Google ADS

Kosova ‘mbushet’ përsëri me mallra serbe, për një muaj vlera e tyre arriti në mbi 16 milionë euro

08:25 | 2 Maj 2020
Arbresh.info

Sot një muaj Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka shfuqizuar plotësisht vendimin për taksën 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Shfuqizimi i vendimeve të ish- Qeverisë Haradinaj të datave, 21 dhe 28 nëntor të vitit 2018 ishte zëvendësuar me masat e reciprocitetit tregtar dhe politik.

E për këtë një muaj në Kosovë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina kanë hyrë produkte në vlerë afër 20 milionë euro, shkruan arbresh.info.

Nga shteti serb janë importuar mallra që kanë kapur vlerën e mbi 16 milionë ose saktësisht  16,077,747.55 euro ndërsa nga Bosnje e Hercegovina vlera e mallrave të importuara ka arritur në pak mbi 3 milionë euro ose saktësisht 3,069,017.94 euro.

Produktet e importuara nga Serbia janë të ndryshme duke filluar nga ato ushqimore, veshmbathje e deri te veglat e punës e mobiliet. E produkte të ngjashme janë importuar edhe nga Bosnje e Hercegovina.

Kështu bëhet e ditur në të dhënat e Doganës së Kosovës dërguar për arbresh.info.

Por, të tjera shifra del të jenë me eksportin e Kosovës në këto vende.

Që nga 1 prilli nga Kosova në Serbi janë eksportuar marra në vlerë vetëm rreth 5 milionë euro ose saktësisht 4,825,460.68 euro ndërsa në Bosnje e Hercegovinë rreth 2 milionë ose 1,756,163.95 euro.

Këto shifra për arbresh.info i ka komentuar njohësi i ekonomisë dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Ai ka thënë se këto produkte janë kryesisht lëndë e parë teksa ka bërë thirre për promovim të prodhimeve vendore.

“Duhet të bëhet më shumë në produktet ‘made in Kosova’ askush askënd nuk e obligon që të blej një produkt të caktuar, është çështje e tregut të lirë, të konkurrencës dhe në këtë drejtim duhet ta pranojmë këtë si realitet. Vet fakti që i kemi këto trende e dëshmon se pjesa dërrmuese e importit janë lëndë të para dhe në këtë drejtim vlerësoj se është një realitet i ri i krijuar”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka shtuar se ka qenë kundër taksës pasi ajo e ka dëmtuar Kosovën.

“Është e vërtetë që kam qenë një zë kritik i vënies së taksës, me indikatorët dhe parametrat ekonomik u dëshmua se ka qenë një fazë e dëmshme edhe në aspektin politik poashtu sepse shumë miq ndërkombëtarë që kanë rekomanduar largimin e saj kanë has në kundërshtim në Qeveritë e Kosovës dhe këshu vendi është dëmtuar”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka thënë se biznesi me vendet e rajonit ulë koston prandaj barrierat nuk i bëjnë nder ekonomisë.

“Duhet të kuptohet se sot të bërit biznes e determinon ulja e shpenzimeve dhe të bërit biznes me shtetet e rajonit e ka mu këtë përparësi sepse vërtetë mund të reduktohen kostot e transportit. Nëse një maunë e lëndës së parë nga Serbia mund të sillet me 400 ose 500 euro, e njëjta nga euro mund të sillet me 3 mijë euro dhe lind pyetje se kush kompenson këtë taksë dhe kosto, e godet qytetarin e Kosovës dhe çdo ngritje e importit të lëndës së parë gjeneron inflacion dhe ulë konkurueshmërinë e produkteve vendore prandaj në këtë drejtim duhet të bëhet më tepër, të eliminohen barrierat të argumentohen faktet për eliminim të tyre sepse vërtetë barrierat nuk i bëjnë nder ekonomisë moderne”, ka thënë ai.

Tarifën doganore 100 për qind e kishte vendosur Qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.

Ajo ishte mirëpritur nga prodhuesit vendor pasi Serbia kishte humbur ‘primatin’ e të qenit eksportuesi më i madh në Kosove me eksportin e mallrave në vlerë prej 1.2 milion euro në ditë  apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.

E gjatë vitit që lamë pa vendin e Serbisë e ka zënë Gjermania. Ky shtet ka qenë eksporti më i madh në Kosovë duke u pasura nga Turqia dhe Kina.

Kështu kishte bërë të ditur për arbresh.info, ish-drejtori i përgjithshëm i Doganës se Kosovës, Bahri Berisha në janar të këtij viti.

“Para vendosjes së masës mbrojtëse partneri kryesor i Kosovës në import ka qenë Serbia, por më pas kjo është zëvendësuar dhe sot partnerin kryesor e kemi Gjermaninë, pastaj vie Turqia, Kina, Italia, Sllovenia e Shqipëria që ka treguar rritje gjatë kësaj kohe”, kishte thënë ai.

Berisha kishte shtuar importi nga Serbia e Bosnja kishte rënë për 99%.

“Nga këto dy vende në baza vjetore kemi pas import rreth 530 milionë euro e pas vendosjes së masës mbrojtëse importi ka rënë për rreth 99% apo kemi 5-6 milionë euro gjatë këtij viti. Këto produkte janë zëvendësuar nga vendet tjera”, kishte thënë ish-drejtori i përgjithshëm i Doganës se Kosovës.

Ndërsa Dogana e Kosovës si një prej Institucioneve që mbush buxhetin e Republikës së Kosovës gjatë 2019-ës qëndroi më mirë duke mbledhur afër 1.2 miliardë euro./A.Çitaku/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme