“Kosova është zemra e Serbisë”, kjo është njëra nga parullat nacionaliste që stafi dhe nxënësit e shkollës fillore “Pandeli Sotiri” në fshatin Plemetin të Obiliqit, kanë hasur pasi kanë përfunduar pushimin pranveror.
Muret e kësaj shkolle janë mbuluar me grafite të shumta nacionaliste në gjuhën serbe, por që ende nuk dihet nga kush janë bërë.
Lidhur me këtë kryetari i komunës së Obiliqit Xhafer Gashi ka thënë se ka takuar komandantin e policisë për Rajonin e Obiliqit, Sejdi Zeqirin, nënkryetarin për Komunitete, Slavisha Jakovleviq dhe shefin e zyrës lokale për Kthim dhe komunitete, Slavisha Axhanqiq.
“Të gjithë akterët e këtij takimi, e dënuan këtë akt, duke thënë që veprime të tilla dëmtojnë relacionet ndëretnike në komunën tonë. Njëkohësisht u kërkua të ndërmerren masa ligjore ndaj autorëve të këtij akti”, ka thënë Gashi.
Drejtoria e kësaj shkolle, pohojnë se menjëherë pasi kanë parë këto grafitë kanë njoftuar organet përgjegjëse të Ministrisë së Arsimit dhe organet e ndjekjes për hetimin e rastit.
Drejtori i Shkollës fillore, “Pandeli Sotiri”, Bedri Neziri, i ka thënë “Arbresh.info”, se organet e ndjekjes kanë dalë në vendin e ngjarjes menjëherë pasi janë njoftuar.
“Këto grafite i kemi pa pas pushimit pranveror. Mua më kanë lajmëruar punëtorët teknikë se janë bërë disa grafitë me parulla nacionaliste. Pastaj kemi dalë në teren e kemi parë për së afërmi. Ne nuk e dimë nga kush janë bërë këto parulla, ne i kemi njoftuar fillimisht Ministrinë e Arsimit, pastaj Policinë e Kosovës, të cilët kanë ardhur në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë raportin lidhur me këto grafitë”, është shprehur Neziri.
Ai thotë se është hera e parë që një gjë e tillë është bërë në paralelen e kësaj shkolle që nga ardhja e tij si drejtor i kësaj shkolle.
“Prej se unë jam drejtor nga nëntori i vitit të kaluar, është hera e parë, mirëpo në të kaluarën ka ndodhur, kanë ndodhur edhe vjedhje dhe thyerje në këtë shkollë. Nuk është rastit i parë që ka ndodhur.
Sipas drejtorit, përkundër asaj që në këtë shkollë ka nacionalitete të shumta, mbizotëron klima e mirëkuptimit mes tyre.
Ai thotë se shumë shpejt do të bëhet edhe fshirja e këtyre grafiteve.
“Pasi kemi konstatuar se çka duhet ndërmarrë për shkak të ngjyrës që kanë përdorur dhe besoj që me Drejtorinë e Arsimit shumë shpejt do ta bëjmë lyerjen e murit”, është shprehur ai.
Ndërkohë, të kontaktuar nga “Arbresh.info”, zyrtarë të presidencës së Kosovës nuk kanë dashur të deklarohen rreth këtij rasti.
Këshilltari i presidentit të Kosovës, Ardian Arifi, ka thënë se presidenca është njoftuar për këtë rast, mirëpo ende nuk di nëse do të deklarohet.
“Jemi njoftuar, sepse i marrim raportet e rregullta. Por nuk di që e kemi fol për t’u deklaruar për këtë. Kur të marrim raportin e plotë të policisë mundemi me ditë çka ka ndodhur. Nuk mundem ta komentoj njëherë”, është shprehur Arifi.
Në anën tjetër, “Arbresh.info ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të mësuar më shumë rreth hetimeve që po bëhen për këtë rast, por zyrtarë të këtij institucioni nuk kanë dhënë asnjë përgjigje./ Arbresh.info/ Gita Lushi
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...
Protesta më e madhe në historinë e Serbisë