Kosova dhe Kanadaja zhvillojnë konsultime politike në kryeqytetin Otava

22:39 | 29 Janar 2024
E.G
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi po qëndron për vizitë zyrtare në Kanada, ku gjatë takimeve bilaterale, bashkërisht me Drejtorin e Përgjithshëm për Byronë e Çështjeve të Arktikut, Euroazisë dhe Evropës, Robert Sincliar, drejtuan konsultimet politike mes delegacioneve të të dyja vendeve.
Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë takimit u vlerësuan lartë marrëdhëniet e konsoliduara mes Republikës së Kosovës dhe Kanadasë, u diskutua për bashkëpunimin bilateral, rajonal dhe zhvillimin ndërkombëtar, çështjet e sigurisë rajonale, ato të ekonomisë dhe tregtisë, si dhe bashkëpunimi kulturor mes dy vendeve, shkruan Arbresh.info.
Në kuadër të konsultimeve politike, zëvendësministrja Gashi u takua edhe me zëvendësministrin për Politika Strategjike dhe Çështjet Globale të Kanadasë, Alexandre Lévêque, me të cilin ka diskutuar për tema me interes të përbashkët, gjendjen e sigurisë dhe realitetin aktual në Europë dhe Ballkanin Perëndimor.
Zëvendësministrja Gashi theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të qëndruar krah shteteve demokratike, duke krijuar njëherit mundësi të reja për qytetarët e vendit si dhe për të kontribuar në paqen globale.
“Palët nga të dyja vendet u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin e afërt dhe në shërbim të fuqizimit më tej të marrëdhënieve bilaterale. Ndërsa në një takim ndaras me Sekretarin Parlamentar të Ministrisë së Jashtme të Kanadasë, z. Robert Oliphant, u theksua rëndësia dhe roli i diplomacisë parlamentare për të ndërtuar më tej bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë, si dhe tema të tjera me interes të ndërsjelltë.”, thuhet në njoftim.
Ministria bën të ditur se vizita do të vijojë edhe me takime të tjera, ku do të pritet edhe nga Deputetë, Senatorë dhe udhëheqës të komisioneve parlamentare në kuadër të Parlamentit dhe Senatit Kanadez.
Në kuadër të vizitës së saj, Gashi do të zhvillojë takime edhe me shoqëri civile, diplomatë të huaj, medie dhe përfaqësues të diasporës dhe rrjeteve të bizneseve shqiptare në Toronto dhe Hamilton./Arbresh.info/

Të ngjashme