‘Kosova do të anëtarësohet në UNESCO, Serbia nuk mund ta ndalë’

12:40 | 24 Shkurt 2017
Arbresh.info

Kosova do të bëhet anëtare e UNESCO-s dhe Serbia nuk mund ta pengojë, por mund ta vonojë, është konstatuar në forumin “UNESCO dhe trashëgimia kulturore serbe”, e cila u mbajt të enjten në Prishtinë.

Në tubim është thënë se Kosova është e obliguar të veprojë në përputhje me dispozitat e planit të Ahtisarit lidhur me Kishën Ortodokse Serbe dhe trashëgiminë e saj.

Siç shkruan Zëri i Amerikës, versioni në gjuhën serbe, këshilltari i Qeverisë së Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Dimitris Muskopulos ka thënë se çështja kryesore për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO-s është trashëgimia kulturore fetare serbe.

“Muskopulos i cili këmbënguli se është duke folur në emër të vet dhe jo si një këshilltar i institucioneve të Kosovës, tha se Kosova duhet të zbatojë plotësisht dispozitat e planit të Ahtisaarit, kur është fjala për qëndrimin ndaj Kishës Ortodokse Serbe (SPC)”, shkruan Zëri i Amerikës.

“Kisha dëshiron zbatimin e planit të Ahtisaarit, siç është në origjinal, e Qeveria e Kosovës ka pranuar ta bëjë këtë për shkak të kërkesës për anëtarësim në UNESCO. Ata këtë e bënë në formën e një letre të dërguar shteteve anëtare të UNESCO-s, ku ata kanë bërë premtime të caktuara për bashkësinë ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë Muskopulos.

Ndërkaq kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko mendon se Serbia në afat të gjatë nuk mund të pengojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, sepse, siç thotë ajo, po rritet disponimi i bashkësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e Kosovës dhe ajo të merr sovranitetin e plotë si çdo shtet i pavarur.

Ajo beson se trashëgimia kulturore e Kosovës, përfshirë edhe trashëgiminë e Kishës Ortodokse serbe “është politizuar shumë dhe se duhet të ndahen çështjet politike nga trashëgimia kulturore”.

Biserko ka thënë se ky politizim kryesisht vjen nga Beogradi, i cili në këtë mënyrë dëshiron të parandalojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

E publicisti nga Prishtina dhe analisti Shkelzen Maliqi mendon se serbët dhe Kisha Ortodokse Serbe nuk kanë arsye për frikë të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, por siç ka thënë ai, duhet të jetë e kundërta.

Sipas tij, në këtë rast institucionet e Kosovës do të detyrohen për të mbrojtur plotësisht trashëgiminë kulturore, siç kanë bërë gjatë autonomisë në ish-Jugosllavi.

“Duke u bashkuar me UNESCO-n, Kosova merr përsipër të respektojë këto standarde ndërkombëtare në të gjitha këto fusha, jo vetëm për mbrojtjen e manastirit, por të gjithë trashëgiminë kulturore që disponon Kosova, e që është komplekse”, ka thënë Maliqi.

Forumi me temë “UNESCO dhe trashëgimia kulturore serbe” është organizuar nga Qendra Multimediale në Prishtinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme