Google ADS

Kosova e Zvicra, në përpjekje për të bashkëpunuar në ekonomi e turizëm

07:11 | 9 Qershor 2019
Arbresh.info

Mbrëmë në amfitearin” MS 130 “të Fakultetit të Shkencave Ekonomike dhe Sociale të Universitetit shtetëror të Gjenevës, është debatuar rreth krijimit të mundësive dhe bashkëpunimit më efikas ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, në fushën e ekonomisë, turizmit dhe investimeve.

Kjo temë me interes të ndërsjellë ka qenë nismë e Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës, që pa hezitim është përkrahur edhe nga Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, Oda ekonomike Zvicër – Kosovë, Rrjeti i bizneseve shqiptare të Zvicrës, dhe ai “Shala Supermarche” që shtrihet në Gjenevë dhe Lozanë.

Në këtë aktivitet ekonomik me levërdi të dyanshme janë inkuadruar edhe Shoqatat jofitimprurëse si «Unioni i studentëve shqiptarë të Gjenevës» dhe “ Cre – Action” që fushë veprimi ka bamirësinë.

Para se të fillohet me analizë të resurseve të turizmit dhe vështrim të gjendjes aktuale në fusha të ndryshme të ekonomisë së Kosovës, gjegjësisht të Zvicrës, udhëheqësja e kësaj tryeze zonja Albana Krasniqi-Malaj, drejtoreshë shumëvjeçare e UPSH- së së Gjenevës, fjalën ia ka dhënë zonjës Shyhrete Kastrati, përfaqësuese e Ministrisë së Diasporës dhe Integrimeve Strategjike të Republikës së Kosovës.

Zonja, Kastrati fillimisht shprehu mirënjohjen e saj të thellë ndaj diasporës, duke thënë se mërgimtarët si në të kaluarën, edhe tani fatet e tyre i kanë të lidhura me vendin e tyre të origjinës Kosovën.

Ata në të gjitha fazat kanë qenë kontribuesit kryesor të zhvillimit të vendit. Përveç kontributeve të vazhdueshme dhënë Kosovës, mërgimtarët kanë dalur të suksesshëm edhe në vendet ku jetojnë. Sot, një numër i konsiderueshëm i tyre dallohen si: afaristë, politikologë, mësimdhënës,mjekë,sportistë etj. Këto arritje të tyre i kemi përcjellur me vëmendje dhe i kemi marrë si rast të mirë për të shqyrtuar tema si kjo e sotmja. Gjithashtu Kastrati ka falënderuar zonjën Albana Krasniqi – Malaj, falë së cilës është realizuar ky takim i rëndësishëm pune.

Kastrati tha nuk është momenti që të trajtojmë të kaluarën e Kosovës, por të gjithë e dimë që ajo ka dalur e shkatërruar nga lufta me Serbinë. Gjithçka ka nisur nga zero, me gjithë dëshirën për të qenë edhe më mirë ka progres dhe zhvillim. Andaj, si çdo vend në tranzicion ashtu edhe vendi ynë ka nevojë për përkrahje nga të gjithë.

Në rrugën e saj drejt pavarësisë Kosova është ndihmuar dhe mbështetur fuqimisht nga Zvicra. Ne i jemi mirënjohës përherë Zvicrës dhe popullit të saj, tha Kastrati. Ajo, Zvicrën si vendin më stabil të Evropës, e vlerëson si një mundësi të shkëlqyer bashkëpunimi me Kosovën, jo vetëm në turizëm por edhe fusha të tjera.

Potencialet në turizëm duke dhënë shpjegime të detajuara dhe duke ofruar pamje përrallore të Alpeve shqiptare, Luginave dhe akullnajave, ku shihen dhe morenat në fund të cirqeve i ka shtjelluar gjatë një çerek ore z.Fatos Katallozi, kryetar i Agjencionit “Outodoor Kosovo”.

Ai ka folur edhe për malet periferike të Kosovës, si Grykën e Rugovës, Bistricës së Deçanit, Grykën e Bistricës së Prizrenit , e sidomos si diçka tepër tërheqëse për të huajit i ka prezantuar shpellat, të cilat përbëhen nga kanalet dhe zbrazëtirat nëntokësore dhe nga stolitë shpellore jashtëzakonisht interesante.

Të tilla janë: shpella e Gadimes në fshatin Gadime të Lipjanit, shpella e Radavcit në burimin e Drinit të Bardhë, shpellat në kanjon të Mirushës etj.

Falë zotit Katallozi dhe Agjencionit që ai drejton Kosovën viteve të fundit e kanë vizituar qindra vizitorë nga Evropa, Azia, madje edhe nga Australia e Largët.

Po ashtu përshkrime u janë bërë dhe monumenteve historike në Prizren, Prishtine e vende të tjera të Kosovës.

Ndërkaq,Pierre Maudet, Ministër i Zhvillimit Ekonomik të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, diskutimin e tij e ka përqendruar tek ardhjet e hershme të shqiptarëve të Kosovës, si punëtorë stinor në Zvicër, gjegjësisht Gjenevë .

Të ardhurit në atë periudhë, tha ai, bënin punë nga më të rëndat. Mirëpo, statusi i tyre ndërkohë ndërroi. Ata morën zanate dhe shpejt u kyçën në fusha të ndryshme të ekonomisë sonë.

Numri i shqiptarëve të ardhur në Zvicër, veçmas tha, Maudet u shumëfishua gjatë viteve të 90- ta, kur gjendja në Kosovë u përkeqësua jashtë mase. Pastaj me shpërthimin e Luftës, në fund të viteve të 90- ta ndodhi eksodi i madh. Edhe me këtë valë pati ardhje të shumta të shqipëtarëve të Kosovës, në vendin tonë. Me gjithë përjetimet, shumica e tyre u përfshinë në jetën shoqërore dhe politike të Zvicrës.

Sidomos ranë në sy disa të rinj që shumë shpejt u bënë pjesë e kombëtares sonë në futboll. Maudet, me përvojën e tij të gjatë në politikëbërje dhe si bartës i shumë posteve ministrore në këtë Republikë dhe kanton të Zvicrës, përkujton edhe kohën kur në cilësinë e udhëheqësit të Departamentit të Integrimit, kishte pasur në duar dosje interesante të shqipëtarëve, kandidatë për t’u natyralizuar .

Më vonë, thotë ai ata ishin inkuadruar në forcat e rendit dhe resorë të ndryshëm të drejtësisë, ekonomisë, shëndetësisë dhe arsimit.

Po qe se komuniteti shqiptar do të llogaritej sipas shifrave, thotë Pierre Maudet, ai do të përbënte kantonin e 27 të Zvicrës. Ekskluzivisht shkëmbimin e përvojave Zvicër – Kosovë, e ka elaboruar z.Stefan Sarkanay, kryetar i Odës Ekonomike, Kosovë-Zvicër.

Ai më këtë rast ishte mjaft konkret duke theksuar se potencialet për një bashkëpunim reciprok ekzistojnë, por duhet kaluar edhe disa sfida. Ai pengesë të madhe e sheh mungesën e deponive për riciklimin e mbeturinave. Z.Sarakany thotë se vizitorët nga do qofshim duan ambient të pastër dhe kushte të mira.

Sipas tij të gjitha degët e ekonomisë duhet të zhvillohen pa ndërhyrje të politikës. Ato duhet t’u lihen ekspertëve të fushave përkatëse. Kosovën ai e sheh si vend të mundësive të mëdha, por apelon që ambienti të mbrohet nga ndotja dhe prerja e maleve pa kurrfarë kriteri. Si ves të keq ai e konsideron edhe gjuajtjen vend e pavend të mbeturinave, sidomos të ambalazheve nga plastika. Ndërtimin e deponive për riciklimin e mbeturinave z.Sarkanay e sheh si diçka urgjente. Në të kundërtën përpjekjet për zhvillimin e gastronomisë dhe turizmit të Kosovës i konsideron të pa ndonjë perspektivë.

Në këtë lloj forumi ekonomik e pranishme ishte edhe Ambasadorja Fuqiplotë e Republikës së Kosovës në Zvicër, zonja Nazane Breca. Ajo këtë nismë e përshëndeti duke i përgëzuar iniciuesit, dhe duke premtuar ndihmën, aq sa i lejon pozita e saj prej ambasadoreje.

Kurse në pjesën me pyetje dhe përgjigje ndërhyri z.Ramadan Avdiu, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës, në Gjenevë. Ai vërejtjen rreth mbetjeve plastike e sheh si problem jo vetëm të Kosovës, por edhe të vet vendeve të Perëndimit.

Debati u fuqizua edhe më tepër me diskutimin e z.Edon Muhamet Duraku, i cili si përfaqësues i Unionit të studentëve shqiptarë të Gjenevës, preku fusha të shumta të këmbimeve ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës. Ai si pengesë të paarsyeshme e sheh mos heqjen e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Pamundësia për të lëvizur lirshëm thotë Duraku, nxjerrë nga plani shumë projekte. Sipas tij, loja me qytetarët e Kosovës,rreth heqjes së vizave është e pakuptimtë dhe plotësisht politike.

Duraku mendon që me lëvizjen e lirë të njerëzve do të krijoheshin mundësi për organizimin e kurseve dhe seminareve verore, për mësimdhënësit e të gjitha niveleve, me çfarë do të përmirësohej sadopak cilësia jo e mirë në arsimin e Kosovës.

Përshtypje të jashtëzakonshme me diskutimin e tij në këtë temë ka lënë edhe i riu Leonard Ferati, kryetar i Shoqatës bamirëse” Cre-Action” të Gjenevës. Ai prioritet ka këmbimet e përvojave të të rinjve të Kosovës dhe atyre të Zvicrës.

Veçmas kërkon që kategoritë e prekura nga Lufta dhe të lëna kaq gjatë pa përkujdesje institucionale të ndihmohen, duke mundësuar risocializimin e tyre. Ferati edhe pse i ri në moshë ka përvojë të mjaftueshme në fushën e praktikave sociale. Ai vite më parë me një grup shokësh përmes një projekti pilot ka ndihmuar edhe në vendet e Afrikës.

Pas përfundimit të kësaj tryeze për të ftuarit special dhe pjesëmarrësit tjerë në holin e Fakultetit të Shkencave Ekonomike dhe Sociale të Universitetit të Gjenevës, është organizuar një mini-program kulturor. Për dispononim dhe relaksimin e të pranishmëve është përkujdesur treshja e këngëtarëve Shaban Thaçi, Naim Demi dhe Ramadanin Hyseni. Ata si solistë aktivë të Ansamblit “Rapsodët e Gjenevës“ kanë interpretuar katër – pesë këngë të bukura me motiv atdhetar.

Organizatorët kanë ofruar për secilin edhe mundësinë e shijimit të verës së Rahovecit, si dhe të pijeve të tjera prodhime të shtetit të Kosovës, të ekspozuara në tregjet e Zvicrës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme