Republika e Kosovës, vitin e ardhshëm pritet të jetë kryesuese e radhës së Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Evropën Qendrore, e njohur me shkurtesën, CEFTA.
Gjatë kryesimit të këtij mekanizmi ndërkombëtar do të përdoret vetëm emri Kosovë, pa akronimin “UNMIK- Kosovë”, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, duke shtuar se në takime nuk do të ketë as përfaqësues të Administratës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK.
Javë më parë, Prishtina zyrtare kishte ‘kërcënuar’ se do të tërhiqej nga CEFTA po që se vazhdon të prezantohet si UNMIK (që nënkupton një vend të administruar nga Kombet e Bashkuara).
Në vitin 2007, Kosova zyrtarisht ishte bërë anëtare e Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore.
Në atë kohë, Kosova ende nuk e kishte të zgjedhur statusin, andaj marrëveshja ishte nënshkruar nga shefi i atëhershëm i UNMK-ut, Joakym Ryker dhe që atëherë, ishte përfaqësuar me emrin e administratës së UNMIK-ut.
Ky mekanizëm është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim të thellimit të integrimit ekonomik me vendet e rajonit.
Sidoqoftë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ka kërkuar nga Përfaqësuesja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova, ndihmën e BE-së që të ndryshohet statusi i Kosovës në CEFTA.
Edhe ekspertë për çështje ekonomike dhe ish-zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, thonë se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, rrethanat politike kanë ndryshuar kështu që autoritete kompetente duhet të kryesojnë me këtë mekanizëm, si shtet i pavarur.
Gjatë fillimit të procesit të bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të zhvilluara nën lehtësimin e Bashkimit Evropian, autoritete kosovare kanë kërkuar nga BE- ja, që UNMIK-u të mos e përfaqësojë më Kosovën në CEFTA.
Flamur Keqa, ish-drejtor i Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë në vitin 2011, kur Kosova ka menaxhuar CEFTA -n, tha për Radion Evropa e Lirë se rrethanat politike sigurojnë që Kosova në këtë mekanizëm të paraqitet si shtet dhe jo si UNMIK.
“Vet shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe funksioni i shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku në shumicën apo në pjesën më të madhe të rasteve paraqitet si Republikë e Kosovës, tregon domosdoshmërinë që edhe në takimet e CEFTA –s, shteti i Kosovës të paraqitet si shtet, ashtu siç është njohur ndërkombëtarisht”, thotë Keqa.
Ndërkaq, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se tashmë Kosova si shtet i pavarur, ka strukturat e veta dhe politikat rreth CEFTA-s duhet t’i ndërmerr Qeveria e Kosovës.
“Mirëpo kjo ka mbetur si peng i një involvimi të Kombeve të Bashkuara, në kushtet kur Kosova ende nuk e ka një qartësi sa i përket statusit në raport më Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.
“Tashmë kjo si çështje është bërë më pak e rëndësishme, për shkak se Kosova e ka pranuar në qershor të këtij viti një plan të veprimit për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale. Tani në një formë edhe zbatimi i CEFTA-s është i lidhur me këtë hapësirë për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale, ku Kosova e ka statusin e barabartë me të gjitha vendet e rajonit”, thotë Rukiqi.
Ndryshe, sipas ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani përgatitjet për kryesimin e CEFTA-s tanimë kanë përfunduar. Rëndësia e kryesimit të këtij mekanizmi, sipas tij, është shumëdimensionale. Në radhë të parë, thekson ai, në dimensionin politik, Kosova do të ketë mundësinë që të dëshmojë aftësinë e saj në udhëheqjen e një mekanizmi rajonal dhe në promovimin e imazhit të saj.
Kurse në aspektin ekonomik, vijon Hasani, institucionet e Republikës së Kosovës do ta kenë mundësinë që të tregojnë përkushtim në përmbushjen e aktiviteteve në kuadër të Zonës Ekonomike Rajonale, iniciativë e aprovuar nga kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor./REL
Prishtina synon ta mbyll ‘vjeshtën’ me fitore ndaj Malishevë...
Kurti sonte organizon pritje të posaçme për mërgatën
Xheneta i hidhet në përqafim Vullnetit në sy të Gjestit
Sulmi në tregun e Magdeburgut, Arabia Saudite kishte paralaj...
Së paku 16 të lënduar pasi një raketë e hedhur prej Jemenit ...
Kosova e Shqipëria nënshkruajnë Marrëveshje për Sigurinë Ush...