Vendet e Evropës Juglindore prej vitesh po zbatojnë strategjinë rajonale 2020 për të siguruar një ekonomi të qëndrueshme dhe per t’u përafruar me Bashkimin Evropian. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, që po koordinon procesin, publikoi rezultatet e vitit të fundit, ku thuhet se Ballkani ka krijuar më shumë se 600 mijë vende të reja të punës në rrugën e saj për të përmbushur këtë strategji.
Kosova ka shënuar ndër rezultatet më të mëdha nga vendet e rajoni sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës. Nga viti 2010, Kosova ka krijuar 85 mijë vende të reja të punës, me vetëm Serbinë dhe Maqedoninë para saj. Me këtë numër, Kosova ka përmbushur 30 për qind të targetit të saj 2020, në punësimin e qytetarëve të saj.
Megjithatë, sekretari i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Goran Svilanovic, tha se Kosova ka ende punë për të bërë, pasi që këto shifra tregojnë vetëm anën pozitive të punës që është bërë, por jo edhe gjendjen faktike të papunësisë që ekziston. “Kosova ka shënuar rezultate pozitive në krijimin e vendeve të reja të punës viteve të fundit duke përmbushur dhe kaluar objektivat drejt strategjisë 2020. Megjithatë, këto numra tregojnë vetëm arritjen që është bërë pasi që të gjithë e dimë se papunësia mbetet e madhe ende në Kosovë”, ka thënë ai.
Në këtë konteskt, Svilanovic ka thënë se megjithëse pritet që ky trend të ulë nivelin e papunësisë në Kosovë, shteti ka ende punë për të bërë për të tërhequr investimet e huaja të cilat janë baza e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.
“Normalisht, nëse vazhdohet me këtë trend, edhe niveli i papunësisë pritet të ulet. Megjithatë, Kosova ka ende punë për të bërë për të krijuar një klimë më të favorshme për investimet e huaja të cilat nuk janë në shifra të kënaqëshme. Kosova duhet të krijoj një klimë më të sigurtë dhe sundim më të madh të ligjit, në mënyrë që bizneset e huaja të shohin Kosovën si një mundësi për t’u investuar”, ka thënë ai.
Më tutje, sekretari general i RCC-s, ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe përmirësimi i raporteve fqinjësore, është një tjetër indikacion i cili pritet të ndihmoj në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Marrëveshja në mes të Greqisë dhe Maqedonisë është një lajm i mirë dhe një inkurajim edhe për Serbinë dhe Kosovën, që tregon se marrëveshja të rëndësishme mund të arrihen në Ballkan me synimin e vetëm integrimin në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai. Por ndonëse ekonomitë e vendeve të rajonit po rriten, qytetarët e këtyre vendeve vijojnë të largohen drejt BE-së.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Goran Svilanovic renditi arsyet emigracionit qe mbetet prezent në rajonin e Ballkanit.
“Papunësia vazhdon të mbetet një shqetësim ende në këtë zonë, prandaj, të rinjtë, të cilët kanë synime të qarta për të ardhmen e tyre, kërkojnë një klimë më stabile dhe me më shumë mundësi për të ardhmen e tyre”, ka thënë ai.
Në Evropën Juglindore janë hapur 600 000 vende të reja pune gjatë 6 viteve të fundit, 400 mijë prej të cilave në Serbi. Ndonëse Shqipëria e ka arritur targetin e vendosur duke hapur 28 mijë vende të reja pune, ajo mbetet pas nëse e krahasojmë me vende të tjera, përfshi edhe Kosovën, e cila sipas raportit vjetor të Këshillit të Bshkëpunimit Rajonal ka shtuar 85 mijë vende të reja pune, shkruan Gazeta Observer.
Sipas raporti, një ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve të Europës Juglindore vazhdon të mbetet korrupsioni. Sipas raportit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, 73 për qind e qytetarëve mendojnë se qeveritë nuk po e luftojnë në mënyrë efiçente korrupsionin. Mosbesim ka edhe ndaj sistemit të drejtësisë. 78 për qind e qytetarëve të Europës Juglindore besojnë se sistemi gjyqësor është i varur nga poltika dhe 83 përqind thonë se ligji nuk vepron për të gjithë njësoj.
ASK: Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti në Kosovë
Barcelona mund të mos bëjë asnjë nënshkrim të madh në vitin ...
Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire
Trepça nesër luan sfidën e radhës në Fiba Europe Cup
“Pse nuk kallxojshe që je tu heq për famë”, Drenusha e ashpë...
Zgjedhjet në SHBA, Hovenier ndan mesazh nga Prishtina për vo...