Google ADS

Kosova ka mbi 70 mijë studentë

10:32 | 24 Qershor 2020
Arbresh.info

Kosova aktualisht ka mbi 70 mijë studentë.

Pjesa më e madhe e studentëve në arsimin universitar në vend janë në universitetet publike, ndërsa një pjesë më e vogël në kolegjet private, shkruan arbresh.info.

Kështu bëhet e ditur në raportin “Statistikat e Arsimit 2019/2020” të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Aty thuhet gjithashtu se në universitetet private janë gjithsej 58 879 studentë ose 80.0% ndërsa, në kolegjet private ishin 14 725 studentë, ose 20.0%.

“Numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar ishte 73 604, prej tyre në universitetet publike ishin 58 879 studentë, ose 80.0%; ndërsa, në kolegjet private ishin 14 725 studentë, ose 20.0%”, thuhet në raport.

Vetëm në vitin akademik 2019/2020, numri  i studentëve të regjistruar në nivelin Bachelor në Universitetet Publike është 7,387.

Prej tyre 2,928 janë meshkuj, ndërsa dyfishi i tyre ose 4,459 studentë janë femra.

Në të njëjtin raport janë ofruar informata statistikore për parashkollorë, arsimin fillor dhe të mesëm të ulët,  arsimin e mesëm të lartë, arsimin special.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim del se numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollorë ishte 33 604, prej tyre në sektorin publik 26 385 fëmijë, ose 78.5%; ndërsa, në sektorin privat 7 219 fëmijë, ose 21.5%.

Numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte 237 959, prej tyre në sektorin publik ishin 232 707, ose 95.6%; ndërsa, në sektorin privat ishin 5 252, ose 1.6%.

Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë ishte 79 264, prej tyre në sektorin publik ishin 75 784 nxënës, ose 95.6%; ndërsa, në sektorin privat ishin 3 480 nxënës, ose 4.4%.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i nxënësve në arsimin special ishte 349 nxënës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme