Google ADS

Kosova i hoqi vizat njëanshëm për Bosnjën, Sarrazin paralajmëron presion ndaj Dodikut për heqje të bllokadës

16:41 | 15 Tetor 2024
E.H

Lëvizje pozitive e ka quajtur emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, heqjen e njëanshme të vizave nga Kosova për shtetasit e Bosnje e Hercegovinës nga janari i vitit që vjen, vendim që u bë i ditur nga kryeministri Albin Kurti të hënën gjatë samitit të Procesit të Berlinit.

Në një diskutim nga distanca me gazetarët, emisari gjerman tha se ky është shpirti që promovon Procesi i Berlinit derisa se shpreson që përfaqësuesit e entitetit të Republikës Serbe të pajtohen rreth atyre që promovon Procesi i Berlinit.

Ai tregoi se evropianët nuk do të ndryshojnë qëndrim sa i përket sanksioneve ndaj Milorad Dodikut, kryetarit të Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë, për bllokimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në Bosnje e Hercegovinë.

“E kemi bërë të qartë se kjo për neve është e domosdoshme dhe po ashtu Komisioni Evropian dhe partnerët tjerë evropianë kanë bërë përpjekje për ta finalizuar këtë. Por, po ashtu ua kemi bërë të qartë se nuk do të japim karamele për këtë, nuk do të paguajmë, nuk do të ndryshojmë qëndrim sa i përket sanksioneve të Dodikut, sepse kjo ka të bëjë me përfitimet e qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Mendoj se çdo qytetar në Kosovë e kupton se nuk do t’i japim karamele Dodikut për të kryer këtë. Është pozitive dhe lëvizje e mirë nga Qeveria e Kosovës që t’i lejojë qytetarët e Bosnjës të lëvizin lirshëm në Kosovë. Ky është shpirti që promovon Procesi i Berlinit dhe shpresoj që përfaqësuesit e entitetit të Republikës Serbe të pajtohen rreth atyre që promovon Procesi i Berlinit”, tha gjatë këtij diskutimi ai.

Emisari i Gjermanisë i quajti domethënëse arritjet e samitit të berlinit ku përfshihet plani i ri i veprimeve për tregun e përbashkët rajonal./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme