Për kah përdorimi i antibiotikëve, Kosova vazhdon të cilësohet si një ndër shtetet lidere në Europë. Si vend ku barnat mund të blihen në çdo farmaci pa përshkrimin e mjekut, shkalla e lartë e përdorimit të antibiotikëve në Kosovë vlerësohet se është e pakontrolluar.
Këto të dhëna kanë dalë pas hulumtimeve të bëra nga institucionet relevante dhe ekspertë të fushës së shëndetësisë, sipas të cilëve, Kosova vazhdon të mbetet e dhjeta në Evropë me shkallën e konsumit të përgjithshëm të antibiotikëve të përgjithshëm.
Infektologu Hamdi Ramadani, njëherësh drejtor i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se problemi me trajtimin me antibiotikë është mjaft shqetësues.
Ai përmend mjekët që pa analiza mikrobiologjike, pacientët i trajtojnë me antibiotikë, derisa si sfidë përmend edhe vetë trajtimin nga ana e pacientëve.
“Një numër i pacientëve në klinikën tonë që vijnë për trajtim, paraprakisht marrin antibiotikë, pa një aspekt klinik dhe laboratorik për të vërtetuar se antibiotiku është dhënë në mënyrë të drejtë. Më pas ne kemi shumë telashe në trajtim të pacientëve”, deklaroi Ramadani.
Ramadani tutje përmend një shembull ku gjatë trajtimit të fëmijëve me sëmundjen e fruthit këtë vit, e që ka qenë epidemi në vend, pacientët i kanë ardhur të trajtuar me antibiotikë, e që është mënyrë jo e drejtë e trajtimit. Ai jep detaje lidhur me çështjen në fjalë.
“Sëmundjen e fruthit disa mjekë në ambulancë japin antibiotikë, derisa bëhet fjalë për sëmundje virale. Më pas ajo krijon shumë telashe. Duhet gjithsesi sidomos kur bëhet fjalë për trajtim me antibiotikë të bëhen analizat paraprake, në mënyrë që trajtimi të jetë sa më i drejtë”, tha Ramadani.
Mikrobiologët tashmë kanë theksuar faktin se duhet të ndalohet përshkrimi i antibiotikëve në shërbimin mjekësor primar, në mënyrë që të evitohet përdorimi i panevojshëm i tyre. Gjithashtu janë mbajtur debate të shumta që të ketë më shumë vetëdijesim të qytetarëve që mos të bëjnë vetë trajtim me antibiotikë.
Por, farmacistët në vend thonë se antibiotikët shiten dhe kërkohen nga pacientë në barnatore.
Farmacisti Shkumbin Jusufi thotë se kërkesat nga ana e qytetarëve për blerje të antibiotikëve gjithmonë mbetet i lartë.
“Kërkesat e qytetarëve vazhdojnë të mbeten të njëjta, ata kërkojnë antibiotikë në barnatore. Te ne nuk respektohet ligji dhe antibiotikët shiten me shumicë. Por, edhe nga ana e farmacistit shitet antibiotiku. Por, farmacistët e shesin, për shkak se po që se nuk e shet një farmacist i caktuar, pacienti shkon në tjetrën barnatore dhe e blen, pasi që në disa barnatore nuk janë as farmacistë, janë thjesht shitës në barnatore”, thotë Jusufi.
Sidoqoftë, në javën botërore të ndërgjegjësimit për antibiotikët, këtë vit Organizata Botërore e Shëndetësisë thërret punëtorët shëndetësorë në rajonin evropian të OBSH-së që të parandalojnë përhapjen e rezistencës antimikrobike në mjediset e kujdesit shëndetësorë, përmes parandalimit dhe kontrollit efektiv të infeksionit.
“Deri dhjetë për qind të pacientëve në gjithë botën që ndodhen nën trajtim, llogaritet që marrin të paktën një infeksion të ndërlidhur me kujdesin shëndetësorë në çfarëdo kohe të dhënë”, thuhet në komunikatën e OBSH-së të dërguar për javën e ndërgjegjësimit për antibiotikë.
Në Bashkimin Europian, është llogaritur që rreth 4 milionë pacientë të hospitalizuar marrin një infeksion çdo vit, dhe rreth 37 mijë persona vdesin si rezultat i drejtpërdrejtë i këtyre infeksioneve.
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...