Kosova e milionerëve| Shumë prej tyre mund të mos jenë pjesë e politikës

08:04 | 2 Korrik 2021
S D

Institucionet e Kosovë nuk kanë informacione se sa milionerë janë në përgjithësi në  Kosovë, përtej deklarimeve të zyrtarëve publikë që doli se i kanë rreth 720 milionë euro pasuri të luajtshme e të paluajtshme.

Ekonomistët vlerësojnë se në Kosovë mund të ketë edhe më shumë milionerë që mund të mos jenë pjesë e politikës, shkruan arbresh.info.

Arbresh.info ka kohë që kërkon nga Banka Qendrore e Kosovës, statistika për personat të cilët kanë më shumë se një milion euro në llogarit e tyre e që kjo automatikisht i bënë milioner, por të njëjtit në dy raste patën thënë dy versione të ndryshme.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti për arbresh.info pati thënë se këto të dhëna i posedon Administrata Tatimore e Kosovës, si për biznese po ashtu edhe për individë.

“Banka Qendrore nuk i ka, sot i posedon Administrata Tatimore e Kosovës, pasi që në bazë të qarkullimit të fitimit të tyre pasi që edhe unë personalisht kam punu në ATK. Secili biznes sa ka qarkullim sa ka fitime i dorëzojnë pasqyrën  financiare në ATK, por jo në BQK, ne kemi informacione për banka por jo edhe për biznese ose individ. Edhe për persona i kanë ATK”, theksoi Mehmeti.

Ndryshe nga ai, Kushtrim Ahmeti, Zëdhënës i BQK-së, për arbresh.info tha se këto të dhëna gjenden te Shoqata e Bankave të Kosovës.

“Këto informacione mund t’i gjeni të SHBK-ja”, deklaroi Ahmeti.

Arbresh.info ka kontaktuar edhe me Anesa Besimin nga  Shoqatën e Bankave të Kosovës, e cila kishte thënë se nuk posedojnë një informacion të tillë.

“Lidhur me pyetjen e parashtruar, ju informoj që ne nuk e posedojmë një informatë të tillë’, theksoi Besimi.

E ndërkaq Administrata Tatimore e Kosovës, nuk kanë kthyer përgjigjeje fare edhe pas insistimeve të shumta të portalit arbresh.info.

Analisti ekonomisë Burim Berisha për arbresh.info tha se numri i madh i deputetëve që sot kanë miliona është për faktin se disa prej tyre kanë qenë biznesmen e më pas i janë qasur politikës, si dhe mungesa e institucioneve për monitorimin e tyre.

“Po kjo është problem pasi që ma herët s’ka pas institucione të tilla që monitorojnë dhe nxjerrin në pah milionerët e tillë, në bazë të bizneseve që veprojnë dhe realizojnë të hyrat e që mundet të ketë edhe shumë milioner të tjerë që munden mos me qenë pjesë e politikës pasi që kjo është pjesë e këtyre që janë në politik, p.sh që janë deputet ose persona zyrtar ose janë në ndërmarrje e më vonë janë shndërruar në politikan e më pas e kanë bartur atë pjesë të pasurisë kështu që ka pasur shumë pronar të bizneseve tash me i marr si shembull Ramiz Kelmendi, Behgjet Pacolli, e shumë të tjerë janë njerëz që kanë dalë prej biznesit në politik”, tha Berisha.

Tutje Berisha theksoi faktin e presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka deklaruar një pasuri të madhe e që vie direkt nga politika.

“Por sot që është ky numër i madh i këtyre personave që kanë të hyrat të mëdha është pjesë e asaj që kanë ardhur nga bizneset e një pjesë ndoshta edhe vetë politika i ka pasurua. E shohim Presidenten Vjosa Osmani që është një rast që veç politika pasi që ajo nuk është marr me veprime tjera vetëm që ka qenë profesorësh, por që ka një pasuri shumë të madhe. E ka edhe që një numër i madhi qytetarëve që nuk i dimë a janë apo nuk janë”, deklaroi Berisha.

Ndryshe në deklarimet e fundit të  pasurive për deputetët, të bërë publik  nga Agjencia Kundër-korrupsion, del se vlera e përgjithshme e pasurisë së tyre është 720 milionë euro.

Nga kjo del se deputetët kanë deklaruar rreth 210 milionë euro pasuri të paluajtshme, rreth 13 milionë euro pasuri të luajtshme, rreth 480 milionë euro aksione në shoqëri komerciale, 155 mijë euro në letra me vlerë, kurse 17 milionë euro para të gatshme./S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme