Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i Qendrës Evropiane për Monitorimin e Drogës dhe Varësisë nga Droga (EMCDDA), Alexis Goosdeel kanë nënshkruar sot marrëveshjen e punës.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikatë për medie nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Ministria e Punëve të Brendshme, si bartëse e politikave për luftimin e narkotikëve, ka iniciuar në vitin 2019 kërkesën për nënshkrim të Marrëveshjes së Punës me Qendrën Evropiane për Monitorimin e Drogës dhe Varësisë nga Droga (EMCDDA), e cila është njëra nga Agjencitë e Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje u nënshkrua sot nga Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, ministri i Shëndetësisë, z. Armend Zemaj dhe drejtori i EMCDDA, z. Alexis Goosdeel”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme, si bartëse e Strategjisë kundër Narkotikëve dhe Planit të Veprimit 2018-2022, është e angazhuar maksimalisht në fuqizimin dhe zbatimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse për parandalimin dhe luftimin e narkotikëve.
Veliu gjithashtu u zotua se Ministria e Punëve të Brendshme, është dhe do të vazhdoi të jetë partner serioz për luftimin dhe eliminimin e problemit me drogat, si dhe në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të raportimit të problemeve dhe zgjidhjeve në fushën e drogave në nivel vendi, dhe se EMCDDA është adresa kompetente dhe me kredibile mbi të dhënat e drogave në BE, e që edhe ky fakt gjithashtu përbën një element shtesë për të ngritur bashkëpunimin tonë në një nivel edhe më të avancuar.
Ndërsa në anën tjetër Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj theksoi se ndihet i kënaqur për finalizimin e një marrëveshje kaq të rëndësishme, që i jep një dinamikë punës së përbashkët dhe punës në fuqizimin e politikave nga legjislacioni i BE-së për monitorimin e drogave.
Gjithashtu drejtori i EMCDDA, Alexis Goosdeel, u shpreh i lumtur se tashmë ka një siguri të mirë të bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për luftimin dhe eliminimin e problemit me drogat.
“Bashkëpunimi me EMCDDA zhvillohet tash e disa vite, e që është realizuar përmes pjesëmarrjes në takime të ndryshme rajonale, punëtori, trajnime dhe përgatitje të raporteve. Pikë kontakti e MPB-se është Sekretariati i Strategjive, deri në momentin kur do të themelohet Observatori i Drogave, kërkesë kjo e EMCDDA, si dhe një nga kriteret për liberalizimin e vizave”, thuhet në komunikatë.
Netanyahu në gjykatën e Tel Avivit për të dëshmuar mbi akuza...
Ushtarët shqiptarë nderohen me Medaljen NATO për shërbim të ...
Gjesti i lë një trëndafil Xhenetës pranë kokës
Liverpooli e bën prioritet transferimin e yllit të Brightoni...
Luginasit ankohen për gjoba në kufirin e Kosovës, kryetari i...
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin ...