Google ADS

“Kosova e Re” do të prodhojë 450 megavat energji elektrike

22:06 | 21 Dhjetor 2017
M. A.

Marrëveshja për ndërtimin e “Kosovës së Re`, konsiderohet investimi më i madh i bërë ndonjëherë në vend. Me 1.3 miliard euro që do të shpenzohen për ngritjen e tij e me shumë përfitime të tjera për qytetarët, kronika në vazhdim sjell hollësi se çfarë parashikon marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane `Contour Global`.

Me ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, Qeveria synon krijimin e pavarësisë energjetike për Kosovën. Termocentrali i ri pritet të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me rrymë, si parakusht për investime. Por cilat janë parametrat teknikë të këtij impianti energjetik.

Termocentrali do të prodhojë 450 megavat energji elektrike netom efikasiteti neto i termocentralit është 40%, do të ketë jetëgjatësi 40 vjet, mbrojtja e mjedisit bëhet sipas vendimit zbatues të Komisionit Evropian të datës 31 korrik 2017, për themelimin e teknikave më të mira ekzistuese, në kuadër të direktivës 2010.75 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian, për impiantet e mëdha me djegie.

Termocentrali do të ndërtohet afër “Kosovës B”, lënda djegëse nxirret nga miniera e re në Sibovc – jug, ndërsa do të furnizohet nga sistemi i Ibër Lepencit.

Investitori obligohet t`i investojë 1.3 miliard euro, të hapë 10 mijë vende pune gjatë fazës së ndërtimit Të mundësojë ngrohjen me energji termale për komunat Obiliq, Fushë-Kosovë, Drenas

Termocentrali do të mbulojë 60% të kërkesës aktuale për energji, ai do të harxhojë 39% më pak linjit krahasuar me Kosovën A 25% më pak linjit se Kosova B 10% më pak konsum neto të ujit krahasuar me Kosovën B. Do të ketë 25 x reduktim të emetimeve CO2 3.8 x reduktim të emetimeve të Noxave 20 x reduktim të emetimeve të pluhurit.

Sipas asaj që ka publikuar Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ContourGlobal parashikon krijimin e Fondit për Zhvillimin e Komunitetit, buxhet që arrin në 10 milionë euro në një periudhë shtatëvjeçare. Këto mjete do të investohen në komunat që prek “Kosova e Re” me qëllim të përmirësimit të mjedisit social dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik përmes punësimit. Kompanitë që kanë shprehur interesimin për ndërtimin e termocentralit deri tash janë General Electric, Mitsubishi Hitachi, Siemens dhe Doosan.

Për ta mundësuar fillimin e realizimit të termocentralit, ditën e nënshkrimit janë nënshkruar edhe 8 marrëveshje përcjellëse e që janë: marrëveshja për implementim, marrëveshja e transferit të lokacionit, marrëveshja e mbështetjes nga sponsorët, marrëveshja për blerjen e energjisë, marrëveshja e furnizimit me linjit, marrëveshja e furnizimit me ujë, marrëveshja për kyçje në rrjet, marrëveshja për deponimin e hirit dhe gipsit.

Termocentrali pritet të hyjë në punë në vitin 2023, ndërsa do të kthehet në pronësi të shtetit pas 20 vitesh. Qeveria synon që deri në ndërtimin e termocentralit të ri, ta vërë nën kontroll ndotjen që përfshijnë mbylljen e “Kosovës A” dhe rehabilitimin e Termocentralit “Kosova B”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme