Google ADS

Kosova në borxh rreth një miliard euro

12:05 | 7 Prill 2018
V. S.

Borxhi publik i Republikës së Kosovës, vit pas viti po shënon rritje. Sipas të dhënave zyrtare, deri në shtator të vitit të kaluar borxhi i përgjithshëm ka arritur në rreth një miliard euro, raporton Radio Evropa e Lirë.

Nga kjo vlerë, 426 milionë euro llogaritet borxhi i jashtëm, kurse borxhi i brendshëm ka arritur rreth 540 milionë euro.

Po sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës në vitin 2016, borxhi i përgjithshëm i shtetit ishte 852.7 milionë euro, ndërsa në vitin 2015ka qenë rreth 750 milionë euro.

Kosova borxh të jashtëm më së shumti i ka Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi 233 milionë euro, Bankës Botërore rreth 200 milionë euro.

Pavarësisht rritjes së shumës së borxhit, ai vlerësohet më i ulëti në rajon. Shprehur në përqindje, borxhi i Kosovës paraqitet 15.8 për qind e Bruto Produktit Vendor.

Serbia dhe Shqipëria radhiten në vendin e parë sa i përket përqindjes më të lartë të borxhit me mbi 70 për qind të Bruto Produktit Vendor, pasuar nga Mali i Zi me mbi 60 për qind, dhe Bosnja dhe Hercegovina me mbi 40 për qind.

Borxhi i përgjithshëm është tërësia e borxhit shtetëror dhe komunal. Ky borxh merret në emër të institucioneve qendrore qeveritare, të cilin Republika e Kosovës është e obliguar ta paguajë.

Se Kosova ka nivel të ulët të borxhit, thonë edhe anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës.

Safete Hadërgjonaj, zëvendëskryetare në këtë komision, thotë për Radion Evropa e Lirë, se borxhi aktual nuk sjell ndonjë rrezik të mundshëm dhe ende Kosova është larg kufijve të lejimit të hyrjes së borxheve.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm në hapa të mëtutjeshëm që të mos shkojmë në rritje të pakontrolluar të borxhit publik, në mënyrë që t’i kalojmë kufijtë e përcaktuar në raport me Bruto Produktin Vendor. Për momentin, nuk jemi të rrezikuar për shkak se kemi nivel të ulët të borxhit publik”, thotë Hadërgjonaj.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, borxhi publik i ka anët e veta pozitive kur ai përdoret për destinacion të duhur, porse mund të ketë efekte shkatërruese për ekonominë e një vendi kur borxhi shfrytëzohet në projekte të gabuara

Flamur Keqa, ekspert për çështje financiare, thotë për Radion Evropa e Lirë, se niveli i borxhit nuk është i lartë, mirëpo, sipas tij, duhet pasur kujdes, sepse vit pas viti po vërehet rritje e theksuar e borxhit.

“Megjithatë, ky borxh kryesisht po shërben për të mbuluar deficitin buxhetor, që mund të ketë një aspekt negativ, sepse një shtet kur hyn në borxh duhet të jetë mirë, që mjetet e borxhit të destinohen për investime, të cilat gjenerojnë mjete shtetesh”, shprehet Keqa.

Edhe Menderes Ibra, ekspert për çështje ekonomike, vlerëson se Kosova qëndron mirë sa i përket nivelit të borxhit të përgjithshëm. Sipas Ibrës, më me rëndësi se sa niveli i borxhit, është mënyra e shpenzimit të tij.

“Sa është efektiviteti i shpenzimit të borxhit publik? Dhe, nëse borxhi publik i Kosovës shfrytëzohet për projekte të rëndësishme, të cilat ndikojnë me gjenerimin e vendeve të punës dhe me rritjen ekonomike, atëherë është normale që mos të jetë shqetësim”, vlerëson Ibra.

Edhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian është thënë se Kosova ka një nivel relativisht të ulët të borxhit publik dhe nuk paraqitet ndonjë shkak për shqetësim.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, thonë se Kosova ka hapësirë për marrjen e borxheve, por shprehen se autoritetet kompetente duhet të kenë projekte që gjenerojnë mjete materiale.

Flamur Keqa, thotë se borxhet duhet të shpenzohen në projekte që gjenerojnë vende të reja të punës:

“Është detyrë dhe përgjegjësi e Qeverisë që të gjejë modalitete, forma apo projekte që është më i kapshëm që mund të gjenerojë vende të reja të punës”.

Ndërkaq, Menderes Ibra shpreson se investimi nga borxhet publike, do të ndikojë në zhvillimin ekonomik.

“Kohëve të fundit jam informuar se janë ratifikuar disa marrëveshje financiare ndërkombëtare për investime kapitale, të cilat pritet të kenë një impakt në zhvillim ekonomik”.

Ndryshe, sipas Ministrisë së Financave, projektet që financohen nga huamarrja ndërkombëtare, u takojnë sektorëve të ndryshëm dhe kryesisht lidhen me projekte prioritare qeveritare siç janë projektet infrastrukturore, ujërat e zeza, furnizimi me ujë, shëndetësi, bujqësi etj.

“Ndërsa, mjetet nga huamarrja e brendshme dedikohen për mbështetje buxhetore drejt mbulimit të deficitit buxhetor”, ka thënë Muharrem Shahini drejtor i Zyrës për Komunikim Publik në Ministrinë e Financave.

Sipas Ligjit për Borxhet Publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë dyzet për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).

Në rast se borxhi i përgjithshëm e tejkalon këtë përqindje të Bruto Produktit Vendor, atëherë Qeveria duhet t’i paraqesë Kuvendit strategjinë për të kthyer Borxhin e Përgjithshëm nën pragun dyzet për qind./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme