se një pjesë të fajit e ka edhe Bashkimi Evropian pasi që ka favorizuar Serbinë për shkak të ndikimit rus dhe sipas tij Kosova është viktimë e politikave globale. Ai thotë se megjithatë Kosova nuk i ka kryer detyrat e brendshme.

“Dështimin e brendshëm apo mungesën e konsolidimit të brendshëm asgjë nuk e arsyeton dhe ky është faji ekskluziv i politikës tonë, shoqërisë tonë dhe mënyrës se si kemi qeverisur”, tha zoti Rashiti.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se strategjia paraqet një pasqyrë reale për Kosovën për shkak të ngecjes në zbatimin e kritereve dhe reformave të nevojshme.

​“Kriteret për anëtarësim në Bashkim Evropian veç janë të qarta për të gjitha shtetet që synojnë të hyjnë në BE dhe Kosova ndonëse ka bërë hapa shumë të mirë sidomos në përafrimin e legjislacionit dhe përkthimin e tij, në aspektin politik dhe ekonomik vazhdon të mbetet shumë mbrapa sa i përket kritereve të BE-së madje edhe me çështje tjera konkrete që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve. Kosova viteve të fundit më shumë ka pasur fjalë se sa vepra konkrete drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha zoti Murati.

Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se gjatë këtij viti synojnë të kandidojnë për anëtarësim në Bashkim Evropian, një çështje kjo shumë e vështirë sipas njohësve të politikave integruese pasi që sipas tyre ky vit është i vështirë për shkak edhe të rritjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian pas nismës për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme.

Analistët thonë se kundërshtimi i Spanjës ndaj Kosovës nuk është i papritur dhe një çështje serioze që pritet t’i krijojë probleme vendit në integrime evropiane.

Rashiti thotë se zgjidhja e vetme për të tejkaluar këto kushtëzime nga vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën është anëtarësimi i saj në Kombet e Bashkuara. Dhe për këtë ai thotë se duhet të shfrytëzohen kushtet që i janë vënë Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Serbia duhet të zgjidhë të gjitha çështjet me Kosovën dhe Kosova duhet të shfrytëzojë këtë moment dhe të përmbyllë së paku një prej barrierave kryesore dhe krahas duhet të fokusohet në bërjen e shtetit dhe reformave. Shteti dhe institucionet janë të plogështa për të zbatuar reformat të cilat kërkohen në procesin e integrimit”, tha zoti Rashiti.

Kosova deri më tani ka përfituar marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por mbetet e fundit në proceset integruese në rajon. Ajo ka dështuar deri tash të përmbushë edhe një nga kriteret kryesore për përfshirjen në regjimin e udhëtimit pa viza, duke mos e ratifikuar një marrëveshje për shënimin e kufirit me Malin e Zi./VoA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme