Brenda një muaj e gjysmë, 20 mjekë kanë kërkuar dokumentacion nga Oda e Mjekëve me qëllim largimin nga Kosova për në vendet e zonës Shengen për mundësi më të mira punësimi.
Numër ky i cili është i përafërt me vitin e kaluar.
Kështu tha për Arbresh.info, kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu i cili shtoi se nuk ka dallim nga viti i kaluar.
“Nuk ka trend të rritjes përkundër që kemi pritur. Së paku për këto dy muaj ditë, liberalizimi i vizave nuk ka ndikuar se çka do të ndodhë ndërkohë ne do ta monitorojmë dhe do ta shiqojmë, përkundër që do të thotë që kemi prit ose presim”, u shpreh Sejdiu.
Sipas Sejdiut nga këta 20 mjekë të cilët kanë marrë dokumentin e lëshuar nga Oda, 7 apo 8 janë larguar ndërsa të tjerët janë në procedura të fundit të largimit.
Numri i mjekëve të larguar nga Kosova për vitin e kaluar ka qenë 180.
“Sa do të largohen deri në fund të vitit, ne presim që numri të jetë sa vitin e kaluar, pra 180.”, shtoi ai teksa tha që shpreson që ritmi të mos rritet.
Sejdiu njoftoi se më shumë se gjysma e mjekëve që largohen janë të papunë.
“Nga ky numër, shumica, pra rreth 80% janë të papunë, ndërkaq 17% prej tyre janë në shkollim specialistik dhe vetëm 3% janë specialistë, ata janë të ri, të posadiplomuar nga shkollimi specialistik. Mosha mesatare e tyre është pak mbi 29-vjeç, domethënë është gjeneratë e re por, specialistë të punësuar, me përvojë nuk kemi asnjë, ata zakonisht janë të prirur për largimin nga sektori publik në atë privat jo jashtë shtetit.”, u shpreh ai.
Ai renditi edhe disa faktorë të cilët ndikojnë në largimin e mjekëve.
“Papunësia është e para, e dyta është kushtet e punës, e treta është kushtet dhe kualiteti i specializimeve dhe e katërta është ana financiare duke qenë se mjekët e përgjithshëm e kanë rrogën më të vogël se mjekët specialistë diku rreth 700 euro”, tha Sejdiu.
Sipas tij, arsyet e largimit janë edhe pikat ku duhet të intervenojë qeveria qendrore dhe ajo komunale.
Sejdiu theksoi se sipas një analize, pjesa më e madhe e mjekëve të papunë janë tash e tri vite.
“Këta mjekë do duhej të punësoheshin në shtëpitë e shëndetit, ka shumë nevojë për ta. Çdo ditë ne dëgjojmë shtëpitë e shëndetit në komunat e ndryshme se jemi pa mjekë, po urdhno, 400 i ke papunë, urdhno punësoj. Pse nuk i punësojnë? Për shkak të planifikimit të dobët. Ne kemi pasur rastin para disa ditëve në njërën nga komunat tona, kanë punësuar 4 ekonomistë apo administratorë nëpër shtëpi të shëndetit dhe nuk kanë punësuar mjekë.”, theksoi Sejdiu.
Kryetari i Odës së Mjekëve theksoi se Ministria e Shëndetësisë duhet të investojë në sigurinë edhe në kushtet e punës jo vetëm në çështjen e ndërtesave, aparaturave.
Lidhur me mungesën e pediatreve në komunën e Prishtinës, Sejdiu tha se në listën e Odës janë katër apo pesë që janë të papunë.
“Ne mund t’i ofrojmë qasje në të dhënat tona dhe t’i ofrojmë informatat tona çdo shtëpie të shëndetit dhe të kontaktojmë drejtpërdrejtë me ta. Por unë kam frikë që Shtëpitë e Shëndetit në sektorin primat nuk janë shumë seriozë apo mirë të planifikuar për punësimin e mjekëve dhe t’i zvogëlojnë mungesat ku i kanë. Por ka edhe disa specialistë që janë të papunë dhe unë mendoj që disa komuna do të mund t’i punësonin ata.”, tha mes të tjerash Sejdiu.
Duke folur për mungesat e mjekëve në sektorë të caktuar, Sejdiu tha se QKUK është e ngarkuar me mjekë në shumicën e specialiteteve ndërkaq shumica e spitaleve rajonale vuajnë për specialistë.
“Kjo është një dobësi e Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me sistematizimin e vendeve të punës sepse problemin më të madh e kemi me sistematizimin e drejtë të vendeve të punës”, u shpreh kryetari i OMK-së.
Sejdiu citoi një hulumtim të kompanisë gjermane lidhur me atë se në QKUK ka më shumë mjekë se sa shërbime që ofrohen.
“Ai mund të jetë i vërtetë po për shembull që në një lami ka mjekë që askund në botë nuk ka më shumë të punësuar apo kemi një lami tjetër ku janë 3-4 dhoma për pacientë dhe 10 shtretër dhe 20 e ca mjekë”, u shpreh ai.
Ai e konsideroi të vështirë dhënien e një mesazhi për mjekët të cilët duan të lënë Kosovën duke shtuar se mesazhi i vetëm që mund të japë është ai patriotik që “Kosova ka nevojë për ta.”
Më 1 janar të këtij viti u bë liberalizimi i vizave duke mundësuar që shumë qytetarë të lëvizin lirshëm në zonën e Shengen duke bërë që një ky proces të ndikojë edhe në tregun e punës në Kosovë./Arbresh.info/Erolinda Gashi/
Zbulohet gjiganti evropiane që Brahim Diaz e ka refuzuar në ...
E papritur! Gili dhe Redoni i japin fund aventurës në “BBVA”
Vullneti hedh ujë në krevatin e Gjestit, Leos dhe Drilonit –...
Kurti vizitoi hapësirat e investimeve të efiçiencës së energ...
Zbulohet gjiganti evropian që Brahim Diaz e ka refuzuar në v...
Veliaj përfundon dëshminë në SPAK pas rreth 5 orësh: Do jap ...