Kosova dhe Izraeli thellojnë bashkëpunimin në fushën e inovacionit dhe kinematografisë

15:32 | 9 Maj 2022
A. B.

Gjatë ditës së dytë të vizitës në Izrael, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është pritur nga homologu i saj izraelit Yair Lapid.

Në fillim të takimit, siç bëhet e ditur nga komunikata për media, Gërvalla ka shprehur konsideratën e lartë për shtetin e Izraelit nga Qeveria dhe populli i Kosovës, duke vlerësuar njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit si një ngjarje shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës.

Ministrja Gërvalla e njoftoi homologun e saj me zhvillimin e gjithmbarshëm dhe progresin e arritur në Kosovë, angazhimin e Qeverisë së Kosovës për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe orientimin strategjik për integrime euro-atlantike.

Gjatë takimit Gërvalla e falënderoi ministrin Lapid për pritjen shumë të ngrohtë dhe gatishmërinë e shprehur për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, arsimin, teknologjinë dhe inovacionin, edukimin, shkencën, kulturën, kinematografinë, e dëshmuar me nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushat përkatëse. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme