Kosova do të nisë negociatat për anëtarësim në ReSPA

14:53 | 13 Tetor 2017
arbresh.info

Qeveria e Kosovës ka aprovuar nismën për aderimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare ReSPA, raporton arbresh.info.

Ministri i Administratës Publikë, Mahir Jaggjillar, vlerëson se rëndësia e kësaj organizate është e madhe në fushën e administratës publike.

ReSPA është një organizatë ndërkombëtare, së cilës i është besuar misioni i rritjes së bashkëpunimit rajonal në fushën e administratës publike në Ballkanin Perëndimor. Si i tillë, ReSPA është një përpjekje e veçantë historike e krijuar për të mbështetur krijimin e sistemeve të përgjegjshme, efektive dhe profesionale të administratës publike për Ballkanin Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

ReSPA kërkon të arrijë këtë mision nëpërmjet organizimit dhe shpërndarjes së aktiviteteve trajnuese, konferencave të nivelit të lartë, ngjarjeve të rrjetëzimit dhe publikimeve, objektivat e përgjithshme të të cilave janë transferimi i njohurive dhe aftësive të reja si dhe lehtësimi i shkëmbimit të përvojave brenda rajonit dhe midis rajonit dhe Shteteve Anëtare të BE-së, shkruan arbresh.info.

Ndërsa në fillim ka synuar zyrtarët e atyre vendeve që kanë nënshkruar dhe ratifikuar Marrëveshjen për themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike dhe janë anëtarë të ReSPA (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Republikën e Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë) si dhe entitete të tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor, aktivitetet e ReSPA mund të jenë të hapura edhe për zyrtarët e vendeve dhe institucioneve të tjera.

Zyrat e ReSPA-s janë të vendosura në Danilovgrad, Mal të Zi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme