Kosova me plan B për ushtrinë por jo edhe me Islandën

14:55 | 26 Mars 2017
Arbresh.info

Java në Kosovë filloi dhe përfundoi me sport, pasi përfaqësuesja e Kosovës luante me Islandën. E derisa Presidenti Thaçi vazhdoi me insistimin se ushtria e Kosovës do të bëhet, përfaqësuesit e familjeve të personave të pagjetur i bën për pesë pare deputetët.

E hëna filloi me prezantimin e lojtarëve të përfaqësueses së Kosovës kundër Islandës. Ishte Albert Bunjaki, ai që ishte i bindur se Kosova do të ketë paraqitje të mirë në përballje me Islandën.

Bunjaki: Kemi Kombëtaren më të re

“Është loja e pestë loja më Islandën. Faktikisht kemi filluar gradualisht të krijojmë një eksperiencë prej vitit 2008-2009 kur kemi filluar rrugën tonë. Kemi pasur një seleksionim të lojtarëve, 300 lojtarë dhe prej atyre 300 lojtarëve kemi krijuar një bazë prej 15 lojtarëve të cilët na u kanë bashkangjitur në shtator, ndërsa prej shtatorit deri më sot kemi arritur t’i ofrojmë edhe 18 lojtarë të rinj. Është krijuar një grup i lojtarëve, më një moshë mesatare 22-23 vjeç që është një kombëtare më e reja në botë, mirëpo më një gjatësi 1.85 cm që është solide për një kombëtare ndërkombëtare nëse e krahasojmë më atë të Islandës 1.85”, ka thënë Bunjaki.

Kurse, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ripërtëri transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Thaçi: Transformimi i FSK do të zgjatë me vite të tëra

“Transformimi i FSK nuk është një produkt që bëhet për një ditë apo me një ligj, ky është një proces që do të zgjatë me vite të tëra. Ne po flasim për një fillim të një procesi gjithëpërfshirës, gradual, dhe të kujdesshëm, nuk kemi para për të shpenzuar kot, as kohë nuk kemi për të shpenzuar, sepse tepër kemi shpenzuar, andaj, duhet të lëvizim përpara dhe jam i bindur që me ndihmën e SHBA-ve dhe NATO-së do të lëvizim për para”, theksoi Thaçi.

Thaçi: Nëse Lista serbe nuk e voton ushtrinë, ne lëvizim me planin B

“Natyrisht se bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtroj një presion pozitiv në Beogradin zyrtar që mos e frenoj perspektivën e Kosovës dhe që të nxjerr këshillat e duhura për Listën Serbe të Kosovës që mos të jetë pjesë e projektit apo nxitjes së projektit për bojkot, por të jetë pjesë e angazhimeve për votim në Kuvendin e Republikës se Kosovës. Ne e ndajmë të njëjtin qëllim dhe vizion më SHBA-të dhe me NATO për themelimin e Forcave të Armatosur atë Kosovës. Natyrisht se ka opione se a duhet të lëvizet me ligj apo përmes ndryshimeve kushtetuese, edhe ne favorizojmë ndryshimet kushtetuese, por nuk do të mbesim peng të disponimit të Beogradit, nëse kjo e fundit nuk ndikon në kuptimin pozitiv te lista serbe, ne do të lëvizim me planin B… Të gjithë atë që e kam deklaruar qëndrojë 100 përqind”, deklaroi Thaçi.

Ndërsa, Posta e Kosovës, të martën Posta e Kosovës ka promovuar pullën postare në nderim të gjeneral Xheladin Gashi-Plaku.

Drejtori ekzekutiv i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha tha se Plaku ishte një personalitet me guxim e atdhetar.

Hoxha: Xheladin Gashi tërë jetën ia kushtoj çështjes kombëtare

“Përmes imazheve dhe pullave postare, filatelia e Postës së Kosovës ka për qëllim të promovojë edhe vlerat kombëtare e historike të Republikës së Kosovës, të kujtojë veprën dhe sakrificën e atyre që kontribuuan më së shumti për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Pa dyshim se njëri nga ta është Xheladin Gashi i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare. Rezistenca kundër regjimit serb filloi kur u bë pjesë e lëvizjes ilegale, edhe si mësimdhënës u përkujdes që të mbjell frymën e atdhedashurisë tek të gjithë nxënësit e tij, që shumica nga ata u bënë edhe ushtarë të tij më vonë”, tha Hoxha.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Kadri Veseli theksoi se Plaku ishte njëri nga njerëzit më kontributdhënës për rritjen dhe masivizimin e UÇK-së. Veseli tha se sot është ditë e veçantë për Kosovës dhe se Plaku është shpallur hero i Kosovës me plot të drejtë sepse ai vërtetë ishte dhe është hero i Kosovës.

Veseli: Plaku, është heroi i Kosovës, lirisë së Kosovës

“Ai ishte një njeri i madh. Ata të cilët e njohin, e dinë këtë çfarë po flas, për vet faktin se ishte i pandalshëm. E quanim Plak, jo pse ishte plak, por e quanim Plaku për shkak vet përvojës dhe urtësisë që kishte në veprim. Por në të njëjtën kohë edhe një veprim rinor i cili ishte i pashembullt. Po flas për ato vite të rënda të viteve nëntëdhjeta të cilën e karakterizon vetëm një personalitet arsimdashës dhe atdhetar siç ishte Xheladin Gashi. Sot kjo është një ditë e veçantë për Kosovën, institucionet e kanë shpallur hero të Kosovës me plotë të drejt për arsye se ky është heroi i Kosovës, lirisë së Kosovës”, theksoi Veseli.

Në emër të bashkëluftëtarëve dhe bashkëveprimtarëve foli, Nait Hasani, i cili tha se Plaku ishte mësues, ideator e atdhetar. Hasani tha se Plaku ishte ai që u jepte guxim, vullnet për të ecur përpara me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Hasani: Plaku u jepte frymëzim veprimeve të UÇK-së

“Me Plakun na ka njohur koha, vitet e nëntëdhjeta dhe uniforma. Për të arritur ta njohësh Plakun, së pari është mësues, është ideator, është ideolog, është këshilltar, është njeri i fjalës. Ai ka qenë për nga mosha më i vjetër se ne, por asnjëherë nuk na ka lënë ta qesim hapin para tij, ne nuk mund ta qitnim hapin ku e qitke ai, prandaj Plaku ishte ai njeri që na ipte frymëzim, vullnet, guxim në veprimet tona të UÇK-së. Ai ka sakrifikuar familjen, ka pasur guximin që të jetë pjesë edhe shtëpisë së Adem Jasharit, ka jetuar në atë familje, i ka lidhur ideali, veprimtaria dhe i ka lidhur liria. Kjo tregon se ideali ynë ka qenë më i lartë se sa qenia jonë”, tha Hasani.

Në emër të familjes së Plakut të pranishmit i përshëndeti djali i heroit, Arsim Gashi, i cili tha se me promovimin e kësaj pulle postare po nderohet lufta çlirimtare e UÇK-së.

Gashi: Me këtë pullë postare po nderoni UÇK-në dhe luftën e saj

“Ju falënderojmë për pjesëmarrje dhe duke falënderuar Postën e Kosovës me në krye Sejdi Hoxha me emetimin e pullës postare me portretin e babait po nderon përjetësisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj për liri dhe pavarësi”, tha Gashi.

Po në të njëjtën ditë, përfaqësuesja e Kosovës në futboll, mbajti seancën e parë në prag të ndeshjes me Islandën.

Besart Berisha: Puna ime janë golat

“Stërvitja e parë ishte e mirë. Për mua është shumë më rëndësi pak më lëviz topin mes neve lojtarëve dhe me u njoftua pak edhe në fushë, por për herë të parë shumë mirë. Ajo është puna ime. Duhet të shënoja gola. Besoj është një grup shumë i mirë, mentalitetet shumë të mirë, disiplinë e mirë dhe me kanë pritur shumë mirë dhe nuk besoj se do të kem probleme dhe janë shumë lojtarë të talentuar dhe unë jam shumë i kënaqur deri tash. Normal pse jo. Ne luajmë futboll për ta fituar ndeshjen dhe besoj se kështu do të paraqitem, por normal se duhet të luajmë edhe prapa edhe përpara dhe të jemi kompakt, sidomos më Islandën, sepse ata anë një skuadër fizike”, ka thënë Berisha.

Ujkani: Jemi duke u rritur

“Me Islandën ka më qenë një ndeshje shumë e vështirë, sepse ata janë shumë të organizuar, kanë goditje standarde shumë të mirë, por besoj se ne duhet të shkojmë të luajmë, jemi duke u rritur, jemi treguar futboll, dhe në aspektin e lojës jemi duke shkuar në rrugë të mbarë dhe besoj se do të arrijmë një rezultat pozitiv”, tha ai.

Valon Berisha: Do të provojmë ta qojmë topin në rrjetë

“Ishalla, ishalla. Një lojë e vështirë do të jetë, veç mundësitë për ta fituar lojën janë atyre. Duhet ta analizojmë lojën, Islanda është ekip i fortë në organizim, shumë luftarak dhe mendoj se kush do ta ketë organizimin më të mirë do ta fitojë ndeshjen. Do të provojmë ta qojmë topin në gol, ishalla”, ka pohuar Berisha.

Milot Rashica: Do ta japim maksimumin

“Premtojmë se do të japim maksimumin, kemi edhe dy ditë kohë të përgatitemi dhe ta japim maksimumin në ndeshje, pse jo edhe ta fitojmë. Për momentin jam në formë të mirë dhe shpresoj së do të vazhdojmë më formën e mirë edhe me Kosovën. Normal të gjithë e dimë se çfarë sulmuesi është dhe do të na ndihmon shumë neve”, ka theksuar Rashica.

E Dardan Molliqaj, ka prezantuar rezultatet e sondazheve të fundit të opinionit publik në lidhje me zgjedhjet e mundshme, ku Lëvizja Vetëvendosje është përzgjedhur nga qytetarët si subjekti i parë politik në Kosovë me 26 përqind.

Molliqaj: Nuk do të bashkëqeverisim me PDK-në

“Për shkak se edhe qëndrimet tona por edhe rruga e jonë që e kemi bërë si subjekt dallon goxha shumë me të tjerët. Por mendoj që ne duhet me ndërtua Qeverinë nëse VV-ja del e para. Ajo duhet mu bazua në dy kritere ato duhet të jenë me përzgjedh subjektin i cili i ka bërë më së paku dëm Kosovës . Jo pse është më i miri po ndoshta që ka pasur mundësi me bërë më pak dëme dhe e dyta subjektin që mundesh më së lehti me bashkëqeverisje…Ajo që është qartë për neve është që PDK njëherë duhet të jetë në opozitë. nuk ka kuptim që i gjithë ky ndryshim të ndodh dhe krejt këta votues që e votojnë VV ti me u kthye e me bërë koalicion me subjektin i cili ka qenë që 10 vite në Qeveri….Për një mandat qeverisës PDK është e përjashtuar në kuptimin e mundësisë për me forum institucione…PDK nuk do të jetë pjesë e as diskutimeve e as e në kuptimin e koalicionit të mu ndeshem qeveritar”, tha Molliqaj.

Përfaqësuesit e familjeve të personave të pagjetur të mërkurën e kanë quajtur diskriminues ligjin për persona të pagjetur, duke kërkuar ndryshimin e tij nga fillimi deri në fund.

Gjatë diskutimit për ndryshimin e Ligjit për Persona të pagjetur në Komisionin për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, përfaqësuesi i familjarëve nga Mitrovica, Bajram Qerkini tha se ky ligj që nga fillimi ka qenë për ta diskriminues, prandaj edhe nuk pati asnjë fjalë për t’iu thënë faleminderit deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Qerkini: Nga fillimi deri në fund ligji na diskriminon

“Nuk dua t’i numëroj numrat, se ju keni qejf më i numëru nenet, edhe me ja nisë prej këtij ligji, neni, 1 e 2 e 3, por unë po them prej emrit të pagjetur e deri të pika e fundit marrë s’ka për neve. Ju keni me qitë marrë, atëherë kur nuk ekziston asnjë familjar që ka nevojë t’i kompensojë, sepse nuk e keni as vullnetin politik, as vullnetin njerëzor, s’e kanë pasur ata para teje zonjë, as sot ti, sidomos mirëqenia sociale, të gjendet një njeri pa kurrfarë informate me ia ndalë gjysmën e bukës. Unë veç në burg kur kam qenë na kanë thënë gjashtë vet keni me nda një bukë edhe në ushtri tetë vet e kemi ndarë një bukë, veç ata kanë menduar ashtu edhe sot po mendohet për këtë kategori, mirëqenia sociale na ka bërë kështu”, shtoi Qerkini.

Ndërsa, kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nysrete Kumnova tha se kategoria e familjeve të personave të pagjetur është e ndjeshme dhe këtë po e bën edhe me të vështirë diskriminimi që po ua bënë ligji aktual.

Kumnova: E dhimbshme kushtëzimi i këtyre familjeve

“Përmes kësaj shkrese paraqes kërkesën e familjarëve që u takon e drejta për pension në emër të viktimave civile të luftës dhe të cilët pasi kanë mbushur 65 vite moshë u është bërë kushtëzim nga qeveria që të zgjedhin njërin nga pensionet. Në fakt nëse ka qenë në marrëdhënie pune nuk u takon pensioni i punës, janë të detyruar që nga njëra pagesë të heqin dorë. Kjo është shumë e dhimbshme, edhe vet jam para pensionit, 14 vjeçe kam hi në punë, paramendo me ta ndalu djersën që kemi qenë të parritur kemi derdhur djersën për një kontribut të pleqërisë”, tha Kumnova.

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki të enjten, një ditë para sfidës me Islandën, ka thënë se përballja me islandezët do të jetë e vështirë, por ai beson se skuadra e tij mund të marrë rezultat pozitiv.

Bunjaki: S’jemi larg fitores së parë

“Pas tri ushtrimeve është ofruar koha për lojë. Kemi një atmosferë të mirë, kemi pas një stërvitje në Kosovë dhe dy në Shqipëri. E dimë që do të ballafaqohem me çerekfinalistët e Kampionatit Evropian, presim një skuadër më një lojë më ndryshe nga takimet e mëhershme. Nuk mendoj se kemi nevojë për prezantim më thellë, sepse është një skuadër kompakte, solid. Për ne do të jetë shumë interesante, sepse nuk kemi pas rast të ballafaqohem më një kundërshtar të tillë, por edhe Kosova ka fituar eksperiencë. Gjithë lojtarët janë mirë në raport me lëndime, natyrisht se jemi në pritje të vendimit për Donis Avdjaja, sonte ose nesër marrim vendimin. Pres një lojë fizike, një lojë që do të ketë shumë duele, një lojë me tempo të lartë. Normalisht, se favorit është Islanda duke pasur parasysh përvojën e tyre dhe lojën që kanë bërë, por do të jetë një lojë shumë e rëndësishme për një kombëtare në vendi n e dytë. Edhe Kosova prej lojërave ka filluar të rritet, dhe nuk mendoj se jemi shumë larg befasisë dhe jemi afër barazimit dhe fitores. Shpresoj dhe besoj se do të kem edhe fat ku nuk kemi pas në dy takimet e fundit”, ka thënë Bunjaki.

Po të enjten, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ripërsëritur se formimi i Ushtrisë së Kosovës është në binarë dhe se do të ndodhë tani, ndërsa shpreh besimin e plotë se Qeveria e Kosovës do ta procedojë projektligjin në Kuvend dhe se këtu nuk sheh ndonjë problem procedural.

Thaçi: Kam besim të plotë që Qeveria do ta procedojë projektligjin për ushtrinë

“Procesi i themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës ka filluar, është në rrugë të drejtë, është në binar, është një proces i saktë i proceduar me kohë, do të ndodhë në një periudhë të caktuar kohore që është e përcaktuar me kthimin e opinionit nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në një periudhë 30 ditëshe. Tani është edhe më lehtë për arsye se edhe Ministria e Integrimeve edhe e Financave, edhe e FSK-së, kanë dërguar opinionet e tyre pozitive. Unë kam besim të plotë që Qeveria do ta procedojë, prandaj nuk shoh ndonjë problematikë apo telashe në këtë proces procedural, por as përmbajtjesor të iniciativës që e kam iniciuar si president i vendit për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, tha Thaçi në promovimin e Klubit të bizneseve frankofone në Prishtinë.

Thaçi: Nëse serbët vazhdojnë bojkotin, ne do të vazhdojmë sipas projektligjit

“Ne jemi shumë në favor të ndryshimeve kushtetuese dhe do të vazhdojmë debatin edhe me serbët, edhe me shoqërinë civile edhe me mediat dhe me gjithë spektrin politik dhe shoqëror të Republikës së Kosovës, por do të vazhdojmë të punojmë paralelisht edhe në procesin e projektligjit, dhe nëse me të vërtetë do të vonohen serbët, atëherë ne do të vazhdojmë sipas projektligjit. Është me rëndësi që është ndërtuar një konsensus i gjerë shoqëror, qytetar, politik dhe institucional si kurrë ndonjëherë më parë, prandaj është një proces i pandalshëm, i pakthyeshëm dhe do të ndodhë tani”, tha presidenti Thaçi.

Kurse, të premten Thaçi foli për zgjedhjet serbe në Kosovë.

Thaçi: Vendimi për zgjedhjet serbe në Kosovë sipas Kushtetutës

“Është një paradoks që përderisa vet serbët e Kosovës bojkotojnë institucionet, tash kemi një rrethanë të mundësisë për organizimin e zgjedhjeve apo kërkesës për organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Përgjigjen për këtë do ta dhënë institucionet në mënyrë unike në ditët e ardhshme dhe në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, por, çdo vendim do të jetë i bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës …që do të thotë se do të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, tha Thaçi.

Po në të njëjtën ditë është shënuar Epopeja e Dukagjinit, ku prijësit e shoqatave të luftës dhe kryetari i Komunës së Deçanit, kërkuan lirimin Haradinajt, i cili po mbahet padrejtësisht në Francë.

Selmanaj: Ramushi kishte mbrojtur pastërtinë e luftës

“Sot kur po kujtojmë dëshmorët Dukagjinit, e gjithë Kosovës, sigurisht se askush prej nesh as një herë s’e ka menduar që pas Gjykatës së Hagës, ku Ramushi kishte mbrojtur pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të UÇK-së, protagonisti kryesor i saj do të mungojë fizikisht në këtë ngjarje, shkaku i një padrejtësie krejtësisht të pa pritur dhe krejtësisht të pa kuptimtë ndaj tij dhe ndaj luftës sonë për liri”, theksoi Selmanaj.

Mushkolaj: Familja Haradinaj dhe luftëtarë të tjerë i rezistuan forcave serbe

“19 vjet më parë, kur forcat pushtuese serbe me arsenalin e rënë luftarak sulmuan nga të gjitha anët familjen Haradinaj në Gllogjan me qëllim që t’i vrasin e t’i masakrojnë me robë e fëmijë dhe me këtë të shuajnë vatrën e kryengritjes që po pritej të shpërthente dhe t’u jepej mësim të gjithë shqiptarëve, që vendosin t’u kundërvihen okupimit barabar serb ndodhi mrekullia. Betaja e 24 marsit ishte ndër betejat vendimtare që zhvilloi luftën për liri populli shqiptarë, në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sot në këtë datë të shënuar nga vendlindja e komandantit Ramush Haradinaj përsërisim kërkesën e qindra e mijëra shqiptarë anë e mbanë botës, drejtuar autoriteteve franceze dhe botës demokratike, ne nuk pajtohemi me padrejtësi. Nuk po kërkojmë mëshirë, por kërkojmë drejtësi dhe lirim të pa kusht të heroit tonë të gjallë, Ramush Haradinaj”, deklaroi Mushkolaj.

Princi Leka: Jemi të bashkuar me shpresën për një unitet shqiptarë

“Motra dhe vëllezër shqiptarë, jemi këtu për të respektuar dhe të nderuar gjithë ato familje, të gjithë ata dëshmorë, që kanë luftuar për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Dhe jemi të bashkuar të urojmë kthimin sa më të shpejt të heroit tonë kombëtar, Ramush Haradianj. Ne shqiptarët jemi të bashkuar me shpresën tonë, që në të ardhmen, Shqipëria dhe Kosova dhe trojet etnike kombëtare të jenë të bashkuara, me dashuri dhe liri për një unitet kombëtar dhe stabilitet në rajon”, deklaroi Princi Leka Zogu i Dytë.

Haradinaj: Kemi shënuar plotë Epopeja pa Ramushin

“Është e vërtet se kemi shënuar plotë marse pa Ramushin, por mendoj se ky mars e dëshmon më së miri se sa të bashkuar jemi dhe sa përkrahje ka lufta e drejtë e jona, të cilën në Dukagjin e udhëhoqi Ramushi. Po shoh Luginën e Preshevës këtu, po shoh Shqipërinë, po shoh veteranë prej të gjitha anëve që kanë ardhur me na nderuar, e unë nuk dua me zgjatë më shumë, por çka të kërkon Serbia këtu, ka me na gjetur sa herë të donë të bashkuar, të vendosur, sepse Serbia dhe aleatët e saj duhet me ditur që kur shqiptarët bashkohen, s’ka zot që i ndal në rrugën e vet dhe në qëllimin e vet”, deklaroi Berisha.

E mbrëmja e së premtes ishte nuk ishte e mirë për përfaqësuesen e Kosovës në futboll dhe tifozët. Ata humben nga Islanda, kurse, pas ndeshjes trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, në një konferencë për media, tha se e kanë ditur se do të jetë një lojë e vështirë dhe ishin të përgatitur për shumë duele, por theksoi se kjo ishte loja më e mirë e Kosovës.

Bunjaki: Kemi kërkuar me çdo kusht barazim

“Në pjesën e dytë kemi kërkuar me çdo kusht barazim të rezultatit. Nuk e di a ka qenë penallti, apo nuk ka qenë, por unë mendoj se ka qenë penallti, mirëpo e kemi diskutuar në pjesën e parë se nëse shënojmë një gol, do të na jepte energji. Personalisht mendoj se kjo ishte loja jonë më mira nga këto pesë lojë që i kemi luajtur”, tha Bunjaki dhe shtoi se gjatë lojës iu deshtë të bëjë tre zëvendësime.

Ai theksoi se pas lojës kreative, tani kanë filluar edhe me lojën kolektive, por duhet ta kuptojnë se në ndeshje të tilla, nuk ka shumë raste për të shënuar, raporton KosovaPress.

Bunjaki: Kemi futur edhe lojën kolektive

“Mendoj se pas asaj loje kreative, tash kemi futur edhe lojën kolektive. Mirëpo duhet të mësohemi se në ndeshje të tilla, nuk vijnë shumë rastet për shënim. Uroj Islandën për fitore. Kisha edhe bisede me trajnerin e tyre, i cili me tha se ‘ishim më shume fat’. Pavarësisht ka qenë një lojë fizike dhe i përgëzoi lojtarët që kanë treguar një karakter tjetër që nuk e kam pa më herët”, tha Bunjaki.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme