Kosova e gatshme të pranojë pesë mijë refugjatë nga Ukraina

11:22 | 7 Mars 2022
A. B.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme ndër të tjera ka deklaruar së Kosova është e gatshme të pranojë 5 mijë refugjatë nga Ukraina.

Ministrja e MPJD-së theksoi se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të paraqes kërkesën për pranimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina.

“Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të dorëzoj kërkesën për marrjen e masave konkrete që të ofrohet ambienti i përshtatshëm dhe të shikojmë mundësitë për pranimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina. Qeveria do të ndaj një fond të caktuar për t’ju bashkangjitur ndihmave humanitare ku janë përfshirë e gjithë bota. Do të zgjedhim një shoqatë humanitare vendore që me produkte vendore do të ndihmojë të zbusë krizën humanitare në Ukrainë”, tha Gërvalla.

Gërvalla gjithashtu theksoi se do të pezullojnë regjimin e vizave transit për qytetarët e Ukrainës.

“Pra qytetarët e Ukrainës në kufirin me Kosovën mund të hyjnë pa viza, por ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë do të detyrohen të lajmërohen të organet kompetente për të marrë një leje qëndrimi. Kemi disa ushtarë ukrainas që dëshirojnë ti sjellin familjet e tyre ata janë në kuadër të KFOR-it dhe këtë jemi duke e shqyrtuar”, tha ministrja. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme