Pa kapitullin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, nuk mundet dhe nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë, kanë deklaruar zyrtarët e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur në Kosovë.
Deklaratat e tilla janë bërë gjatë mbledhjes të së hënës të këtij Komisioni.
Por, përfaqësues të Fondit për të Drejtën Humanitare si dhe të shoqatës “Zëri i prindërve”, qendër kjo e familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, kanë ngritur dyshimin se a do të zgjidhet fati i personave të pagjetur në rast se nuk do të arrihet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas deklaratave të palëve në dialogun në Bruksel, çështja e të pagjeturve është njëra prej pikave për të cilën është arritur harmonizimi i qëndrimeve.
Por, pa një marrëveshje përfundimtare nuk mund të zbatohet asnjë pikë, veç e veç, për të cilat pajtohen palët, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Kushtrim
Gara, udhëheqës i njësisë në kuadër të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur.
“Përkundër pajtimeve, megjithatë është thënë që nuk do të ketë marrëveshje për tema specifike pa u arritur marrëveshja në tërësi”, ka thënë Gara.Të njëjtën gjë e ka thënë më herët edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 12 tetor, në Kuvendin e Kosovës, në interpelancën lidhur me rrjedhën e deritashme të procesit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Hoti theksoi se “çdo dakordim, për cilado elemente të marrëveshjes, është dakordim vetëm parimor, sepse nuk ka pajtim për asgjë përderisa nuk ka pajtim për çdo gjë, përkatësisht përderisa nuk ka pajtim për njohje reciproke”.
Parimet për çështjen e të pagjeturve
Deri më tash, para se çështja e të pagjeturve të bëhej temë në dialogun e Brukselit, për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ka punuar Grupi punues, i cili përbëhet nga dy delegacionet, të Kosovës dhe Serbisë.
Në mbledhjen e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur në Kosovë, më 19 nëntor, Ibrahim Makolli, kryesues i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e të pagjeturve në grupin punues, ka theksuar se në dialogun e Brukselit është arritur pajtimi për shtyllat, që janë parime, për çështjen e të pagjeturve.
“Është krijimi i një komisionit të përbashkët, i udhëhequr nga një i emëruar special i Bashkimit Evropian, mekanizëm ky i cili do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e procesit të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur. Ndërkaq që mekanizmat e tjerë në terren, do të jenë po të njëjtit, të cilët kanë vepruar deri më tash. E dyta, është qasja e pakufizuar në të gjitha arkivat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të ushtrisë, policisë dhe të forcave të tjera të Serbisë, të cilat kanë marrë pjesë në kryerjen e krimeve në Kosovë dhe fshehjen e trupave të të vrarëve dhe të masakruarve”, ka thënë Makolli.
Ai gjithashtu ka shtuar se realizimi i gjithë këtij procesi parashihet të kryhet brenda afatit kohor prej 18 muajve, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes përfundimtare eventuale. Por, pajtimi për këto parime, siç ka thënë ai, do të hyjë në fuqi vetëm nëse arrihet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kushtëzimet dhe dilemat
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë për Radion Evropa e Lirë se për procesin e dialogut në Bruksel, përfshirë këtu edhe çështjen e personave të pagjetur brenda këtij procesi, nuk ka pasur transparencë. Megjithatë, sipas tij, kushtëzimi i realizimit të qëndrimeve të harmonizuara të dy palëve për çështjen e të pagjeturve me marrëveshjen përfundimtare, ngrit dilema.
“Po besoj që opinioni duhet me qenë koshient dhe nuk e di se a do të realizohen pritjet, në rend të parë të familjarëve të zhdukur. Do të ishte dëm i madh në rast se nuk arrihet marrëveshja përfundimtare. Kjo do të thotë që edhe pikat në atë marrëveshjen e vogël (për të pagjeturit) nuk do të zbatohen. Është paksa një situatë e çuditshme, sepse kjo lë për të kuptuar që palët mund të kontribuojnë më shumë për zbardhjen e fatit (të pagjeturve), mirëpo nëse nuk arrihet marrëveshja përfundimtare, nuk do t’i kryejnë ato zotime”, theksoi Blakaj.
Bajram Qerkini, drejtuesi i shoqatës “Zëri i prindërve”, qendër kjo e familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë që informacionet se për çfarë janë pajtuar palët në Bruksel lidhur me çështjen e të pagjeturve, kanë munguar. Megjithatë, ai nuk beson se çështja e të pagjeturve do të zgjidhet në rast se ajo mbetet peng i një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“As nuk besoj që kanë për të nënshkruar një marrëveshje apo kanë për ta realizuar atë. Sikurse deri më tash, e gjejnë një tjetër problem, i cili e stagnon edhe për një vjet, pastaj prapë edhe një vjet dhe kështu me radhë. E kemi një optimizëm dhe një besim që Amerika ka ndërhyrë me qëllim, më duket, jashtëzakonisht të mirë.”, tha Qerkini.
Blakaj: Dini diçka dhe nuk doni të kryeni punë?
Çështja e të pagjeturve gjithashtu është pjesë e dokumenteve të nënshkruara, më 4 shtator, nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Uashington, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump. Të dyja palët janë zotuar se do të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të zhdukur.
Por, pse duhet pritur një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse në Bruksel, në mënyrë që të shkohet drejt zbardhjes së fatit të personave ende të pagjetur, në rast se palët kanë informacione ?
Këtë pyetje e bën edhe Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
“Do të thotë, po dini diçka dhe nuk doni të kryeni punë përderisa nuk arrihet marrëveshja. Kjo është pyetje e thjeshtë. Po të ishte kjo çështje humanitare, absolutisht ishte dashur që moti të jepen këto informacione”, tha Blakaj
Ai shtoi se deri më tash nuk ka pasur vullnet politik nga pala serbe për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Sipas tij, Serbia ka dhënë informacione për varreza masive dhe i ka gjetur ato vetëm ku i janë dashur kreditë politike. Siç thotë ai, institucionet serbe e kanë ditur për ekzistencën e varrezës masive në Rudnicë dhe u janë dashur të paktën 13 vjet që të japin informacione për lokacionin e saj. Blakaj ka shprehur mendimin që ky është një lloj indikatori që mund të ketë informacione edhe për varreza tjera të mundshme në Serbi, por edhe informacione nga pala kosovare për varreza të tilla eventuale në Kosovë. Ato informacione, sipas tij, nuk jepen dhe janë të mbyllura në arkiva të ndryshme.
Por, Kushtrim Gara vlerëson që rastet e pazbardhura të personave të pagjetur, janë më të vështirat të mundshme për t’u trajtuar dhe kërkohet më shumë informacion nga pala serbe.
“Në këtë rast, po aludoj në arkivat e ish-ushtrisë jugosllave dhe arkivat e ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo është mundësia që tani, por edhe më parë kur janë trajtuar këto raste, na duhet një përkrahje më e madhe nga bashkësia ndërkombëtare, sepse përvoja ka treguar se vetëm me një përkrahje të bashkësisë ndërkombëtare, sigurisht që mund të kemi më shumë rezultate në këtë proces”, theksoi Gara.
Më 14 tetor, kryetari i Komisionit për të Pagjeturit në Qeverinë e Serbisë, Velko Odalloviq, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme faktin që çështja e të zhdukurve është përfshirë në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington. Ai ka theksuar që pala serbe do të vazhdojë të bëjë kërkime në arkivat e veta, por që i është kërkuar edhe Prishtinës të ofrojë përgjigje për arkivat e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sipas tij, tash mund të jenë në pronësi të ndonjë institucioni në Kosovë.
Nga Fondi për të Drejtën Humanitare dhe nga shoqatat e familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, vlerësojnë se marrëveshja e arritur në Uashington, por edhe pajtimi i palëve në Bruksel për trajtimin e çështjes së të pagjeturve, nuk ka ndikuar aktualisht në rezultatin e punës në terren. Por, nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, thonë se muajve të fundit është shtuar dinamika e punëve në terren, si dhe për adresimin e informacioneve të mundshme për vendndodhjen e personave të pagjetur. Gjatë muajve të fundit, sipas tyre, janë trajtuar pesë lokacione, të cilat kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve mortore të të paktën katër personave.
Në territorin e Serbisë, siç kanë theksuar ata, janë trajtuar dy lokacione të dyshuara për varreza masive, në Kozarevë dhe në Sjenicë, për të cilat janë paraparë mundësitë e rikthimit për të vazhduar gërmimet.
Gjatë luftës në Kosovë humbën jetën rreth 13,500 persona, ndërsa rreth 1,600 ende konsiderohen të pagjetur.
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...