Në rrugën drejt Bashkimit Evropian, Kosova mbetet në vendnumërim. Ajo ka të nënshkruar vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. E ardhmja evropiane i është konfirmuar disa herë, por rezultate të vërejtshme në praktikë nuk ka pasur.
“Rrugën e Kosovës drejt Evropës e ka penguar më së shumti korrupsioni dhe nepotizmi në punësime. Po të mos ishte hajnia, Kosova do të mund të përparonte dyfish më shumë”, thotë Osman Maliqi, një qytetar nga Prishtina.
Nëse vazhdohet kështu, shton ai, Kosova mund të anëtarësohet në BE “në vitin 2050”.
Hysen Ramabaja, nga qyteti i Kamenicës, mendon më ndryshe. Thotë se lufta e Rusisë në Ukrainë ka krijuar situatë të re dhe, sipas tij, është në interes të fuqive perëndimore t’i integrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Kosova është në një moment të ri, për shkak të pozitës gjeostrategjike dhe interesave të BE-së dhe SHBA-së… Nuk ka ku të shkojë [BE-ja] pa e integruar edhe Ballkanin Perëndimor”, thotë Ramabaja.
Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane dhe mbështetje për realizimin e reformave gati qe dy dekada.
Në një samit të mbajtur në vitin 2003 në Selanik të Greqisë, shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën është thënë: “E ardhmja e Ballkanit është brenda BE-së”.
Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.
Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të këtij viti i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në.
Kjo marrëveshje kontraktuale – e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian – është nënshkruar në vitin 2014, ndërsa ka hyrë në fuqi më 2016.
Ndryshe nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e vetmja që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.
Konfirmimi i së ardhmes evropiane
Në vitin 2005, Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar të ardhmen evropiane të Kosovës, edhe pse nuk e ka pasur të zgjidhur statusin.
Më 2009, një vit pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës i është konfirmuar sërish e ardhmja evropiane dhe, në vitin 2012, Komisioni Evropian ka nisur dialogun për liberalizim të vizave me Kosovën.
Kosovës i janë vendosur dhjetëra kritere, edhe shtesë, të cilat, sipas të dyja palëve, janë plotësuar. Megjithatë, nga viti 2018, shtetet e BE-së nuk kanë arritur pajtim për t’iu mundësuar kosovarëve lëvizje të lirë.
Rezerva të mëdha kanë shprehur sidomos Franca dhe Holanda.
BE: Kosova po tregon përkushtim
Në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë nuk japin ndonjë vlerësim për efikasitetin e Kosovës në zbatimin e MSA-së, por thonë se ka treguar përkushtim në përmbushjen e obligimeve.
“Kosova, vazhdimisht, ka shprehur përkushtimin e saj për procesin e integrimit evropian. Kjo i referohet si publikut (sipas rezultateve të sondazheve të opinionit publik) dhe institucioneve, ashtu edhe sektorit tregtar, për të cilin BE-ja është partneri më i madh. Puna për reformat e nevojshme është duke vazhduar”, thuhet në deklaratën e Zyrës së BE-së në Kosovë, dhënë Radios Evropa e Lirë.
Por, organizatat që monitorojnë zbatimin MSA-së, thonë se institucionet e Kosovës kanë ngecur në përmbushjen e objektivave që përcakton kjo marrëveshje.
Njomëza Arifi, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë, thotë se Kosova mezi ka arritur të zbatojë gjysmën e tyre.
“MSA-ja, praktikisht, është një dokument që ndahet në tre kapituj: qeverisje e mirë dhe sundim i ligjit, edukim-arsim, si dhe zhvillim ekonomik. Secili nga këta kapituj ka objektiva që duhen përmbushur në baza vjetore. Por, shumica e objektivave nuk përmbushen as 50 për qind, për shkak të mungesës së vullnetit, si dhe mungesës së koordinimit ndërinstitucional”, thotë Arifi për REL-in.
Optimizëm në Qeveri
Më optimistë për rrugën evropiane të Kosovës janë zyrtarët qeveritarë.
Mehdi Sejdiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit të parë për integrim evropian, Besnik Bislimi, thotë se Kosova nuk qëndron shumë pas rajonit në raport me proceset integruese.
Sejdiu thotë se MSA-ja është duke u zbatuar dhe se institucionet janë të përqendruara në zbatimin e agjendës evropiane.
Sipas tij, Kosova do të aplikojë zyrtarisht për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian gjatë këtij viti, pasi, siç thotë, nuk ka asnjë kusht shtesë për ta kryer këtë proces.
“Ne nuk kemi ndonjë kusht të caktuar para aplikimit. Aplikimi mund të bëhet menjëherë. Normalisht se ky është vetëm fillimi i procesit, ndërsa proceset e tjera që ndodhin pas aplikimit, siç është marrja e pyetësorit, plotësimi i pyetësorit, pastaj vendimet e tjera nëpër strukturat e BE-së, janë ato që kërkojnë kohën e tyre”, thotë Sejdiu.
Por, përveç kritereve teknike, Komisioni Evropian ka thënë se përparimi i Kosovës në BE varet edhe nga dialogu i saj me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.
Të dyja vendet janë duke zhvilluara negociata qysh nga viti 2011. Pavarësisht dhjetëra marrëveshjeve të arritura, shumica nuk zbatohen në terren.
Çka pas aplikimit?
Anëtarësimi i shteteve në BE është një proces tejet kompleks dhe me vite i gjatë.
Për të mbërritur atje, duhen bërë disa hapa dhe kaluar disa faza, si: kërkesa për anëtarësim në BE, rekomandimi për statusin e kandidatit, statusi i kandidatit, nisja e negociatave për anëtarësim, përfundimi i negociatave dhe ratifikimi i traktatit të anëtarësimit.
Shqipëria
Shqipëria ka paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE në vitin 2009.
Në vitin 2010, asaj i është hequr regjimi i vizave.
Komisioni Evropian, në vitin 2010, ka vlerësuar se para negociatave të anëtarësimit, ky vend duhet t’i përmbushë disa kritere.
Në vitin 2012, KE-ja ka rekomanduar që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat.
Në qershor të 2014-ës, Shqipërisë i është dhënë statusi i vendit kandidat.
Në korrik të vitit 2022 është mbajtur konferenca ndërqeveritare midis BE-së dhe Shqipërisë, që ka shënuar hapjen formale të negociatave ndërmjet tyre.
Maqedonia e Veriut
Në vitin 2004, Maqedonia e Veriut ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE. Po këtë vit ka hyrë në fuqi MSA-ja ndërmjet saj dhe BE-së.
Në vitin 2005, asaj i është dhënë statusi i vendit kandidat.
Në vitin 2009 është rekomanduar hapja e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Më 2009, vendit i janë hequr edhe vizat.
Në korrik të këtij viti është mbajtur konferenca ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.
Serbia
Serbia ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE në vitin 2009. Po atë vit, asaj i janë hequr vizat.
Në mars të vitit 2012, Serbisë i është dhënë statusi i kandidatit.
Në vitin 2013, ajo ka nisur negociatat për anëtarësim në BE. Deri më tani, Serbia ka hapur tetëmbëdhjetë kapituj, nga 35 në total, dhe ka mbyllur përkohësisht dy kapituj.
Mali i Zi
Në vitin 2008, Mali i Zi ka aplikuar për anëtarësim në BE, ndërsa një vit më vonë, BE-ja ia ka hequr vizat.
Në vitin 2010, Komisioni Evropian ka lëshuar një opinion të favorshëm për aplikimin e Malit të Zi, duke identifikuar prioritetet që do të duhej t’i adresonte. Po atë vit i është dhënë statusi i vendit kandidat.
Negociatat për anëtarësim në BE i ka nisur më 2012. Deri më tash ka hapur 33 kapituj, nga të cilët tre janë mbyllur përkohësisht.
Bosnje dhe Hercegovina
Bosnje e Hercegovinës i janë hequr vizat më 2010.
Marrëveshja e saj e Stabilizim-Asociimit me BE-në është ratifikuar dhe ka hyrë në fuqi më 2015.
Bosnje dhe Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim në BE në shkurt të vitit 2016.
KE-ja ka miratuar Opinionin për aplikimin e Bosnjës në maj të vitit 2019, duke identifikuar prioritetet kryesore që vendi duhet t’i përmbushë në funksion të hapjes së negociatave të pranimit në BE.
Opinioni përfshin një udhërrëfyes për reforma në fushat e demokracisë/funksionalitetit, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe administratës publike.
Se si dhe me çfarë ritmi do të vazhdojë rrugëtimi tutje i vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbetet të shihet. Së voni, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka propozuar krijimin e një “komuniteti politik evropian” që, sipas tij, do të mund të ishte i hapur për shtetet që nuk janë ende pjesë e BE-së.
Ideja ka gjetur edhe mbështetje, edhe kritika.
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...
Bernabeu iu përul legjendës: Një lamtumirë madhështore për d...
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...