Kosova futet në listën e vendeve me rrezik të lartë nga COVID-19

18:37 | 20 Gusht 2021
S D

Autoritetet në Gjermani kanë paralajmëruar se përhapja e COVID-19 mund të vazhdojë të çojë në kufizime në trafikun ndërkombëtar ajror dhe të udhëtimit dhe dëmtimin e jetës publike.

Në këtë drejtim, duke përmendur rritjen e numrit të rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë, autoritetet kanë bërë të ditura ndryshimet, të cilat pritet të hyjnë në fuqi që nga data 22 gusht e këtij viti.

Kështu, siç thuhet në një dokument të publikuar, “Kosova është prekur rëndë nga COVID-19. Kohët e fundit, numri i infeksioneve është rritur ndjeshëm. Kosova është klasifikuar si një zonë me rrezik të lartë me efekt nga 22 gusht 2021”.

Andaj, bëhet e ditur se “shtetasit e huaj mbi moshën 11 vjeç, pavarësisht nga vendi i origjinës dhe rruga e udhëtimit, duhet të paraqesin një test aktual negativ të PCR pas hyrjes (mostra e marrë jo më shumë se 72 orë para hyrjes)”.

Megjithatë, siç thuhet më tej, udhëtarët që kanë dëshmi se janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 për të paktën dy javë, nuk kanë nevojë për një test negativ kur të hyjnë.

Përveç Kosovës, shkruajnë mediat gjermane, për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve nga COVID-19, qeveria federale po klasifikon Kretën dhe ishujt e tjerë grekë të pushimeve, të tilla si Rodos, Kos, Mykonos ose Naxos, si zona me rrezik të lartë nga e marta e ardhshme.

Gjithashtu, Maqedonia e Veriut dhe pjesë të Irlandës gjithashtu bëjnë pjesë në këtë kategori.

Ndërkohë që Brazili nuk është më një zonë e variantit të virusit, por edhe një zonë me rrezik të lartë.

https://www.auswaertiges-amt.de/de/aussenpolitik/laender/kosovo-node/kosovosicherheit/207442?fbclid=IwAR25xuZ_cZajQgFbQM9qqyZq36uhX96yZ-bAmj1x3qgVbeVPWRgLv43Juj4

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme