Google ADS

Kosova kryesuese e radhës e SEECP, Pacolli ka një mesazh për Bosnjë e Hercegovinën

14:22 | 7 Korrik 2019
arbresh.info

Kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli, njëherit edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, thotë se vetëm disa orë para fillimit të takimit në nivel ministror dhe Samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) dhe pasi janë shterur të gjitha mundësitë lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në këtë ngjarje kulmore politike rajonale, qëndrim i palëkundur i institucioneve të Republikës së Kosovës është që me kushtet ekzistuese neve na është pamundësuar përfaqësimi në Samit.

“Mënyra se si është menduar të trajtohet delegacioni shtetëror i Kosovës është e papranueshme. Për më tepër, ajo i vë hije të keqe edhe Samitit të porsapërfunduar të Poznanit në kuadër të Procesit të Berlinit, deklaratave dhe zotimeve të përbashkëta që i kemi bërë aty, por edhe angazhimeve të sinqerta dhe konstruktive që Kosova si shtet i bën në kuadër të nismave dhe organizatave rajonale. Për fat të keq ky vullnet i yni është keqkuptuar nga ana e kryesuesit aktual të Kryesisë së Bosnjë Hercegovinës ndërsa qytetarët tanë i siguroj se ne nuk bëjmë kompromise me të arriturat tona si shtet si dhe me perspektivën euroatlantike”, shkruan Pacolli në Facebook.

Ai zotohet se do të vazhdojnë ta japim kontributin për zhvillimin e rajonit, dhe paralajmëron edhe kryesimin e radhës të SEECP.

“Gjë që sidomos është dëshmuar këtë vit kur po kryesojmë me tri nisma shumë të rëndësishme rajonale (Fondi i Ballkanit Perëndimor ËBF, Zyra rajonale për bashkëpunim të rinisë RYCO, dhe Nisma rajonale për migrim, azil dhe refugjatë MARRI). Njejtë do të bëjmë edhe pas përfundimit të Samitit të SEECP në Sarajevë kur edhe do ta marrim kryesimin me këtë nismë. Ndërsa kur e dijmë se SEECP është krijuar me qëllimin për forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon dhe integrimin e plotë të Evropës Juglindore në strukturat euroatlantike kjo sjellje ndaj Kosovës si kryesuese e radhës nuk i bën nderë Bosnjë e Hercegovinës”, shkruan Pacolli./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme