Ndryshimet globale klimatike do të ndikojnë edhe në zvogëlimin e resurseve ujore në Kosovë, thonë ekspertët. Sipas tyre, Kosova ka rezerva të kufizuara të ujit, ndërsa kanë shprehur nevojën urgjente për ndërtimin e liqeneve shtesë akumuluese. Ndërkohë, kompanitë rajonale të ujësjellësit në Kosovë, kanë raportuar se uji i pijshëm shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar dhe keqpërdoret nga qytetarët, e për këtë kanë pasuar edhe masat.
Kosova ka nevojë urgjente për të ndërtuar diga të ujit, pasi sipas ekspertëve, rezervat e ujit në Kosovë janë të pakta. Ata theksojnë se ndryshimet globale klimatike mund të sjellin edhe pasoja negative në këtë drejtim. Profesori i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës, Zeqir Veselaj, tha për Radio Kosovën se nevojat për ujë janë të mëdha dhe kur fillon të shpërndahet, atëherë del që Kosova ka rezerva shumë të kufizuara ujore. Ai përmendi edhe ndikimin e ndryshimeve klimatike në resurset ujore të Kosovës.
“Kjo paralajmëron se nëse ky trend i ndryshimeve klimatike vazhdon ngritja e temperaturave globale, parashihet që katër nga pesë pellgjet ujore të Kosovës të ballafaqohen me mungesë të ujit. Kosova duhet urgjentisht të mendojë për ndërtimin e akumulimeve të reja shtesë për resurse ujore. Kjo është paraparë edhe me Strategjinë Shtetërore të Ujërave, por nuk po shoh se ka lëvizje konkrete në këtë drejtim”, tha ai.
Profesori Veselaj, tha se sipas raportimeve, në Kosovë ka humbje të mëdha teknike të ujit, e kjo nënkupton që ka keqpërdorim të resurseve ujore dhe e bënë më të vështirë furnizimin e rregullt me ujë në disa zona të vendit. Ai tha se sipas të dhënave të ndryshme nga institucionet përkatëse, pesë liqenet akumuluese në Kosovë, akumulojnë rreth 560 milionë metra kub ujë.
Edhe eksperti i mjedisit, Agron Bektashi, ka thënë se nëse nuk kemi kujdes për rezervat e ujit, pasojat mund të jenë të mëdha, derisa shtoi se Kosova nuk ka burime të mjaftueshme të resurseve ujore.
“Ndërtimi i digave është domosdoshmëri. Po planifikohet atje mbi Kamenicë, e te Firaja në Ferizaj. Po flas për pjesët më të rrezikuara, pjesa lindore e Kosovës ka burime shumë të pakta, si Gjilan, Ferizaj, Malishevë. Për këto veç ka filluar fizibiliteti, po është zgjidhje, sepse akumulon e do të ketë rezerva ujore. E kur ka rezerva ujore edhe në thatësira të mëdha ka mundësi për të intervenuar, qoftë për bujqësi e qoftë për furnizimin popullatës”, deklaroi Bekteshi.
Ndërkohë, kompanitë rajonale të ujësjellësit në Kosovë, disa herë kanë raportuar se uji i pijshëm shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar dhe keqpërdoret nga qytetarët, duke zvogëluar kështu rezervat e ujit të pijshëm. Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Prishtinë, Arjeta Mjeku, tha se kanë shkyçur nga furnizimi me ujë të pijshëm konsumatorët të cilët nuk i kanë kryer obligimet për shërbime si dhe ata që kanë bërë lidhje ilegale.
“Ne me inspektorët tanë çdo ditë dalim në terren që të inspektojmë zonat ku dyshojmë se po keqpërdoret uji i pijshëm. Brenda një ditë shkyçen nga pesë deri në dhjetë konsumatorë. Borxhet janë të mëdha ndaj shërbimeve të ujësjellësit që nga pas lufta e deri sot. Borxhi është mbi 45 milionë euro, 40 milionë nga sektori i amvisërisë e 5 milionë nga sektori i bizneseve të vogla e të mëdha. Ne furnizojmë më ujë të pijshëm 8 komuna me gjithsej 176 mijë konsumatorë”, deklaroi Mjeku.
Institucionet e Kosovës kanë adoptuar ligje dhe strategji për sa u përket burimeve ujore dhe ujërave në Kosovë. Përmes Strategjisë Nacionale për Ujërat 2017-2036, Qeveria e Kosovës ka për qëllim t’i adresojë dhe të krijojë një bazë të mirë veprimi në aspektin e politikave, veprimeve operacionale dhe investimeve në sektorin e ujërave në një periudhë 20 vjeçare.
Me këtë dokument synohet një integrim dhe zhvillim i qëndrueshëm për zhvillimin e sektorit të ujërave në Kosovë si: furnizimi me ujë të pijshëm, uji për prodhimin e ushqimit, ujitja e tokës bujqësore, industria, sporti dhe rekreacioni, dhe prodhimi i energjisë elektrike. Ndër të tjera parashihet dhe ruajtja, mbrojtja e burimeve ujore.
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...