Rreth 6 milionë euro është vlera e thëngjillit të përpunuar që bizneset në Kosovë kanë importuar në dy vjetët e fundit nga shtetet fqinje dhe të tjera, tregojnë të dhënat e Doganave të Kosovës.
Importi ka arritur këtë vlerë me gjithë faktin se Kosova zë vendin e pestë në botë për rezerva të thëngjillit.
Por, problemi duket se qëndron te fakti se “Kosova Thëngjilli” – kompania e vetme e licencuar për shitjen e thëngjillit të përpunuar në Kosovë – nuk e ka vazhdimisht këtë lëndë, ndërsa kërkesat për të janë në rritje tash e sa kohë.
“Kosova Thëngjilli” është shoqëri aksionare, e krijuar në vitin 2013, në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës – KEK.
Ajo e blen thëngjillin nga KEK-u, e përpunon dhe më pas e shet.
Kontrata mes KEK-ut dhe “Kosova Thëngjillit” përditësohet çdo tre vjet.
Afati i kontratës aktuale pritet të skadojë muajin e ardhshëm, por nga KEK-u nuk tregojnë nëse ajo do të vazhdohet ose jo.
“Sasia e përcaktuar në kontratë është shpërndarë në tërësi… Për rrjedhojë, kontrata është përmbushur plotësisht”, thuhet në një deklaratë me shkrim nga KEK-u, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Për tre vjet, “Kosova Thëngjilli” blen nga KEK-u rreth 600 mijë tonë thëngjill.
“Ne e blejmë thëngjillin nga KEK-u, e përpunojmë, e terim, e sitim dhe e qesim në treg… ua shesim konsumatorëve, kompanive të ndryshme vendore dhe jashtë Kosovës”, shpjegon Enver Sadiku, një prej punëtorëve të kompanisë.
Sipas tij, sasia e thëngjillit të kontraktuar para tre vjetësh nga KEK-u, është shpenzuar rreth tre muaj më parë, për shkak të kërkesave të mëdha.
“Vetëm Korporata Energjetike e Maqedonisë së Veriut, nga muaji tetor i vitit të kaluar deri në muajin maj të këtij viti, ka marrë prej nesh 120 mijë tonë”, thotë Sadiku.
Thëngjilli i përpunuar përdoret për disa qëllime, përfshirë edhe ngrohjen, edhe pse ndikon në ndotjen e ajrit kur digjet.
Kërkesat për këtë produkt thuhet se janë rritur gjetkë, për shkak të krizës energjetike që ka përfshirë Evropën.
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar, po ashtu, mungesa të energjisë elektrike gjatë dimrit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të gjejnë alternativa për ngrohje.
Ajo, madje, ka shfuqizuar një vendim të vitit 2018, në bazë të të cilit shitja e thëngjillit nga KEK-u ka qenë e ndaluar.
KEK-u tashmë ka shpallur një ankand për të dhënë në dispozicion të nxjerrjes dhe shitjes rreth 100 mijë tonë thëngjill.
Nga kjo kompani thonë se ankandi pritet të finalizohet me nënshkrim të kontratës “shumë shpejt”, por nuk japin detaje se ku synohet të destinohet kjo sasi e thëngjillit.
Mungesa e thëngjillit të përpunuar në Kosovë ka bërë që kompanitë private në vend t’ua mësyjnë tregjeve rajonale.
Nga kompania “Silcapor”, e cila gjendet në Kaçanik – pjesa jugore e Kosovës – thonë se me thëngjill të përpunuar furnizohen nga Serbia.
Kjo kompani prodhon blloqe të betonit, ndërsa thëngjillin e përpunuar, përkatësisht të terur, e përdor për pjekjen e blloqeve.
Menaxheri Vedat Kalisi thotë se kompania, brenda muajit, importon deri në 400 tonë thëngjill të terur.
“Vitin e kaluar, këtë produkt e kam blerë në Kosovë, në kompaninë ‘Kosova Thëngjill’, me çmim prej 60 eurosh për ton. Tash nga Serbia, një ton thëngjill, së bashku me transport, më kushton rreth 200 euro”, thotë Kalisi.
Me thëngjill të përpunuar nga Serbia furnizohet edhe kompania “Abi&Elif” nga qyteti i Prizrenit.
Kjo kompani merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve.
Thëngjillin e shfrytëzon për prodhimin e avullit, i cili më pas përdoret për prodhimin e produkteve të ndryshme – nga turshitë deri tek ajvari.
“Në muaj, ne shpenzojmë deri në 100 tonë [thëngjill të përpunuar]”, thotë menaxheri i kompanisë, Abedin Loyna.
“Vazhdimisht kemi blerë prej ‘Kosova Thëngjillit’, por qe dy vjet jo, sepse nuk ka vazhdimisht… Edhe cilësia nuk është në nivel të duhur”, shton ai.
Sipas tij, nëse “Kosova Thëngjilli” do të kishte mjaftueshëm thëngjill të përpunuar dhe me cilësi të lartë, kompania “Abi&Elif” do të kishte leverdi të furnizohej prej saj, edhe për shkak të afërsisë, edhe për shkak të çmimit.
Ai thotë se çmimi në Serbi është “dyfish më i lartë” – deri në 120 euro për ton.
Hamit Leci, ish-punëtor i kompanisë “Kosova Thëngjilli”, thotë se mosshitja e thëngjillit nga KEK-u është një gjë “absurde”.
Sipas tij, kriza aktuale energjetike është mundësi adekuate për KEK-un që të gjejë tregje të reja, e rrjedhimisht të rrisë të hyrat financiare.
Kriza energjetike ka nisur vitin e kaluar me rritjen e çmimeve të energjisë, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Ajo është thelluar edhe më, pasi Rusia – një ndër furnizueset më të mëdha me gaz në botë – ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.
“Ne i kemi të gjitha kushtet për t’i shfrytëzuar krizat, sepse kriza në Ukrainë nuk ndodh gjithmonë. Por, këta nuk po e shfrytëzojnë momentin”, thotë Leci, tani pensionist.
Sipas tij, “Kosova fle në thëngjill e nuk ka për të shitur”.
Sa ka thëngjill Kosova?
Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe, si e tillë, është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij burimi.
Basenet më të rëndësishme thëngjillmbajtëse njihen si Baseni i Kosovës, i Dukagjinit dhe i Drenicës.
Sasia më e madhe e këtij produkti shfrytëzohet nga termocentralet e KEK-ut për prodhimin e energjisë elektrike.
Sipas të dhënave të KEK-ut, nga viti 1922, kur ka filluar nxjerrja e thëngjillit, deri në dhjetor të vitit 2015, nga Baseni i Kosovës janë nxjerrë gjithsej 339 milionë tonë thëngjill.
Për prodhim të energjisë elektrike, KEK-u shfrytëzon mesatarisht 8 milionë tonë thëngjill në vit.
Të dhënat e Doganave të Kosovës tregojnë se, gjatë këtij viti, në Kosovë është importuar thëngjill në vlerë prej më shumë se 1.5 milion eurosh nga shtetet e rajonit të Ballkanit, Turqia dhe Polonia.
Vitin e kaluar, ndërkaq, është importuar thëngjill në vlerë prej 4.3 milionë eurosh.
Sasia më e madhe në atë periudhë është importuar nga Mali i Zi, Rusia dhe Serbia.
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...
Ronaldo shënon dy gola në fitoren e Al-Nassr në Ligën e Kamp...
Takimi i G7-ës në Itali, i fundit për administratën e Presid...
“30 milionë euro naftë o vëlla”, Haziri, qeverisë: Mos i pre...
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...