Google ADS

Kosova do t’i ankohet komisionerit Hahn për marrëveshjet e pazbatuara nga Serbia

23:26 | 1 Dhjetor 2018
A. B.

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Prishtinë.

Ai, bashkë me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, u shfaqën ashpër kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksë 100 për qind ndaj Serbisë.

Madje, Hahn përmes një postimi në Twitter kishte kërkuar tërheqjen e menjëhershme të vendimit.

“Ky veprim i cili dëmton edhe konsumatorët dhe bizneset kosovare, duhet të kthehet prapa menjëherë. Kosova mban kryesimin e CEFTA-s dhe ka përgjegjësi. Unë do të marr pjesë në punimet e CEFTA-s të cilat mbahen së shpejti në Prishtinë, dhe pres që kjo çështje të zgjidhet deri atëherë”, thuhej në reagimin e Hahn.

E thirrjeve të BE-së nuk kanë lënë pa iu përgjigjur as zyrtarët shtetërorë të Kosovës.

Shefi i kabinetit të kryeministrit, Haradinaj, Avni Arifi, përmes një postimi në Facebook kishte thënë se, zyrtarë të BE-së duhej të ishin të mobilizuar të reagonin edhe për implementimin e marrëveshjeve për energji të arritura në Bruksel.

“Do të dëshiroja që Mogherini dhe ekipi i saj të ishin të mobilizuar për implementimin e marrëveshjes për energji ashtu siç janë mobilizuar për heqjen e taksës 100%. Befasuese të shohësh tërë këtë dinamikë, tërë këtë emocion në mbrojtje të interesave serbe. Fatkeqësisht, kjo qasje e njëanshme solli te dështimi i plotë i dialogu”, shkruante Arifi në Facebook.

Vizita e Hahn në Kosovë po shihet si një shansë e mirë që Kosova të ankohet edhe për fushatën agresive në politikën e jashtme, si dhe çështje të tjera në relacionin mes dy shteteve.

Biznesmeni kosovar, Remzi Ejupi, ka porositur krerët e shtetit të Republikës së Kosovës, që në takimin që do të kenë me 3 dhjetor me komisionerin e BE-së, Johanes Hahn, t’i kërkojnë që Serbia të zhbllokojë hapësirën ajrore.

“Si pasojë e kësaj bllokade qytetarët që kanë shfrytëzuar trafikun ajror kanë humbur shumë para por edhe kohë. Hapja e hapësirës ajrore të Serbisë për avionët që të fluturojnë nga Kosova dhe anasjelltas, do ta ulë çmimin e biletave, por edhe do ta shkurtojë kohën e fluturimit për rreth 30 minuta”, ka shtuar Ejupi.

Hahn, në Kosovë vije në një periudhë të ndjeshme të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, periudhë kjo në të cilën Serbia ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me tërheqjen e vendimit për taksë.

Sipas tyre, vendimi në fjalë i ka shkaktuar Serbisë humbje prej 50 milionë eurove.

Nga ana tjetër, në Kosovë është rritur dukshëm konsumimi i produkteve vendore.

Të ngjashme